Edhe Dhoma e Përfaqësuesve kërkon nga Shtëpia e Bardhë të mbështe
Albeu.com
Edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan është dorëzuar rezoluta me të cilën kërkohet nga Shtëpia e Bardhë të mbështesë pavarësinë e Kosovës. Sponzoruesit Eliot Engel dhe Mark Kirk, kanë ftuar edhe kolegët e tyre që të mbështesin rezolutën dhe pavarësinë e Kosovës.Ndërkaq të martën, para Komisionit për Çështje të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, nënsekretari i Departmentit të Shtetit, Nicholas Burns do ta arsyetoj mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës.
Washington, 15 prill. Rezoluta është identike me tekstin e rezolutës që është paraqitur para një jave në Dhomën e Senatit, ndërkaq ajo është sponsoruar nga kongresistët Eliot Engel dhe Mark Kirk, bashkëkryetarë të Komisionit të Çështjeve Shqiptare. Ata me këtë rast ju shkruajnë edhe një letër kolegëve të nga të cilët kërkojnë ta bashkësponsorojnë dhe të mbështesin rezolutën dhe pavarësinë e Kosovës. Në thirrjen për mbështetjen e rezolutës kongresistët përkujtojnë kolegët e tyre se i dërguari i posaçëm Martti Ahtisaari gjatë një viti të kursit diplomatik ka shqyrtuar çdo mundësi kompromisi dhe kohë më parë i ka raportuar Këshillit të Sigurimit dhe ka rekomanduar pavarësi për Kosovën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të gjithë e kanë mbështetur planin e Ahtisaarit për ‘pavarësi të mbikëqyrur’ dhe po angazhohen për një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit e cila do të miratonte planin. “Ne fuqimisht e mbështesim planin e Ahtisaarit dhe besojmë se Kongresi duhet t’i bashkangjes zërin e mbështetjes planit që rekomandon pavarësi për Kosovën, që është edhe hapi më i drejtë që shpie përpara”, shkruajnë kongresistët amerikanë. Edhe në tekstin e rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve thuhet se po që se do të mungojë veprimi në Këshillin e Sigurimit, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme që në bashkëpunim me vendet e tjera demokratike të ofrojnë njohjen dhe të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike me Kosovën si një shtet i pavarur. Rezoluta kërkon nga Shtetet e Bashkuara që t’i kundërvihet çfarëdo vonese të zgjidhjes së statusit si kundërproduktive dhe potencialisht e rrezikshme, ndërkaq kërkon që bashkë me vendet e Bashkimit Evropian të ndihmojnë zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës së pavarur si dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike që do të çonin në anëtarësimin përfundimtar në NATO. Ndërkaq të martën, Komisioni për Çështje të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, i kryesuar nga kongresisti Tom Lantos do të mbajë Washington një të ashtuquajtur dëgjim publik në të cilin do të flasë nënsekretari i Departmentit të Shtetit, Nicholas Burns i cili do të ofrojë perspektivën e qeverisë amerikane rreth statusit të Kosovës, duke e arsyetuar dhe mbështetur propozimin për pavarësinë e saj. s.gashi, rtk
Shtuar më 15/04/2007, ora 17:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori