Edhe SHPK kundërshton Zanierin
Albeu.com
Paralelizimi i hierarkisë komanduese brenda Policisë së Kosovës do të shkaktonte probleme operative, ndërsa i tërë procesi transitor në polici do kthehej në pikën fillestare.Kështu deklaroi për ALSAT, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, duke e vlerësuar si jofunksionale idenë e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, për krijimin e një policie serbe më zinxhir autonom komandues brenda Policisë së Kosovës.

"Nëse ne kemi të bëjmë me paralelizëm, do të thotë me qarkullim të ndryshëm të informatave për një strukturë hierarkike komanduese tjetër, ashtu siç është për shëmbull regjioni i Mitrovicës ku komandanti rajonal është ndërkombëtar dhe çdo informatë që na vjen nga pjesa veriore e Kosovës vijnë dhe shkojnë poshtë përmes tij, me siguri që në pjesën tjetër të Kosovës kjo do të krijonte probleme operative dhe do të ishte një hap prapa", tha zëdhënësi i SHPK-së Veton Elshani.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zannier, ditë më parë kishte deklaruar se UNMIK po shikon mundësinë për formimin e një policie serbe brenda Polocisë së Kosovës që do të vepronte me një autonomi speciale. Ndërkohë, ideja për gjetjen e një moduli të këtij lloji për zgjidhjen e problemit të policisë në Kosovë përmendet edhe në letrën e Sekretarit gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, drejtuar Presidentit serb Boris Tadiq, ku thuhet "Shërbimi Policor i Kosovës që vepron në zonat me shumicë serbe duhet t'i raportojë policisë ndërkombëtare nën autoritetin e plotë të përfaqësuesit tim të posaçëm".
Shtuar më 04/08/2008, ora 06:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori