Ekipi i Unitetit nuk pranon bisedime tjera pas 10 dhjetorit
Albeu.com
Ekipi i Unitetit nuk pranon bisedime tjera pas 10 dhjetorit dhe është i bindur se ky proces shtesë do të përfundojë me pavarësinë e Kosovës. Ekipi thotë se është i përgatitur edhe për takimin e radhës me palën serbe, që mbahet të hënën në Vjenë.Në agjendë janë paraparë tri takime: fillimisht dy takime të ndara të treshes me palët negociuese dhe takimi i tretë do të jetë trepalësh.
Ekipi i Unitetit beson se dokumenti i Treshes që do t’i prezantohet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së më 10 dhjetor, vetëm sa do ta përforcojë propozimin e Ahisarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ekipi shkon i përgatitur edhe në takimin e radhës me Treshen dhe me palën serbe, të hënën në Vjenë, i bindur se ky proces i bisedimeve shtesë do të përmbyllet me 10 dhjetor. Zëdhënësi Skënder Hyseni hodhi poshtë mundësinë e një raundi të ri bisedimesh edhe pas 10 dhjetorit.
“Kosova është e gatshme t’i vazhdojë bisedat deri më 10 dhjetor në çfarë do rrethana, sepse është në interes të saj. Kosova nuk ka frikë nga bisedat shtesë, Kosova dhe Ekipi i Unitetit janë të vendosur që nuk ka biseda pas 10 dhjetorit. Deri atëherë Kosova është e gatshme, e përgatitur dhe palë shumë serioze dhe në mënyrë jetike është e interesuar që këtë proces më 10 dhjetor ashtu siç duhet”, tha Hyseni.
Në agjendën e ditës së hënë në Vjenë janë paraparë tri takime. Fillimisht do të zhvillohen dy takime të ndara të treshes me palët negociuese dhe takimi i tretë do të jetë trepalësh. Në këtë takim është paraparë të zhvillohet edhe një debat për zhvillimet rreth statusit, prej fillimit të misionit të treshes.
Por, zëdhënësi Hyseni nuk saktësoi se për çfarë më konkretisht do të përqendrohet debati i së hënës, edhe pse ka disa paralajmërime se mund të preken pika të ndjeshme.
“Ekipi të Unitetit nuk i janë prezantuar kurrfarë pikash zyrtarisht. Natyrisht është në pushtetin e plotë të Treshës të nxjerrë përfundime dhe konkluzione të caktuara, derisa i dëgjon dy palët”, theksoi Hyseni.
Në qoftë se misioni i treshes përfundon pa rezultat, atëherë faktorë ndërkombëtarë do të kërkojnë fuqizimin e pakos së Ahtisarit, si zgjidhje e vetme. Por, ajo që mbetet e paqartë është faza 120 ditëshe e tranzicionit, e cila parashihet në pakon e Ahtisarit dhe pasojat që mund të ketë kjo në kohën e pavarësimit të Kosovës. Zëdhënësi Hyseni këtë e shpjegoi me të panjohurat e procesit, duke lënë, megjithatë, hapësirë në kohë.
“Ky proces është dizajnuar që Kosovën ta zgjidhë si problem politik, ky proces që në fillim është dizajnuar që ta zgjidhë statusin e Kosovës njëherë e mirë dhe ky proces Kosovën do ta çojë në pavarësi”, tha Hyseni.
Ekipi Negociator i Kosovës do të shkojë të dielën në Paris me ftesë të ministrit të jashtëm Bernard Kushner. Prej Parisit, ekipi do të udhëtojë për në Vjenë për takimin e së hënës me palën serbe dhe me treshen ndërmjetësuese. Takimi tjetër i palëve negociuese është paralajmëruar për 5 nëntor. rtk
Shtuar më 20/10/2007, ora 00:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori