Ish-sulmuesi i United: Klopp është Furgusoni i ri

Ish-lojtari i Manchester Unitedit, Dion Dublin, beson se trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është Sir Alex Fergusoni i ri, pasi kishte punuar me trajnerin legjendar skocez gjatë kohës së tij në Old Trafford.

Pasi ishte punësuar për ta kthyer periudhën e lavdishme në Teatrin e Ëndrrave, Sir Alex Fergusoni vazhdoi duke arritur suksese të paimagjinueshme më parë në futbollin anglez me Manchester Unitedin.

Ai e udhëzoi Manchester Unitedin drejt 13 titujve të Premierligës dhe dy titujve të Ligës së Kampionëve, para se t’i jepte fund karrierës së tij si trajner duke u pensionuar në vitin 2013.

Kloppi do të synojë t’i përsërisë sukseset e skocezit me Liverpoolin, pasi arriti ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, ndërsa do të tentojë ta fitojë edhe atë të Premierligës këtë sezon.

“Jurgen Kloppi është Sir Alex Fergusoni i ri. Ajo që dua ta them me këtë është se ai po e drejton klubin nga poshtë-lart. Ai po sigurohet që futbolli në akademi po luhet në të njëjtën mënyrë si në ekipin e parë”, ka thënë Dublin, i cili i ishte bashkuar Manchester Unitedit në vitin 1992.

“Kur lojtarët ngrihen nga akademia në ekipin e parë, ata e dinë punën e vet, e dinë ku duhet të jenë dhe çfarë duhet të bëjnë dhe kë duhet ta dëgjojnë. Për këtë arsye Liverpooli po bën paraqitje kaq të baraspeshuara”.


Shtuar 6.01.2020 13:16