Editorial: Bossi, antiemigranti me diplomë ekstrakomunitare

Djali i liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, është diplomuar në Universitetin Kristal. Të paktën kështu duket nga diploma e tij.
Renzo Bossi është djali i Umberto Bossit, kreut të partisë radikale "Lega Nord". Daljet publike të këtij personazhi, mënyra e sjelljes dhe e artikulimit, gafat e herepashershme kanë bërë që ai të jetë objekt humori dhe talljesh në Itali, shkruan Portali Albeu.com.

Pavarësisht kësaj, me faktin e publikuar sot, rezulton se ai është në Shqipëri një student ekselent me nota 9 apo 10-ta. Përtej mospërputhjes mes notave të larta dhe faktit se personazhi në fjalë duhet të ketë folur gjuhën shqipe për të marrë diplomën në fjalë, ajo që ka shkaktuar më shumë bujë është vendi se ku është marrë kjo diplomë.

Një ditë më parë ai deklaroi se do të tërhiqet nga politika dhe do të merret me punë të rëndomta, mbase duke punuar si murator apo si bujk, duke i paraprirë fatit politik të lidhur në mënyrë direkte me të atin, tashmë të dyshuar për përfshirje në afera mafioze.

Fakti i dalë sot në media fakton domosdoshmërinë e kësaj tërheqjeje, por nga ana tjetër, dëmton ndjeshëm babain e tij biologjik dhe politik Umberto Bossi që ka premtuar se do të rikthehet në krye të partisë radikale.

Partia Lega Nord njihet si një parti kundër emigrantëve, përfshirë edhe emigrantëve shqiptarë. Mjafton të kujtojmë faktin se Irene Piveti, kryeparlamentare e Italisë dhe deputete e Lega Nord shkoi më tej në racizmin e saj ndaj emigrantëve, duke thënë për shqiptarët "buttiamoli al mare(t’i hedhim në det)", një shprehje për të cilën shfaqi pendesë 15 vite më vonë.

Fakti që djali i kreut të partisë që kundërshton ekstrakomunitarët ka marrë një diplomë në Shqipëri është pritur në mediumet italiane sërish me batuta saktëstike ku mbizotëron titulli “Bossi me diplomë ekstrakomunitare”. /albeu.com/
Shtuar më 03/05/2012, ora 22:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori