Edhe Basha premton punësime
Teksa beteja është ende e hapur mes PS dhe PD, kreu i demokratëve i ka prezantuar ofertën e tij. Duke kërkuar votën e qytetarëve, ai shpreh haptazi se kjo mund të arrihet me një kompromis që lidhet me punësimin.

Nga të dy palët është trumbetuar si çështje e cila është mjaft jetike, por Basha duket se e sjell si një risi. Lufta e ashpër e cila përfundon në 21 Qershor, ka bërë që Basha të përveshë mëngët dhe të rendisë objektivat bazë që lidhen me uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, rritjen e pagave dhe pensioneve.

Të cilësuar dyshja Rama-Meta, për Lulzim Bashën ata nuk janë aspak të interesuar për mirëqënien e qytetarëve. Sipas tij, për demokratët ky është prioriteti numër një, transmeton Portali Albeu.

“Punësimi juaj nuk është prioritet i qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës, punësimi është prioriteti im dhe i PD. Platforma e demokratëve është së pari ulja e taksave për t’u mundësuar bizneseve të hapin më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira.

Së dyti, falja e kamatë-vonesave anembanë vendit dhe ulja me 25% e çmimit të energjisë elektrike”, është shprehur Basha gjatë takimeve të mbajtura me banorët e Kënetës, Katundit të Ri dhe Sukthit.

Basha nuk ndalet në vazhdën e akuzave, duke i'u referuar PS për premtimet boshe.

"Opozita paraqiti amendamentet për uljen e taksave për biznesin që punëson të rinj, e votuan kundër, siç votuan kundër amendamentin tonë para tre muajsh për uljen e çmimit të energjisë, siç votuan kundër amendamentin tonë për uljen e çmimit të naftës.

Ky nuk është drejtimi i duhur për Shqipërinë, ky nuk është drejtimi i duhur për njerëzit, ky është drejtimi i duhur vetëm për një grusht njerëzish që kanë vendosur të pasurohen në kurrizin e shqiptarëve, në kurrizin e më të varfërve, në kurrizin e taksapaguesve, në kurrizin tuaj”, tha më tej Basha. /albeu.com/
Shtuar më 15/05/2015, ora 12:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori