Edhe këshilltari i Ramës Fate Velaj, me diplomë "Kristal-i" pa asnjë ditë mësim
Këshilltari i Kryeministrit Rama për diplomacinë kulturore dhe rilindjen europiane Fate Velaj pretendon që të jetë një njeri me dy diploma universitare.

Nga këto dy diploma, njërën supozohet që ta ketë marrë në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vienë në vitin 2006, për “art dhe menaxhim kulturor”.

Sa për diplomën e dytë, nuk mund të them supozohet ta ketë marrë, se në letër e ka marrë vërtet në vitin 2011, në të ashtuquajturin Universitet “Kristal”, Tiranë, i njohur si një butik famëkeq për shitje diplomash dhe gradash shkencore.

I ashtuquajturi Universitet “Kristal” u bë i njohur ndërkombëtarisht pëe një skandal para dy viteve për shkak se atje kishte blerë një diplomë pa shkelur asnjë ditë në Shqipëri djali i një politikani të njohur Italian, kryetarit të Partisë Lega Nord, Umberto Bossi-t.

Në të vërtetë, diploma që Fate Velaj ka marrë në Universitetin “Kristal” na e tregon kristal të qartë të vërtetën mbi personin e Fate Velajt.

Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri ka detyrimin që të nisë një hetimin mbi diplomimin e Fate Velajt për shkak se në datat kur Fate Velaj supozohet të ketë qenë duke dhënë provime në Tiranë, ai nuk ka qenë fare në Shqipëri, madje, duke qenë se Fatja në këtë rast tradhtohet nga agjenda e tij e ngarkuar europiane, mund të vërtetohet fare lehtë se Fatja në ditët e provimeve ka qenë gjithandej nëpër Europë apo në botë, me përjashtim të Shqipërisë.

Prokuroria ka detyrimin që të bëjë në rastin e Fate Velajt atë që bëri kur nga Italia erdhi lajmi se djali i Bossit kishte diplomuar në Shqipëri. Në atë kohë, Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri e quajti si apriori të dyshimtë diplomimin e djalit të Bossit dhe nisi një hetim. Në rastin e Fate Velajt, Prokuroria është shumë herë më tepër e detyruar të nisë një hetim se në rastin e djalit të Bossit.
Kjo për faktin se djali i Bossit nuk shpenzoi paratë e taksapaguesve shqiptarë, por të atyre italianë. Në rastin e Fate Velajt kemi të bëjmë me një njeri që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, si një zyrtar i lartë. Nëse Prokuroria do të hetonte mbi vendndodhjen e Fate Velajt në vitet 2007-2011 kur supozohet të ketë qenë student i Universitetit “Kristal” do të shikonte se në asnjë nga ditët kur supozohet të ketë dhënë provime ai nuk ka qenë në Shqipëri. Por mashtrimi i Fate Velajt në bashkëpunim me Universitetin “Kristal” është i dyfishtë. Prokuroria mund ta zbulojë lehtë edhe pjesën e dytë të mashtrimit, nëse heton se çfarë diploma të shkollës së mesme ka dorëzuar Fate Velaj kur nisi studimet në Universitetin “Kristal”.

Fate Velaj, i cili ka lindur ne 1963, e ka ndërprerë arsimin e rregullt ditën që në vitin 1978 përfundoi shkollën tetëvjeçare “Lef Sallata” në Vlorë. Pas kësaj nisi anabasi i Fates (anabas quhej në Antikitet një marshim që përfundonte në pikën që niste) me arsimmin fiktiv, që e ka zanafillën në shkollën profesionale dyvjeçare të rezervave të shtetit për elektricist, të cilën Fatja e përfundoi natën, domethën pa shkëputje nga puna. Ky anabas do të vazhdonte në Vienë, në Tiranë, në Universitetin “Kristal” e më pas duhet të përfundojë, sipas strategjisë akademike të Fates, që ende nuk është përmbushur, në Vlorë, në Universitetin “Ismail Qemali”, ku Fatja kërkon të bëhet Doctor “Honoris Causa”. (Edi Rama kërkon që ta bëjë Fate Velajn edhe anëtar të Akademisë së Shkencave, por kjo i mbetet së ardhmes) E me të vërtetë është shumë e çuditshme sesi Vlora nuk e ka nderuar ende këtë bir të shquar të saj që po çudit Europën dhe po nderohet nga e gjithë Europa?
Madje edhe këngën për Faten e ka bërë një rapsod vlonjat me origjinë nga Gjirokastra.

Diploma e shkollës dyvjecare të rezervave të shtetit për elektricist nuk vlen për të nisur studimet universitare, as në Shqipëri as në Austri, se për këtë qëllim duhet një diplomë shkolle të mesme katërvjeçare. Por Fatja as që nisi një shkollë të mesme katërvjeçare qoftë edhe për elektricist, se i ati i tij nuk mendonte se Fatja ishte në gjendje ta kryente atë.

I ati i Fates mendonte se i biri i tij mund të kryente e shumta shkollën dyvjeçare profesionale nga ku mund të dilte ndihmëselektricist dhe pas nja pesëmbëdhjetë viteve të bëhej elektricist me kategorinë e shtatë, siç thuhej në atë kohë. Fatja edhe këtë shkollë nuk e përfundoi dot ditën, por natën. Por bëmat e Fates i di mirë z. Mezan Malaj i cili në atë kohë ka qenë në Vlorë me detyra në Komitetin Ekzekutiv si nënkryetar e sekretar i Komitetit.

Me ato që di Mezani për Faten dhe me rëndësinë që ka Fatja për Edi Ramën, Mezani nëse do të kishte pasur natyrë tjetër, do të kishte siguruar mandatin e deputetit sa kohë është Edi Rama në politikë. Nejse. Duke qenë se është njëqind përqind e sigurt se Fate Velaj nuk ka një diplomë shkolle të mesme katërvjeçare, atëherë lind pyetja se me çfarë diplome të shkollës së mesme është regjistruar Fate VelajUniversitetin “Kristal”. Nëse Fate Velaj ka dorëzuar një diplomë të shkollës së mesme të marrë pas vitit 1990 atëherë ajo është e rreme, se Fatja nuk ka qenë nxënës në shkollë të mesme pas vitit 1990. Fatja nuk mund të thotë se ai e ka kryer një shkollë të mesme katërvjeçare në Vlorë para vitit 1990 se duhet të thotë në cilën shkollë ka qenë, në cilët vite, me cilët ka qenë në klasë. Njerëzit janë gjallë, janë dhe dokumentet.

I njëjti problem është edhe në rastin e regjistrimit të Fate VelajtUniversitetin e Arteve të Aplikuara në Vienë, për të cilin Fatja në një rast ka thënë se e ka përfunduar në vitin 2001 dhe në një rast tjetër thotë se e ka përfunduar në vitin 2006. Unë për të qenë i drejtë një shkrimin e mëparshëm për të vura datën më të hershme, në pritje që të publikohet një jetëshkrim zyrtar i Fates në faqen online të qeverisë.

Por tani që po analizoj më hollësisht shkollimin e kalorësit tonë, do të përdor datën e fundit që ai jep në website të tij personal, por që një njeri si Fatja nuk e ka për gjë ta mohojë nesër dhe të japë një datë tjetër, më të hershme, ose më të vonë, siç ka bërë me të gjitha të dhënat e tij personale. Nëse Fatja i ka përfunduar studimet universitare në Vienë në 2006, atëherë sipas asaj që pashë unë mbi degën ku supozohet të ketë diplomuar Fatja, ai duhet t’ i ketë nisur studimet në vitin 2002. Pra, në vitin 2002 Fatja duhet të ketë dorëzuar në Universitetin e Vienës një diplomë katërvjeçare të shkollës së mesme, të marrë në Shqipëri.

Fatja nuk e ka pasur një të tillë deri në 1991 kur u largua nga Shqipëria për në Austri, kjo gjë është absolutisht e sigurt. Që Fatja nuk është kthyer në Shqipëri si nxënës në ndonjë shkollë të mesme, qoftë si nxënës i rregullt, apo me korrespondencë, midis viteve 1991 dhe 2002, edhe kjo është absolutisht e sigurt. Atëherë çfarë diplome shqiptare ka dorëzuar FatjaUniversitetin e Vienës?

Duke qenë se Fate Velaj është mbajtës i shtetësisë austriake të nderit që nga viti 1999 (Të ketë qenë vallë arsyeja që kjo kokë e madhe europiane po mendonte të regjistrohej në universitet në Vienë, që iu bë ky nder?), si dhe i disa dekoratave të larta shtetërore austriake, si dhe duke qenë se Fatja ka përfituar shumë financime nga qeveria austriake për projektet e tij kulturore, atëherë është detyrimi i autoriteteve austriake që të sqarojnë çështjen e shkollimit të Fates në Austri. E thënë shkurt, autoritetet austriake kanë detyrim që të bëjnë në rastin e Fates atë që bënë autoritetet italiane në rastin e djalit të Umberto Bossi-t. Dhe nëse autoritetet austriake do ta bëjnë këtë gjë, atëherë do të vërtetohet mashtrimi i Fate Velajt i cili ka dorëzuar një diplomë të rreme të shkollës së mesme në Universitetin e Vienës.

Pastaj e gjithë Europa, e gjithë bota do të qeshë me Austrinë që u bë viktimë e një sharlatani rural ballkanas, si Fate Velaj. Europa ndoshta nuk do të ketë të drejtë të qeshë se kryetari i Komisionit Europian Barroso i ka akorduar Fate Velajt një titull të lartë të Bashkimit Europian. Pasi të jenë zbuluar të gjitha këto Austria dhe Shqipëria duhet të merren vesh mes tyre se ku do ta bëjë burgun në fillim Fatja, në Austri apo në Shqipëri, se veprimi i Fates dënohet me burg në të dy vendet. Dhe kur të ketë plasur skandali “Fategate” Presidenti i Austrisë z. Fischer, Kryetari i Komisionit Europian z. Barroso duhet të japin dorëheqjen dhe të shkojnë e të mbyllen në ndonjë klinikë psikiatrike nëse do të kenë sadopak dinjitet.

Nuk pres që këtë gjë ta bëjë Kryeministri Edi Rama se ai me këto klinika ka kryer punë që në rini dhe është larguar prej andej me diagnozën e butë se mund të quhet normal por sidoqoftë do një kohë të gjatë që të arrijë stabilitetin mendor dhe deri atëherë do të jetë i paparashikueshëm. Në pajtim me këtë u soll Rama ditën që do të merrte votëbesimin në Kuvend qeveria e tij dhe ai tha nga foltorja parlamentare: “Prisni se nuk keni parë gjë akoma”. Dhe pamë Fate Velajn.

Nëse skandali i Fates, apo Fategate, siç mund ta quajmë (fjala “gate” në këtë rast shkon mirë se bëhet fjalë për dyer universitare ku Fatja ka hyrë si mashtrues) do të ishte thjesht një ndodhi brenda kufijve të Shqipërisë, nuk do të kisha shpresë se do të sqarohej. Por mashtrimi i Fates i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe ka përmbytur Europën. Prandaj atë kanë detyrim që ta investigojnë vendet europiane ku ka pasur dhe ka veprimtarinë e tij Fatja, si dhe autoritetet e Bashkimit Europian në Bruksel. Këto hetime duhet t’ u japin përgjigje disa pyetjeve.

Njëra prej tyre është se, kur në vitin 2003 Fate Velajt iu dha në Kancelarinë (qeverinë) e Austrisë medalja “Bundesehrenzeichen” për merita të shquara ndaj Republikës së Austrisë, a mos u bë kjo për faktin që filomathi autodidakt Fate Velaj kishte nisur studimet një vit më parë në Universitetin e Vienës dhe qeveria austriake e quajti këtë një nder të madh që i bëhej Austrisë?

Domethënë se bota mësonte me admirim që Fate Velaj kishte zgjedhur pikërisht Vienën për të shkelur për herë të parë në një Universitet?

Se tjetër meritë të shquar e Fate Velajt ndaj Austrisë, po të përdor një frazë të dikurshme të Edi Ramës “nuk ka burrë nëne dhe bir kurve” që ta gjejë apo ta shpikë.

Rastësisht më ndodhi para disa ditësh, në një kafe luksoze të Tiranës të jem i ulur në një tryezë pranë tryezës ku ishte Fatja. Zëri i Fates mbisundonte dhe kështu dashur padashur u bërë për dy orë dëgjues i tij. Për dy orë ky personalitet i shquar i kulturës europiane nuk ka folur asnjë frazë të vetme për kulturën por foli vetëm për troje për ndërtim resortesh turistike në bregdetin e Vlorës, për pronarët e këtyre trojeve, për çmimin, për kostot e ndërtimit, për gjyqet e pronave që duhen mbyllur në favor të këtij apo të atij që të bëhen investime në troje të caktuara, për përqindje pronësie, për çmime shitjesh e qirash hotelesh, resortesh, restorantesh, për humbjet eventuale nga kursi i këmbimit të monedhave që nga momenti i blerjes së truallit deri në realizimin e investimit, per hotele e restorante qe duhen shembur per te evituar konkurencen, për përqindje kredish bankare, për gjithcka foli vetëm për kulturë jo.

I dinte Fatja këto çështje në mënyrë perfekte.
Nëse në vendin tim do të kishte qenë ndonjë njeri që nuk e njihte do të kishte menduar se Fatja ishte pronari i ndonjë agjencie pasurish të patundshme ose i një kompanie ndërtimi. Por askush nuk do ta merrte për një njeri të shquar të kulturës europiane dhe këshilltarin nr. 1 kulturor të Kryeministrit. /nga Kastriot Myftari/
Shtuar më 02/02/2014, ora 12:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori