Edhe Gjilani shkon ne rivotim per kryetar
Albeu.com
Pas komunës së Prizrenit e Lipjanit, në të cilat më 31 janar të këtij viti, u mbajt rundi i tretë i votimeve për kryetar të këtyre dy komunave, edhe Gjilanin e pret i njëjti fat.
Sic raporton Kohavisioni, vendimi për këtë është marrë nga Gjykata Supreme e Kosovës, ka thënë kandidati i PDK-së për Gjilanin, Qemail Mustafa, i cili e quan vendim të ndikuar politikisht. Ndërsa KQZ-ja, ndonëse nuk e bën publik vendimin, thotë se ky vendim nuk është i prerë.
Në vendimin e Gjykatës Supreme bëhet fjalë për rivotim në këtë komunë. Me të marrë lajmin se Gjykata Supreme ka marrë një vendim të tillë, ka reaguar kandidati i PDK-së për këtë komunë, Qemajl Mustafa, duke e quajtur atë vendim politik. Sipas Mustafës, ky vendim është i ndikuar drejtpërdrejt nga presidenti i vendit Fatmir Sejdiu.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ndërkaq, pranon se ka pranuar një vendim nga Gjykata Supreme, por heziton ta bëjë publik atë.
Sipas saj, ky vendim nuk është i prerë.
Mustafa më herët kishte deklaruar se në rast të një vendimi që do të rezultonte me rund të tretë të votimeve në Gjilan, ai nuk do të merrte pjesë në proces, me arsyetimin se do të ishte torturë për qytetarët. Megjithatë, Mustafa është shprehur i bindur se do të fitojë edhe herën e tretë, sikur që kishte fituar edhe dy rundet e kaluara, “me gjithë vjedhjet e votave që ishin bërë, sipas tij, nga LDK-ja e Fatmir Rexhepit.
Pas një vendimi të KZAP-it se Gjilani, Prizreni dhe Lipjani të shkojnë në rivotim për shkak të numrit të madh të parregullsive në këto tri komuna, KQZ-ja nuk e përfilli këtë vendim, duke urdhëruar rinumërim të votave të Gjilanit.
Më pas rezultati nga rinumërimi i këtyre votave nuk u miratua, pasi që me abstenimin e kryetares Lushta nuk u arritën votat e mjaftueshme për miratim të rezultatit të rinumërimit.
Shtuar më 17/02/2010, ora 04:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori