Ekipi i Unitetit: Pas 10 dhjetorit do të merren vendimet e duhura
Albeu.com
Zëdhënësi Skënder Hyseni tha se ekipi është i përgatitur për çfarëdo lloj presionesh që mund t’i bëhet nga treshja, por ai tha se nuk do të pranohet asgjë më pak se pavarësi për Kosovën.Ekipi i Negociator i Kosova nuk pret asgjë më shumë nga takimi i fundit në Vjenë, që do të mbahet gjatë tri ditëve të para të javës së ardhshme. Zëdhënësi Skënder Hyseni tha se ekipi është i përgatitur për çfarëdo lloj presionesh që mund t’i bëhet nga treshja, por ai tha se nuk do të pranohet asgjë më pak se pavarësi për Kosovën.
Ekipi i Unitetit do të udhëtojë të dielën për në Vjenë, për të marrë pjesë në takimin e fundit me treshen dhe me palën serbe, në kuadër të bisedimeve shtesë për statusin e Kosovës. Takimi do të mbahet në Baden, 20 kilometra larg Vjenës dhe do të zgjasë prej 26 deri më 28 nëntor. Ky pritet të jetë takimi më i vështirë gjatë gjithë procesit të bisedimeve shtesë.
Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit Skënder Hyseni tha sot se pala kosovare nuk do të pranojë asgjë më pak se pavarësi për Kosovën.
“Sa në përket ne, çdo marrëveshje që nënkupton çfarëdo qoftë më pak se pavarësi, është e pamundshme dhe e paarritshme. Çdo gjë që nënkupton ndonjë lidhje strukturore, qoftë edhe minimale, me Serbinë, për ne është e papranueshme”, tha Hyseni.
Nuk është e lehtë të shkosh në takime kur e ke të qartë epilogun paraprakisht, tha Hyseni, duke shprehur bindjen se nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje, as në takimin e fundit. Megjithatë, ai tha se Ekipi i Unitetit është i përgatitur të përballet me çfarëdo presione të mundshme.
“Nuk presim që do të ketë presione të veçanta nga ato që kanë qenë deri tash. Ekipi i Unitetit është krejtësisht i përgatitur që të përballet me çfarëdo situate që mund të dalë gjatë këtij takimi të fundit negociator në Vjenë. Ne nuk presim që do të ketë asgjë që do ta dallojë këtë takim nga takimet paraprake”.
Në qoftë se treshja ndërmjetësuese do të konstatojë dështimin e bisedimeve në fund të këtij procesi, atëherë fajtor për këtë është Beogradi, i cili nuk ka dashur të bashkëpunojë për asnjë çështje, vlerësoi Hyseni.
“Nëse treshja do të konstatojë që ky proces shtesë negociator ka dështuar ne besojmë fuqishëm, ky konstatim do të jetë, se shkaktar për këtë ka qenë Beogradi. Beogradi jo që nuk ka dhënë shenja më të vogla që mund ta bëjë këtë, por ai ka përjashtuar çdo sugjerim bashkëkohor, qoftë edhe njerëzor, për shembull për çështjen e të pagjeturve”, tha Hyseni.
Ai theksoi se nuk do të ketë zvarritje të tjera pas 10 dhjetorit dhe se Ekipi i Unitetit tashmë e ka bërë të qartë se pas kësaj date, shumë shpejt do të marrë vendimin e duhur për Kosovën.
“Pas 10 dhjetorit do të merren vendimet e duhura. Dhe hapi i parë që duhet bërë është shpallja e pavarësisë dhe kërkesa zyrtare për njohjen zyrtare të saj. Ne nuk do të nxitojmë të paragjykojmë, ose të përjashtojmë këtë apo atë mundësi. Kosova është shumë e përkushtuar që çdo veprim të vetin ta koordinojë me faktorët vendimtarë ndërkombëtarë, përkrahës të pavarësisë së Kosovës, sipas rekomandimeve të Ahtisarit”, tha Hyseni.
Hyseni tha se vendimi për shpalljen e pavarësisë mund të merret qoftë edhe nëse nuk do të ketë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, e që do të ishte zgjidhja më e lehtë.
Gjatë tri ditëve në Baden të Austrisë do të zhvillohen disa takime në dypalëshe, të treshes me palët negociuese dhe në fund janë paraparë edhe dy takime trepalëshe, pra në mes të treshes, delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Kosova do të prezantojë edhe një herë vizionin e saj për të bashkëpunuar me Serbinë si dy shtetet të pavarura, dhe i ka hedhur poshtë tashmë të gjitha modelet e propozuara nga Serbia, të cila e përjashtojnë pavarësinë e Kosovës. /rtk/
Shtuar më 23/11/2007, ora 23:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori