Edhe këtë vit ofendime në tekstet shkollore maqedonase, përgjegjës është një ministër shqiptar
Nxënësit shqiptarë në Maqedoni edhe në vitin shkollor 2018/2019 do të vazhdojnë të mësojnë me tekste shkollore me gabime skandaloze dhe me përmbajtje ofenduese, edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës udhëhiqet nga shqiptarët.

Këtë vit u bënë tre vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e arsimit Maqedoni – Shqipëri, e kurse bëhen gjashtë vjet në vënien në përdorim të abetares së unifikuar shqiptare e cila ende nuk është e qasshme për shqiptarët e Maqedonisë.

Kumanovë: Urgjentisht të sigurohet Abetarja mbarëkombëtare

Edhe pse i pyetur në konferencën për media që e realizoi ditën e premte, ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi e tejkaloi pyetjen duke mos dhënë përgjigje në atë: Se çfarë ndodhi me abetaren e unfikuar shqiptare, pse nuk e kanë edhe shqiptarët e Maqedonisë?

Përndryshe, këtë vit bëhen tre vjet nga marrëveshja e arritur në sferën e arsimit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Edhe pse ka marrëveshje mes dy shteteve, abetare nuk ka, arsyet pse, nuk zbulohen nga ministria. Ndërkohë sa për informatë, janë bërë gjashtë vjet nga përdorimi i abetares së unifikuar shqiptare në Kosovë.

Përdorimi i abetares së unifikuar nga nxënësit shqiptarë të Maqedonisë paraprihej me ndryshim të ligjit të teksteve shkollore.

Shqiptarët do të vazhdojnë të ofendohen

Gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet do të vazhdojnë të jenë prezent edhe gjatë këtij viti të ri shkollor për nxënësit e shkollave fillore, edhe pse u ndryshuan tekstet në librat nga Kimia, Fizika, Matematika, Shkencat Natyrore dhe Biologjia,raporton portalb.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi

“Mendoj që pas kësaj faze të vazhdojmë edhe me tekstet tjera shkollore dhe të korrigjojmë të gjitha ato tekste shkollorë në të cilat konstatohen gabime apo lëshime qoftë në aspektin metodologjik teknik profesional apo gabime lëshime në aspektin e përkthimit dhe adaptimit. Kemi bërë një hap të rëndësishëm nuk do të ndalemi edhe më tutje. Sigurisht që të gjitha tekstet shkollore nuk duhet të nxisin urrejtje dhe tensione por përkundrazi duhet të na bashkojnë dhe unifikojnë”, tha ministri Ademi.

Mësimdhënësit, prindërit u ankuan shpesh herë për përmbajtjen, kualitetin si dhe mungesën e librave, mirëpo ankesa e tyre hasi në vesh të shurdhër për shumë vite. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, atë kohë si zgjidhje pa Marrëveshjen për të marrë libra nga Universiteti i Kembrixhit, projekt ky i cili u vlerësua si i dështuar.

Ndërkaq mësimdhënësit dhe prindërit ankohen se librat janë mjaft të vështirë dhe se kërkojnë punën praktike, kurse në Maqedoni sidomos tek paralelet shqipe numri i nxënësve në një klasë është tejet i madh për të punuar në këtë mënyrë.

Nga ana tjetër Iniciativat e Ministrisë së arsimit, për evidentimin dhe përmirësimin e gabimeve në tekstet shkollore , për Lidhjen e arsimtarëve shqiptarë, janë të pa mjaftueshme. Arsimit shqip i nevojiten komplet tekste të reja dhe strategji e re arsimore, sepse strategjia e mëparshme nuk ka treguar rezultat.

Kurse sa i përket unifikimit të teksteve shkollore, edhe pse tani më një kohë u nënshkrua Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze.
Shtuar më 02/09/2018, ora 09:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori