Edi Rama dhe Shkëlzen Berisha në iftarin e Myftinisë së Tiranës (FOTO LAJM)

Edi Rama dhe Shkëlzen Berisha në iftarin e Myftinisë së Tiranës
Myftinia e Tiranës ka shtruar mbrëmjen e djeshme një iftar, ku morën pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, përfaqësues të komuniteteve fetare, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, myftinj e teologë si dhe emra të njohur të jetës së kryeqytetit.

Por, padyshim befasia e darkës ka qenë pjesëmarrja e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka kohë që përveç vizitave protokollare me rastin e Bajramit, nuk merrte pjesë në aktivitete të KMSH-së si dhe djali i kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, i cili për herë të parë merr pjesë në një aktivitet ku është edhe Rama.

“Më lejoni të adresoj një urim të veçantë për agjëruesit, për ata që i referohen kësaj periudhe të veçantë kohe. Zoti ua lehtësoftë agjërimin dhe u dhënë forcë për ta përmbushur sa më lehtë këtë sakrificë sublime”, u shpreh lideri socialist, Edi Rama, duke përshëndetur të pranishmit.

Më pas, kreu i opozitës u ndal edhe në bashkëjetesën harmonike që karakterizon shqiptarët si popull.

“Ne kemi një pasuri të madhe – harmoninë fetare, të cilën kemi detyrë ta ruajmë dhe t’ua transmetojmë edhe brezave të tjerë”, u shpreh z. Rama.

Myftiu Ylli Gurra, pasi falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit për përgjigjen e ftesës, theksoi se Ramazani përveçse një ndalesë për pastrimin e shpirtit dhe forcimin e besimit të njeriut, është një moment ku manifestohen dhe marrin trajtë të mirëfilltë vlerat e larta morale njerëzore.

Ministri Aldo Bumçi në përshëndetjen e tij uroi besimtarët myslimanë për këtë muaj të bekuar. Ai theksoi se, në këtë muaj ndihet më tepër prania e Zotit, njerëzit afrohen më shumë me njëri-tjetrin, sepse ajo që i vë në lëvizje është dashuria dhe respekti për besimin dhe virtytet e larta njerëzore. “Shpresoj që ky muaj të frymëzojë sa më shumë vlera të larta dhe të ndikojë pozitivisht në jetën e besimtarëve dhe të mbarë shoqërisë shqiptare”, u shpreh z. Bumçi.

Në fund, myftiu Ylli Gurra falënderoi edhe një herë të ftuarit dhe iu lut Zotit për mirësi dhe begati për ta dhe familjarët e tyre dhe për mbarësinë e shoqërisë shqiptare dhe mbarë popullit tonë. /albeu.com/
Shtuar më 01/08/2012, ora 18:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori