Eagle Mobile, tashme sjell lajmin e fundit ne celularin tuaj!
Pëlqej
Albeu.com
Ashtu siç ishte premtuar që nga dita e parë e hyrjes në treg, Eagle Mobile ofron së fundi për të gjithë abonentët e saj shërbimin e informimit në celular nën moton “Lajmet, ashtu siç ndodhin”.Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, vijon të sjellë risi dhe mundësi në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Ashtu siç ishte premtuar që nga dita e parë e hyrjes në treg, Eagle Mobile ofron së fundi për të gjithë abonentët e saj shërbimin e informimit në celular nën moton “Lajmet, ashtu siç ndodhin”. Kjo praktikë ka hyrë prej kohësh në tregun e telefonisë së lëvizshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si një mundësi më shumë për t’iu përgjigjur interesit të qytetarëve dhe dëshirës së tyre për informim.

Ky shërbim i vlerës së shtuar, u promovua në një konferencë të përbashkët për shtyp të dy drejtuesve më të lartë të Eagle Mobile dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali TASKIN dhe Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH, Antoneta MALJA nënshkruan marrëveshjen dypalëshe që i hap udhën nisjes së këtij bashkëpunimi.

Zoti Taskin tha në fjalën e tij “se ky shërbim i ri për Shqipërinë, do t’i përgjigjet kërkesës së qytetarëve për më shumë informim në çdo kohë të ditës”.

“Kjo është një praktikë e vjetër evropiane që u jep të drejtën abonentëve të mësojnë lajmet më të fundit, parashikimin e motit apo të dhënat mbi kursin valutor. Të gjithë abonentët mund të abonohen shumë lehtë nëpërmjet një SMS-je dhe do ta kenë falas këtë shërbim deri më 1 Shkurt 2009. Në sajë të shërbimeve të reja, cilësisë dhe besueshmërisë Eagle Mobile shënon tashmë mbi 160 mijë abonentë në të gjithë Shqipërinë” tha Taskin.

Ai shtoi ky shërbim do të ketë një tarifë mujore simbolike, e cila nuk do të ndikojë tek qytetarët që janë të interesuar ta kenë atë. Drejtori i Përgjithshëm Ali Taskin, theksoi se Shërbimet e Vlerës së Shtuar në Eagle Mobile nuk përfundojnë këtu. Prej kohësh, kompania ka nisur edhe shërbimin e Eagle Mobile TV, ku abonentët e interesuar mund të ndjekin drejtpërdrejt 10 kanale televizive, shqiptare dhe të huaja për informacion apo argëtim.

Taskin falënderoi Agjencinë Telegrafike Shqiptare për këtë bashkëpunim dhe theksoi se kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet publike në vend.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH, Antoneta Malja në fjalën e saj theksoi se agjencia më e madhe e lajmeve në Shqipëri vjen kështu më afër qytetarëve me mundësitë e saj të informimit. Ajo theksoi se marrëveshja me Eagle Mobile tregon tashmë edhe frymën e re të funksionimit dhe pozicionimit bindshëm të ATSH-së në tregun informativ.

Shërbimi i informimit të Eagle Mobile ndodh në vazhdën e risive që kjo kompani ka sjellë dhe do të vazhdojë të sjellë në Shqipëri, duke sjellë ngjyrë në tregun shqiptar të telekomunikacionit.
Shtuar më 18/11/2008, ora 03:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori