Autoriteti i Konkurrencës pezullon vendimin për rritjen e tarifave të kompanive celulare
Autoriteti i Konkurrencës ka marrë vendimin për të pezulluar përkohësisht rritjen e tarifave nga kompanitë celulare.

Albeu.com ka mësuar ekskluzivisht se këtë vendim e ka marrë Komisioni brenda Autoritetit të Konkurrencës.

Por përveçse është pezulluar rritja prej 200 lekësh për të gjitha paketat standarde të komunikimit që ofrojnë kompanitë, ka nisur edhe një hetim për akuzën e prishjes së konkurrencës në treg.

Kujtojmë se rritja e menjëhershme në të njëjtën kohë e çmimeve për shërbime të ngjashme të kompanive celulare, ngriti dyshime se po abuzohej.

Fillimisht ka qenë publiku i gjerë që ka shfaqur pakënaqësi për këtë shtrenjtim që ndodhi në "kor", ndërkohë që edhe figura të caktuara publike kanë ngritur shqetësim për këtë çështje.

Shumica prej tyre kërkonin reagimin e institucioneve përkatëse dhe fatmirësisht në këtë rast, Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur zërin.

Për raste të tilla duhet theksuar se Autoriteti i Konkurrencës këshillon që “nëse dyshoni për një sjellje anti konkurruese kontaktoni me Autoritetin e Konkurrencës i cili do të hetojë mbi këtë sjellje. Ligji i jep Autoritetit të Konkurencës fuqinë për të hetuar dhe vepruar rreth sjelljeve anti-konkuruese." /albeu.com/
Shtuar më 14/02/2020, ora 13:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori