E FUNDIT/ Një plumb në kokë, vdes 26 vjeçari
EDITORIAL / Kur në spital para mjekut takon sekserin e funeraleve!
nga Idaver Sherifi*

Videoja skandaloze e ngacmimit seksual të një vajze të shtrirë në urgjencën e spitalit publik e publikuar disa ditë më parë në rrjetet sociale, na ka risjellë në vëmendje disa problematika të spitaleve tona që të gjithë i dimë por që harrohen mes shumë problemeve të tjera me të cilat ballafaqohemi çdo ditë.

Kjo video na kujton shumë gjëra në lidhje me spitalet, shumë ... por për të mos u hallakatur do merrem vetëm me njërën prej tyre.

Bazuar edhe në deklaratën e personit të parë të arrestuar në lidhje me skandalin, i cili sipas deklaratës së tij dhënë policisë duket se ka qenë në vendin e ngjarjes për "shkak të detyrës", kuptohet qartë se ndryshe nga e gjithë bota ku në hyrje të urgjencës të pret minimalisht një infermier dhe një punonjës i forcave të rendit për të verifikuar rastet e veprave penale; në spitalet tona, i pari që të dëshiron "mirëseardhje" është punonjësi (lexo sekseri) i funeralit që gjendet përballë spitalit, i cilit bën "kontrollin" e parë të pacientëve që futen në spital. Ai të "diagnostifikon" nëse je për ta apo mund të të bëj derman edhe mjeku.

Me siguri i keni parë dyqanet e shumta të funeraleve para hyrjeve të spitaleve në Tiranë. Nuk besoj se ka njeri në këtë vend që të mos ketë dëgjuar edhe për imoralitetin e këtij sektori shumë fitimprurës, piramidën e kthyer mbrapsht të përfitimit, ku mjekët dhe agjencitë përfitojnë nga fatkeqësitë e familjeve.

Në fakt, i dinë të gjithë por si thotë askush marrëveshjet që agjencitë funerale kanë me mjekët dhe infermierët e spitaleve, të cilët për të marrë pjesën e vet të "hallvës" nga familja e të shkretit që ka mbyllur defterin e kësaj bote, futen në garë me njëri-tjetrin për të telefonuar i pari agjencinë funerale për vdekjet e sapondodhura në spitale.

E familjarët e shkretë, të hidhëruar nga dhimbja e humbjes së njerëzve të tyre të dashur, çfarë mund të bëjnë tjetër përveç pranimit të shërbimit me çmim të kripur, i cili ofrohet në brendi të spitalit nga njerëz që nuk kanë lidhje me spitalin. Në atë moment, askush nuk mendon për çmimin e as për gjakëpirësit që përfitojnë nga tragjeditë, veçse t’ia bëjë nderin e fundit familjarit i cili largohet përjetësisht nga kjo botë, e t'i thonë një "vafsh në djall" përfituesve nga fatkeqësitë e të tjerëve.

Po shteti, s'ka kurrëfarë faji në këtë histori?! Ka që çke me të, por ai është i zënë për momentin sepse po "rilind" ... /albeu.com/

*Kryeredaktor i Portalit Albeu
Shtuar më 06/01/2015, ora 11:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori