Edhe njëherë mbi shqipen standarde
Pëlqej
Albeu.com
Rexhep Meidani Kohët e fundit nuk kanë munguar disa shqe-tësime të shprehur në media mbi gjuhën standarde dhe përdorimin e saj. Natyrisht në shumicën e tyre ato pasqyrojnë dhe një realitet që kërkon një evoluim të ri të gjuhës shqipe dhe “hollim” të mëtejshëm shkencor të saj, për të përfshirë dhe elementë të tjerë të rëndësishëm nga pasuria gjuhësore e gegërishtes. Por në asnjë mënyrë “goditje frontale” të shqipes standarde! Realiteti politik shumëpolësh i kombit shqiptar, shtrirja e tij kryesore në katër organizime të ndryshme shtetërore-administrative nuk mund të shërbejë si përligjje e “ fleksibilitetit të normave të standardit”, bile përkundrazi.Për më tepër ky fleksibilitet normash, i “përkthyer” në “ekstrapolimin” e tij, si një mohim i standardit, mund të krijojë dhe do të krijojë detyrimisht shqetësime serioze jo vetëm në Kosovë, por, për më tepër, tek shqiptarët e Maqedonisë në përpjekjet e tyre për konsolidimin e shqipes si gjuhë e dytë zyrtare, ata të Malit të Zi, pse jo dhe në diasporë. Kjo është një arsye më shumë që mjaft studiues mendojnë se kahja e zhvillimit të shqipes standarde duhet të jetë drejt konvergjencës e jo drejt zhvillimeve divergjente, në pritje të një konvergjence të re në të ardhmen. Në këtë optikë, është krejtësisht e natyrshme që gjuha standarde të jetë gjuha unike e administratës shtetërore, gjuha e institucioneve zyrtare, e shkollimit dhe e formulimit të lëndëve në kuadër të tij, ndërsa nuk mund të mohohet që në një veprimtari letrare individuale asnjë nuk është i ndaluar të përdorë dhe idioma e dialekte, deri “variante”, natyrisht, sipas parapëlqimit të tij…
Gjuha si mjet komunikimi e unifikimi
Me anë të gjuhës, si mjet universal komunikimi midis njerëzve, mund të transferohet e të ruhet në kohë informacioni, por dhe mund të transmetohen në mënyrë të unifikuar mendime, ndjenja, qëllime ose objektiva të caktuara. Vetë gjuha u krijon kështu mundësi njerëzve të komunikojnë shumë mirë dhe të ndërveprojnë me njeri tjetrin, në hapësirë dhe kohë. Si e tillë, ajo përbën një sistem njësues korrelimi, me një kapacitet të lartë evoluimi praktik mbi bazën e “seleksionimit natyror” dhe përzgjedhjes shkencore. Nga njera anë, kjo dialektikë zhvillimi, në periudha mjaft të gjata kohore, ka mbartur tiparet e një lidhjeje të tipit të “çiftëzimit të kundërt”, ndërsa, nga ana tjetër, në një evolucion afatshkurtër të gjuhës pasqyrohen normalisht dhe dy aspekte të kombinuara, të karakterizuara nga vazhdimësia e transformimi. Ato, në një proces gradualisht të ndryshueshëm, janë të lidhura ngushtë edhe me vetë procesin e evoluimit të sistemit social, gjë që nënkupton dhe një fazë relative tranzitimi. Pra, vetë evolucioni i gjuhës është sa një proces kolektiv me bazë adaptuese shoqërore, po aq dhe më grupor e i specializuar me bazë përgjithësuese dhe përmbajtje shkencore. Ndryshe mund të pohohet se ky proces nënkupton sa përzgjedhjen natyrore, po aq dhe paraadaptimin potencial të gjuhës, me objektiva njësues brenda një grupi të rëndësishëm siç është kombi. Për qëllime të caktuara, mund të lindin apo të “shpiken” edhe “mode” mikrofunksionale të vendosura në kontekste mjaft specifike. Megjithatë, në shumicën e rasteve këto të fundit janë relativisht problematike, shumë shpesh të dëmshme, me përjashtim të rasteve kur ato konsiderohen e studiohen vetëm si pjesë të një faze kalimtare drejt fazës moderne linguistike. Parë nën këtë optikë përgjithësuese duken si mjaft problematike edhe disa teza të hedhura për një goditje mbi baza politike të shqipes standarde apo për krijimin e ndonjë varianti të ri gjuhësor, p.sh. të gjuhës kosovare. Aq më i pakuptimtë bëhet një “investim” i tillë kur bëhet fjalë thjesht për dialekte. Madje nuk ka asnjë arsye që një dialekt të ngrihet në një nivel gjuhe. Përkundrazi ai duhet të “shkrihet” me dialektet e tjerë në formimin e gjuhës kombëtare. Pak a shumë i tillë, me një “epërsi letrare” fillestare të toskërishtes ndaj gegërishtes, ka qenë dhe evolucioni i gjuhës standarde shqipe, që në kushtet e sotme të hapjes, lirisë e komunikimit masiv në hapësirat shqiptare mund dhe duhet të gjejë pasurime të reja nga gegërishtja...
Gjithashtu, krahas prejardhjes së përbashkët, gjuha shqipe, pavarësisht veçorive dialektore, ka qenë themelore e karakteristike për identitetin kombëtar shqiptar, për mbijetesën e tij në shekuj gjatë pushtimeve të ndryshme, apo dhe pas ndarjes së padrejtë të popullit shqiptar në disa organizime shtetërore.
Madje sipas Fishtës gjuha ka qenë përcaktuese për kombin shqiptar edhe për faktin që kjo gjuhë nuk flitej nga ndonjë popull tjetër. Për më tepër, në analizën e Fishtës “gjuha imponohet (tatohet) ose me forcë të armëve ose me forcë të kulturës e të qytetërimit...Shqiptari s’ka qenë më i fortë se popujt, që ka fqinjë (përbri). Prandaj s’ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare; dhe se për këtë arsye shteti shqiptar do të duhet të shtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe”. ( Konkretisht, sipas botimit: Gjergj Fishta, Shqiptarët dhe të drejtat e tyne, përgatitur nga T. Çobani, Lisitan, Lezhë 1998, lidhur me këtë çështje, në mënyrë shumë më të plotë pohohet: “ Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten, qi, (tue lanë më njan’anë transformimet e natyrshme të elementave, të cilave s’i shpëton kurrnji gjuhë), kurrfaret s’mund të unjizohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, slave a helenike, perposë se ku të përpiqet me to në rrajë të përbashkme indo-gjermane.
Prej këtej pra rrjedhë, qi të gjithë njata qi flasin ketë gjuhë, kanë nji kombësi krejt mbë vedi e të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Evropës. Pse nuk ta merr mendja, qi nji tjeter popull i gjallë i Evropës t’ia ketë tatue shqiptarit nji gjuhë, qi as ai vetë as ndonji tjeter popull evropjan mos ta ketë folë. Nji gjuhë e vdekun nuk i tatohet nji populli mbarë.
Por as populli shqiptar s’ka mujtë me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet a me forcë të armëve a me forcë të kulturës e të qytetnisë. Por, si prej njane si prej tjetres pikëpamje shqiptari s’ka kenë ma i forte se popujt, qi ka perbri. Prandej s’ka si mohohet, se të gjithë njata qi flasin shqip, janë kombësijet shqiptare; e se për këtë arsye shteti shqiptar do të pershtrihet gjeografikisht der ku perfshin gjuha shqipe”).
Por, në sajë të ndikimeve tradicionale e ndarjes së “zonave të influencës”, interesave gjeostrategjike apo “pazarllëqeve” të të mëdhenjve Fishta dhe shqiptarët përjetuan të kundërtën: copëzimin. Megjithatë, edhe nën këtë padrejtësi të madhe historike, që ka vonuar apo penguar organizimin shtetëror modern të shqiptarëve, kombi shqiptar është formësuar e konsoliduar shumë më parë njohjes së shtetit në një pjesë të territorit të tij. Sidoqoftë, pa vazhduar më tej me argumente të karakterit historiko-kombëtar dhe për të mënjanuar keqkuptimet e “luftarakëve” apo “militantëve” të pikëpamjeve të kundërta po trajtojmë më poshtë vetëm një shembull, pikërisht atë me të cilën ndeshet Zvicra sot.
Shembulli i freskët i Zvicrës
Zvicra nga pikëpamja gjuhësore është e ndarë midis gjuhës franceze, italiane, gjermane dhe disa gjuhëve të tjera. Nga pikëpamja territoriale ajo është e ndarë në kantone me disa diferenca historike, kulturore, ekonomike dhe fetare. Megjithatë ky vend konsiderohet si një nga shtetet-kombe (!) më të stabilizuara në Europë. Edhe pse i rrethuar nga kombe shumë më të fuqishme, ky vend ka ditur të ruajë neutralitetin dhe pavarësinë e tij. Me të drejtë mund të shtrohen pyetjet pasuese: Cili është në këtë rast burimi i identitetit kombëtar? Si është arritur mbijetesa e tij? Apo më tej, a mund të klasifikohet realisht Zvicra si një shtet komb? Për më tepër që zviceranët nuk e përcaktojnë dhe nuk mund ta përcaktojnë kulturën e tyre kombëtare nëpërmjet gjuhës. Pra, ndërgjegjja kombëtare zvicerane, nuk lidhet me gjuhën; ajo derivohet nga diçka krejt tjetër. Ka shumë mundësi që zgjidhja e adoptuar në Zvicër ka krijuar në një mënyrë mjaft efektive një “identitet zviceran”, mjaft të rregulluar e të disiplinuar në disa nga synimet kryesore, ndërkohë që u njihet plotësisht e drejta grupeve të ndryshme gjuhësore të zhvillohen në mënyrë të pavarur e të veçuar. Kjo nënkupton se identiteti zviceran, edhe pse me bazë të brishtë të origjinës, sidomos në rrafshin gjuhësor, është më tepër rezultat i një ndërtimi historik vullnetar, në shërbim të individit dhe të bashkësisë; por ai mund të shfaqet relativisht vunerabël në lëvizjet drejt një afërsie më të madhe me BE-në. Për ilustrim le të marrim rastin e dialektit të gjermanishtes të përdorur në kantonet “gjermanisht”-folëse. Sipas H. Simonian, për vizitorët nga Gjermania schëyzerduutsch apo gjermanishtja zvicerane nuk rezulton si një gjermanishte me një theks më të fortë dhe me disa fjalë të rastit të përdorimit vendor, si diçka e ngjashme që vihet re p.sh. në anglishten e folur në Glasgou apo në frëngjishten në zonën qendrore të Francës, por si një gjuhë virtualisht e pakuptueshme. Për banorët e Zvicrës në pjesën gjermanike, kjo shihet si një çështje krenarie dhe njëkohësisht diferencimi prej fqinjëve veriorë. Madje ata e konsiderojnë gjuhën si një nga elementët kryesorë të dallimit parimor, duke pretenduar që e kanë origjinën në tribu “allemanike” dhe jo gjermanike. Por pavarësisht argumentave historikë apo filologjikë, schëyzerduutsch po bëhet një problem gjithnjë e më serioz për praktikuesit e saj. Në të vërtetë, fuqizimi i përdorimit të kësaj gjuhe (më saktë të dialektit vendor), si një veçori dalluese lokale, pati një mbështetje të fortë politike rreth viteve 1970-të me synimin për të nxitur gjallërimin e këtij dialekti apo për të penguar “vdekjen” e tij. Por më tej zhvillimi i mediave private të emetuara në këtë dialekt e thelloi tej “kufijve” të dëshiruar këtë “prirje politike”, aq sa nga një studim ndërkombëtar të OECD-së, të vitit 2000, doli se shkollat zvicerane, në të cilat mësimi zhvillohej në këtë gjuhë apo dialekt, rezultonin me një cilësi mbi mesataren në shkencat natyrore dhe matematikë, por ishin mjaft dobët në lexim e gjuhë. Kjo nxiti autoritetet ta rikonsideronin seriozisht këtë situatë të re. Kështu, sot, sipas një raporti të fundit të autoriteteve të edukimit të kantonit të Zyrihut rezulton se përdorimi i kësaj gjuhe po krijon shqetësime serioze si për sa i përket formimit akademik të studentëve, ashtu dhe për mundësitë e punësimit të tyre. E njëjta gjë është konstatuar dhe në kantonet e tjera “gjermanisht”-folëse. Kjo situatë ka shtyrë autoritetet të planifikojnë, madje të detyrojnë përdorimin e “gjermanishtes së lartë” (apo të gjermanishtes standarde) në procesin e edukimit. Ndërkohë që disa nga rregullat e planifikuara po vihen në zbatim, për një shtrirje shumë më efektive të gjermanishtes standarde nevojitet dhe organizimi i një referendumi në kantonet përkatëse. Gradualisht, pavarësisht “lojës” me krenarinë, po kuptohet qartë se edukimi nëpërmjet përdorimit të këtij dialekti, krahas pengesave të krijuara në tregun ndërkombëtar të punës, ka prodhuar dhe jo pak barriera shqetësuese edhe në vetë procesin e integrimit social, aq të domosdoshëm në një Zvicër shumë gjuhësore. (Haig Simonian, Swiss authorities sëalloë their pride by enforcing high German in schools, Finacial Times, 12-13 March 2005).
Dhe ky shembull është mjaft kuptimplotë. Ai nuk flet pak për ne shqiptarët, apo për dëshirat tona “eksperimentuese”, aq më shumë po të kihen parasysh dhe kapacitetet e ulëta financiare në territoret e banuar prej nesh
Gazeta Panorama
Shtuar më 18/03/2005, ora 22:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori