Edi Rama drejt Brukselit, informon Fylen
Pëlqej
Kryetari i PS-së, Edi Rama
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama do të niset nesër drejt Brukselit, për të zhvilluar një takim me komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle. Burime zyrtare nga selia rozë thanë se në këtë takim Rama do të informojë Fylen lidhur me përpjekjet e opozitës për zhbllokimin e ngërçit politik në vend, si dhe me vendimin për të rifilluar protestat për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Bëhet e ditur gjithashtu se kryesocialisti do ta falenderojë Fylen edhe për qëndrimin që ai shprehu lidhur me propozimin që opozita i bëri maxhorancës për hetimin, tashmë vetëm të materialeve zgjedhore dhe jo më të fletëve të votimit. Pak ditë më parë, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Fyle e përshëndeti këtë propozim të Partisë Socialiste.

Në një deklaratë për shtyp në Bruksel, zëdhënësja e Fyles, Angela Filote u shpreh në emër të komisionerit se: “jemi në dijeni të këtij zhvillimi të ri. Komisioneri Fuele mirëpret tryezat e reformës zgjedhore dhe iniciativën e Partisë Socialiste dhe shpresojmë që oferta të mos humbasë dhe maxhoranca dhe opozita të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund krizës, që ka penguar deri më tani Shqipërinë të arrijë objektivin e saj”, - tha zëdhënësja Filote.
Shtuar më 17/11/2010, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori