Ekskluzive/ Nikollaj: Kemi ligje por zbatimi është problematik!
Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, në një intervistë ekskluzive për portalin Albeu.com, ka parashtuar një sërë problematikash, duke i reflektuar qartë me shifra. Sipas tij, në Shqipëri ka ligje, por zbatimi i tyre ka qënë, është dhe do të mbetet problematik.

Ai nënvizon se qeveria duhet të jetë me e vëmendshme, që jo vetëm të propagandojë, por të ulet duke shpjeguar e biseduar me grupet e interesit dhe me komunitetin në tërësi.

Çfarë do të bëhet me minatorët që nuk plotësojnë vitet për të dalë në pension, pasi tashmë dalin në pension në moshën 55 vjeç? Minatorët që kanë 10 vjet punë, çfarë pensioni përfitojnë?

"Historikisht dihet që puna në industrinë në tërësi, e veçanërisht në atë nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve është një punë mjaft e vështirë, e cila shoqërohet jo thjesht me lodhje fizike, apo me ambient të rënduar nga gazrat helmuese, pluhurat, etj, por paraqet dhe rrezik të lartë aksidentesh dhe në mënyrë graduale.

Fatkeqësisht puna në këtë sektor sjell edhe një humbje të aftësisë për punë, e cila me kalimin e kohës rëndohet, duke u bërë e pariparueshme. Për pasojë, shumë nga këto profesione, jetëgjatësinë e punonjësve e kanë më të ulët se ajo e punonjësve në përgjithësi.

Ndryshimet social ekonomike dhe politike të ndodhura pas 1990, këtë industri e goditën ashpër, pasi kjo në sistemin e kaluar ishte prioritare, plotësisht e politizuar dhe udhëhiqte reformat komuniste në ekonomi.

Pas vitit 1990, kjo industri pothuajse u mbyll plotësisht dhe punonjësit e minierave ishin më të prekurit dhe më fatkeqët nga mungesa e reformave ekonomike. Sëmundjet profesionale në këtë kategori punonjësish kanë qënë prezente dhe fatkeqësisht të patrajtuara nga mjekësia e punës gjatë këtyre viteve.

Të nisur nga këto rrethana, sindikatat tona, në mënyrë ritmike gjatë këtyre viteve, janë përpjekur që duke bashkëpunuar me qeveritë e rradhës, të krijojnë rrethana lehtësuese me qëllim që këta punonjës të integrohen në ekonominë e tregut me sa më pak dhimbje. Për këtë janë marrë një sërë reformash, që nga 1993 e në vazhdim, duke i dhënë prioritet e duke favorizuar punonjësit e sektorëve të vështirë si miniera, metalurgji, kimi, gjeologji, naftë, etj, duke i shpërblyer me pagesa kalimtare, me pensione të parakohshme apo pensione të veçanta krahasuar me punonjësit e tjerë. Zgjidhja që qeveria bëri gjatë vitit 2014 ishte në thelb një zgjidhje radikale dhe përmbushte në tërësi kërkesat e punonjësve të artikuluara përmes sindikatave të tyre.

Duke filluar që nga 1 Janar 2015, të gjithë punonjësit që kanë plotësuar moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite punë të siguruara në shtet nga këto vite, 12 vjet e gjashtë muaj punë në nëntokë, dalin në pension në moshën 55 vjeç. Sigurisht që këta duhet të mos jenë ekonomikisht aktivë. Për këtë numri i përfituesve është 3840 persona në katër vjet. Vetëm këtë vit (2015), përfitojnë 3690 persona. Aktualisht 74% e tyre, ose 2880 punonjës të nëntokës marrin trajtim financiar dhe ky trajtim do të kthehet në pension të plotë minimal me vlerën 12300 lekë, shumë të cilës duke i shtuar kompensimet sipas ligjit për pensionet, shkon në një vlerë prej 14 474 lekë.

Ndërsa në lidhje me vitet e punës dhe me kontributin në miniera, 17% e tyre do të marrin 16500 deri në 21000 lekë në muaj. Nga 3690 persona që do të trajtohen këtë vit, 9 % e tyre, ose 150 njerëz do të jenë direkt si përfitues të rinj gjatë vitit 2015.

Efektet financiare për të gjithë këta persona do të jenë 702 milionë lekë dhe duke shtuar kompensimet sipas ligjit, që janë 91 milionë lekë, shuma totale për 3840 persona do të shkojë në 793 milionë lekë, shumë e cila krahasuar me trajtimin e veçantë që ishte 435 milionë lekë, rritet në vlerën 358 milionë lekë të cilat do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Risia e këtij vendimi është se duke filluar nga 1 Janar 2015, për të gjithë punonjësit e minierave që punojnë nëntokë, kontributi për siguracionet do të rritet 5%, rritje e cila do të përballohet 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Kjo sjell një vlerë financiare prej 48 milionë në vit.

Nëse efektit neto prej 358 milionë do t’i zbresim 48 milionë lekë që do të sigurohet nga ky siguracion suplementar, atëherë vlera që buxheti i shtetit do të mbështesë pensionet e minatorëve që do të përfitojnë pension në moshën 55 vjeçare, do të jetë 310 milionë lekë në vit.

Asnjë minator i cili nuk plotëson këto tre kritere të mësipërme, moshën 55 vjeç, vjetërsinë në punë 30 vjet dhe punë në nëntokë jo më pak se 12 vjet e 6 muaj, nuk mund të përfitojë asgjë nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi nuk përmbush kriteret.

Sigurisht ata minatorë që mund të plotësojnë moshën 55 vjeç dhe vjetërsinë në punë, por nga këto vite, nuk kanë të plota ato në nëntokë, 12 vjet e gjashtë muaj, nuk përfitojnë nga kjo skemë pensioni pa plotësuar këtë kusht.

Duam të theksojmë se disa kërkesa që kanë dalë këto ditë në tregun sindikal, se kjo masë duhet avancuar dhe barazuar me pensionet e veçanta që kanë përfituar aviatorët dhe punonjësit e nëndetseve (të kohës së komunizmit), nuk sjellin asgjë të re në shërbim të punonjësve. Ato thjesht janë demagogji për të mbajtur të karikuar dhe për të manipuluar punonjësit, pasi sot, të dy këto profesione në Shqipëri pothuajse nuk ekzistojnë, pasi ne nuk kemi shërbim civil, as ajror, as detar në këtë kategori, ndërsa në sistemin ushtarak, tashmë që Shqipëria është anëtare e NATO-s, forcat e armatosura trajtohen me një ligj të veçantë, i cili nuk ka lidhje me shërbimet civile dhe me punonjësit e kategorive të tjera të industrisë".

Çfarë duhet bërë që Qeveria të reagojë në plotësimin e të drejtave të punonjësve?

"Qeveria aktuale ka një mision të rëndësishëm për të realizuar shumë nga premtimet e saj, premtime të cilave të bëra nga një qeveri e majtë me program social, gjetën mbështetje dhe u besuan nga njerëzit të cilët i votuan bindshëm në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Heqja e taksës së sheshtë dhe zëvendësimi i saj me taksën progresive, kryerja e reformës në sistemin e pensioneve, vendosja e pensionit social, ndryshimi i ligjit për asistencën dhe përfitimet sociale dhe ndryshimi i kritereve të përllogaritjes dhe përfitimit të saj, përfshirja e sindikatave në vendimmarrje dhe funksionimi normal i dialogut social nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Punës, të zgjedhur sa më pranë përfaqësimit Sindikal, janë risi të një qeverie të majtë, të cilat, detyrimisht duhen shoqëruar me reforma në administratën publike dhe në shërbimin civil, në sistemin e drejtësisë, në ndarjen territoriale etj, reforma të cilat tashmë janë deklaruar nga qeveria, por ne nuk kemi ende një ravijëzim të qartë të tyre. Sipas nesh, këto reforma po kryhen pa konsultim të gjerë me faktorë dhe aktorë socialë dhe të interesuar direkt, por kemi frikë se kanë mbetur vetëm si produkt politik dhe i marrëveshjeve mes politikanëve.

Zgjerimi i bazës së konsultave për këto reforma dhe gjithëpërfshirja pa interesa politike, por vetëm për përmirësim të interesave ekonomike, sociale dhe kombëtare, ku rëndësi të madhe ka përfshirja e sindikatave dhe e shoqërisë civile, sipas modelit evropian, do t’i bënte këto reforma jo vetëm të qëndrueshme dhe jetëgjata, por edhe konsensuale e produktive për masat e gjera punonjëse në tërësi.

Është e vërtetë që në Shqipëri ka ligje, por fatkeqësisht, zbatimi i tyre ka qënë, është dhe do të mbetet problematik, kjo pikërisht nga mosfunksionimi i hallkave që përmenda më lart, si edhe nga mungesa e traditës demokratike, nga mungesa e konsensusit dhe e bashkëpunimit, nga mungesa e kulturës së komunitetit për gjithëpërfshirje dhe vetëqeverisje, etj.

Nismat e qeverisë, si ajo anti-kanabis në Lazarat, e pagesës së energjisë elektrike dhe e reformimit tërësor të sistemit energjitik, e pagesës së ujit dhe detyrimeve të tjera komunitare ndaj shtetit, janë nisma mjaft pozitive, por nëse këto nuk shoqërohen me një sërë masash sociale që të shërbejnë si valvula të shfryrjes së tensioneve sociale, është e vështirë të realizohet suksesi i tyre.

Për këtë arsye, qeveria duhet të jetë me e vëmendshme, që jo vetëm të propagandojë dhe të bëjë luftë me "mullinjtë e erës" dhe me opozitën politikisht, por të ulet në rrafshin pragmatik duke shpjeguar dhe duke biseduar me grupet e interesit dhe me komunitetin në tërësi, me qëllim që shkëmbimi i informacionit të krijojë jo vetëm besimin që këto reforma janë të domosdoshme, por edhe mbështetjen e gjerë të komunitetit ndaj këtyre reformave jetike.

Ne shohim që edhe kjo qeveri, pavarësisht se është e majtë në formë dhe përmbajtje, po i kushton më shumë rëndësi marrëveshjeve dhe lobimit me biznesit, se sa sindikatës dhe punonjësve.

Në dukje, kjo mund të merret si një kompromis produktiv, pasi biznesi krijon vende pune dhe rrit produktin shoqëror për ekonominë, por në të vërtetë, kompromisi me biznesin në kurriz të punonjësit dhe të interesave të tyre, është një minë me sahat, e cila në çdo moment do t’i shpërthejë në dorë qeverisë dhe do t’i krijojë dëme të pariparueshme. Sjell në vëmendje organizimin e çmimeve të “Bletës Punëtore” të organizuar nga qeveria, të disa financimeve që biznesi në mënyrë informale i kryen si investime në shërbim të qeverisë, apo dhe deklaratën e fundit të kryeministrit shqiptar në prezencë të kryeministrit italian, z. Renci, ku i thotë se investitorët italianë duhet të vijnë në Shqipëri të investojnë, sepse në Shqipëri nuk ka sindikata.

Kjo tregon qartë një botëkuptim skllavërues ndaj punonjësve dhe krahut të punës, pse jo dhe një reminishencë komuniste e së kaluarës, sipas së cilës, nëse sindikatat nuk i shërbejnë qeverisë, atëherë ato duhet të shpallen ‘armiq’. Kërkesa jonë e hershme për ndryshimin dhe përafrimin ligjor të punës me atë të standarteve evropiane, jo vetëm që nuk u pranua nga qeveria e kaluar Berisha, por fatkeqësisht, edhe qeveria aktuale e z.Rama po përpiqet ta anashkalojë në mënyrë më të kamufluar, duke shtyrë pa afat miratimin e ndryshimeve në kodin e punës, ndryshime të cilat janë të domosdoshme për situatën aktuale të marrëdhënieve të punës. Janë mbi 20 direktiva të Bashkimit Evropian, të cilat detyrimisht duhet të implentohen në legjislacionin tonë të punës, jo vetëm si një detyrim për plotësimin e kritereve si vend kandidat i BE, por edhe për t’ju dhënë zgjidhje shumë problemeve që janë shfaqur këto vitet e fundit në tregun e punës dhe në marrëdhëniet e punës në Shqipëri, si puna me nënkontraktim, trajtimi i punonjësve nga falimentimi i ndërmarrjeve, puna në shtëpi, puna jashtë shtetit, puna në distancë, telepuna, etj, forma të reja të cilat sot hasin në një vakum ligjor në trajtimin e tyre".

Në konstatimin tuaj, cilat të drejta nuk plotësohen rëndom nga punëdhënësit?

"Shumë nga punëdhënësit përpiqen të anashkalojnë detyrimet ligjore ndaj punëmarrësve në mënyra të ndryshme, formale dhe informale, por veçanërisht ata përfitojnë nga padija e punonjësve për të drejtat e tyre, pasi organizimi sindikalist dhe përfshirja e punonjësve në sindikatë është e dobët dhe në sektorin privat, pothuajse inekzistente.

Në sektorin shtetëror, sindikatat në shumicën e rasteve janë kthyer në bashkëpunëtore të punëdhënësit dhe e kanë harruar misionin e tyre për mbrojtjen e interesave të punonjësve në përmbushjen e ligjit, të statutit të tyre dhe për misionin për të cilin janë votuar nga anëtarësia. Veçoj këtu sindikatat në fushën e arsimit, të cilat për 5 vjet nuk kanë asnjë risi në tregun sindikal, nuk kanë kryer asnjë fushatë në mbrojtje të punonjësve të arsimit, me përjashtim të disa konferencave kallpe në media proqeveritare, përpara garazheve të Ministrisë së Arsimit.

Mungesa e një ligji për kontraktimin kolektiv ka krijuar probleme të pariparueshme në aktivitetin e sindikatave. Në Shqipëri, aktualisht nuk kemi një ligj për kontratat kolektive në nivel kombëtar dhe për kontratat kolektive në nivel profesioni. Sot kemi thjesht disa kontrata kolektive të thata në nivel kompanie dhe ndërmarrjeje, të cilat në shumicën e rasteve janë plagjiaturë e legjislacionit të punës, apo një kompromis me punëdhënësit, jo shumë rezultative në dobi të punonjësve.

Theksoj këtu se në këto kontrata nuk përfshihet rritja vjetore e pagës, e detyrueshme, indeksimi me inflacionin, mjekësia e punës, siguria dhe shëndeti në punë në përputhje me ligjin e ri, tarifat dhe pagat në nivel profesioni dhe në shkallë kombëtare, paga e 13-të dhe të tjera benefite të cilat tashmë janë të garantuara nga konventat ndërkombëtare dhe standartet evropiane të punës.

Këtij kaosi në negocimin, nënshkrimin dhe kontraktimin kolektiv, i shtohet edhe mungesa e një ligji të veçantë për përfaqësueshmërinë sindikale, mungesë e cila çon në fragmentizimin e sindikatave dhe duke i politizuar ato, duke i kthyer në organizata të pafuqishme dhe pasive, që më shumë dëmtojnë lëvizjen sindikale se sa e ndihmojnë atë.

Ne kemi kërkuar që të vendosen kritere të qarta se kush mund të jetë organizatë sindikale ndërmarrjeje territori, profesioni, kush mund të jetë federatë (bashkimi i disa organizatave të profesionit) dhe kush mund të jetë Konfederatë Sindikale.
(Bashkimi i disa Federatave të profesionit). Mospërcaktimi i kritereve të qarta për këto përfaqësime, ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm në dialogun social, i cili në aspektin territorial pothuajse mungon.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, si organizata më e madhe dhe më e organizuar në Shqipëri, në kongresin e saj të 5-të, kongres i cili i zhvilloi punimet më 30 Nëntor 2014, në rezolutat dhe në materialet kryesore, i kushtoi një rëndësi të veçantë këtyre fenomeneve. Për këtë ndërmori një sërë vendimesh; së pari për të ndryshuar dhe për të përshtatur rregulloret, statutet dhe programet tona, për të rikonfiguruar strukturën organizative dhe përshtatjen e saj me realitetet sociale, ekonomike të vendit tonë, si edhe miratoi disa rezoluta të rëndësishme, duke i kërkuar qeverisë dhe politikë-bërjes në përgjithësi, platformën ligjore, si domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, në planin ekonomik dhe social, në përputhje me standartet evropiane. Ky kongres rezultoi që KSSH vazhdon të jetë siç edhe ishte, një organizatë sindikale demokratike, e pavarur politikisht dhe në shërbim të plotë të punëtorëve shqiptarë". /albeu.com/









Shtuar më 05/01/2015, ora 17:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori