Edhe Ministria e Drejtesise nen thjerren e EULEX-it
Albeu.com
Thjerra e hetuesve dhe prokurorëve të misionit EULEX nuk është përqendruar vetëm në Ministrinë e Transportit dhe te ministri Fatmir Limaj, por sipas gazetës Zëri, njëra nga ministritë tjera që po hetohet, është edhe ajo e Drejtësisë.E udhëhequr deri para dy muajve nga Nekibe Kelmendi, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të MD-së, sipas burimeve të gazetës, po hetohen për keqpërdorime brenda këtij dikasteri qeveritar.
Keqpërdorimet kanë të bëjnë me tenderë të kësaj ministrie, ndërsa nën thjerrë të prokurorisë, thuhet se janë zyrtarë të disa departamenteve brenda MD-së. Për disa nga ta, madje bëhet me dije se janë marrë në pyetje, ndonëse zyrtarisht këtë nuk e konfirmon ministri aktual Haki Demolli, por edhe zyrtarë nga EULEX-i. Këta të fundit madje as nuk e mohojnë, por kanë bërë me dije se hetimet aktuale nuk janë për publike.
Sipas Zërit, ministri Demolli thotë se nuk është informuar zyrtarisht nëse janë duke u bërë hetime në ministrinë që e udhëheq, por për shkak se ende nuk i njeh mirë punonjësit e MD-së dhe të kaluarën e tyre, ai ka kërkuar nga Agjencia Anti-Korrupsion që të marrë informata nëse zyrtarët e MD-së kanë dosje në këtë agjenci.
“Vërtet nuk kam asgjë zyrtare. Javën e kaluar kam pasur takimin me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, takim me kryeprokurorin, takim me kryetarin e Gjykatës Supreme dhe kryetarin i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Dhe njëra prej çështjeve që kam kërkuar nga drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion është që të informojë ministrinë për të punësuarit që gjenden në listat e tyre”, ka thënë Demolli.
Nga ana tjetër, edhe zyrtarë të EULEX-it të cilët, sipas burimeve të Zërit, po zhvillojnë hetime brenda MD-së, nuk kanë bërë me dije hetimet, por në anën tjetër edhe nuk kanë mohuar ato. "EULEX-i nuk mund të japë informata nëse një institucion apo individ është apo nuk është duke u hetuar. Konfidencialiteti është parim bazë i sundimit të ligjit, dhe dhënia e informatave do të dëmtonte hetimet, nëse ato janë duke u bërë”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Shtuar më 24/05/2010, ora 22:39
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori