E FUNDIT/ Një plumb në kokë, vdes 26 vjeçari
Ekskluzive / Këmbanë alarmi për abuzimin me të miturën, ja qëndrimi i sociologes
Fatkeqësisht, abuzimi me të miturën në spital është kthyer në çështjen e ditës, ndërsa është krijuar një panik. Videoskandali në urgjencën e QSUT-së, i publikuar në rrjetet sociale e më pas në të gjitha mediat, ka shkaktuar një revoltë të fortë nga ana qytetare dhe jo vetëm.

Ajo çka vlen të theksohet lidhet me faktin se hasen qëndrime të ndryshme, ku njëra palë fajëson autoritetet drejtuese të shëndetësisë, por ka dhe nga ata, të cilët fajësojnë protagonistët e videos. Përtej këtij reagimi që ende është në valë të nxehtë, portali Albeu.com ka marrë një vlerësim nga sociologia Entela Binjaku.

"Një nga format e reja të komunikimit sot është ai përmes internetit. Kjo risi e viteve të fundit, ka mbështjellë rreth vetes një numër të madh përdoruesish në radhët e shqiptarëve. Si e tillë edhe qasja e shoqërisë ndaj kësaj forme është e ndryshme, në njerëz të ndryshëm.

Kur në ditët e para të këtij viti, kur thuajse gjithë shoqëria ishte në ditë pushimi, e shkëputur nga dinamika e përditshmërisë, u shfaq një video me ndjeshmëri të lartë, natyrisht që reagimi shoqëror ndaj saj ishte për t’u marrë në konsideratë.

Ndjeshmëria ndaj kësaj videoje fillimisht u lidh me këto elemente:
1) Zhvillohej në një mjedis spitalor,
2) Disa djem “argëtoheshin” me një vajzë, në kushtet kur ajo e kishte te pamundur të reagonte;
3) Për aspektet private të fizikut të saj nuk respektoheshin, aq më tepër kur ajo ishte dhe në kushtet e pamundësisë.
4) Absurditeti i humorit në një situatë të tillë.

Kjo ishte çfarë pa ajo pjesë e shoqërisë që ndoqi videon. Të tjerët mësuan nga si jua shpjeguan këta të parët. Grupit të këtyre ju shtua edhe ajo pjesë e shoqërisë që e morën informacionin nga media e shkruar dhe vizive, bashkë me detajet e zbuluara nga hetimi i organeve përkatëse. Natyrisht kësaj tabloje nuk i mungoi edhe reagimi i politikës.

Pra të gjitha këto kategori njerëzish, krijuan një kendvështrim të vetin për këtë video, dhe po këta ndërveprojnë falë mënyrës së tyre të perceptimit ndaj të njëjtit simbol, që në këtë rast ishte kjo video 50 sekondëshe.

Mbi bazën e këtij mozaiku kompleks perceptimesh, shoqëria mban qëndrimet e saj.

Më saktë, përpiqet të gjejë kush ka gabuar më shumë. Disa i'a vënë fajin institucionit shtetëror, disa tek të rinjtë që dalin natën e nuk janë në kontrollin e prindërve, disa tek mungesa e kontrollit të këtij institucioni ndaj personave që hyjnë e dalin në këtë mjedis, disa tek papjekuria e njërit prej tyre që ishte dhe më i rritur në moshë…

Në sociologji ne themi se edhe prej sjelljeve deviante, shoqëria mund të nxjerrë mësime, e mund të ndihmojë vetëveten falë mënyrës sesi reagon ndaj tyre. Konkretisht, kjo ngjarje duhet të ndërgjegjësojë të rinjtë, të tregojnë më shumë kujdes ndaj abuzimit me substancat e ndaluara. Ata të edukohen me respektin ndaj privatësisë së tjetrit.

Baret e natës të shmangin ofrimin e pijeve alkoolike personave minorenë; prindërit duhet të rrisin shkallën e komunikimit me fëmijët, që të mos gjenden të shokuar ndaj ndonjë veprimi të kësaj natyre.

Shteti të shtojë masat e sigurisë dhe të vëmendjes ndaj njerëzve që hyjnë e dalin në mjediset spitalore. Kjo do t’u krijonte edhe vetë punonjësve të tij, kushtet e natyrshme për të punuar, kryer profesionin në dhënien e shërbimit ndaj qytetarëve.

Mjekët (në shërbimin spitalor) të tregojnë kujdes që veç dhënies së ndihmës, të njoftojnë familjarët e gjithëkujt që shkon kërkon ndihmën e tyre.

Ndërkohë, historia e pranisë së punonjësit/sekserit të shërbimit të funeralit në këtë rast, është thjesht një copëz nga absurdi shqiptar i këtyre dy dekadave e gjysmë zhvillimesh, ku këta mësyjnë për të gjetur klientë edhe aty ku të tjerët luftojnë për t’i shpëtuar më të keqes", u shpreh ajo. /albeu.com/

Shtuar më 06/01/2015, ora 14:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori