Eagle Mobile shpall 2010-ten "Vitin e Mjedisit"
Albeu.com
Kompania celulare Eagle Mobile ka shpallur 2010-ën “Vitin e Mjedisit”. Pas projektit mjaft të suksesshëm social “Në Ndihmë të Fëmijëve Jetimë” kompania Eagle Mobile, ka çelur këtë vit me një tjetër projekt shumë të rëndësishëm me impakt social.
“Viti i Mjedisit” ka nisur me mbjelljen e 25 pemëve pisha të buta në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Përkujdesja e kësaj kompanie për mjedisin ka nisur që në vitin 2009, ku në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, u mbollën 38 pisha të buta.

Në këtë eveniment merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë z. Edi Rama, zv. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Bulent Dorttepe, si dhe drejtues të tjerë të kompanisë dhe institucionit të Bashkisë Tiranë.

Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Bulent Dorttepe dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama, së bashku me drejtues të tjerë të lartë të Kompanisë dhe institucionit të Bashkisë, janë angazhuar fizikisht gjatë mbjelljeve.

Z. Dorttepe gjatë këtij aktiviteti ka theksuar se:

“Nuk është hera e parë që Eagle Mobile jep kontribut për mjedisin. Jemi të kënaqur që bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës. Ky është projekti i parë social për vitin 2010, ku po mbështesim mbjelljen e 25 pemëve në bulevardin kryesor të Tiranës. Eagle deklaron vitin 2010 “Vitin e Mjedisit”. Kjo është fusha kryesore ku Eagle do të përqendrohet këtë vit. Dëshirojmë të japin shembullin dhe mbështetjen tonë për të mbrojtur mjedisin, mjaft jetik për të gjithë. Prandaj dhe sot jemi këtu me drejtuesit e Eagle Mobile që japin shembullin e mirë.

Ne mbështetëm në 2009-ën Fëmijët Jetimë dhe po e përmbyllim me sukses këtë iniciativë. Bursat tona të akorduara për fëmijët jetimë do të vazhdojnë. U bëjmë thirrje edhe kompanive, bizneseve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare për të dhënë kontributin e tyre këtë vit për mjedisin. Le ta ndryshojmë, sepse kështu do të ndryshojmë për mirë jetën tonë.”

Ndërsa kryetari i Bashkisë z. Edi Rama tha se është kënaqësi dhe inkurajim i jashtëzakonshëm që me fillimin e sezonit të ri vendosim një gur të ri në murin e traditës së angazhimit të të gjithëve për një Tiranë më të gjelbër dhe të pastër, me përfshirjen e kompanive dhe individëve që marrin pjesë në këtë nismë.

“Angazhimi i kompanive ka filluar të japë frytet e saj të kënaqshme në një kryeqytet ku për masa e gjelbër është bërë e dukshme. Sigurisht ka shumë për të bërë por pemët dhe gjelbërimi janë një bazë e shkëlqyer për të parë një Tirana të pastër dhe Evropiane,” ka përfunduar Rama.

Projekti mbi mjedisin do të konsistojë në një bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe partnerë të tjerë të shoqërive civile, ndërkohë që një rëndësi të veçantë do të ketë bashkëpunimi me mediat, që ka të bëjë me ndërgjegjësimin e publikut mbi mjedisin.

Kompania Eagle Mobile që në fillimin e aktivitetit të saj ka qenë mjaft e ndjeshme ndaj çështjeve me impakte të rëndësishme sociale. Kjo kompani për herë të parë ndërmori projektin “Biznesi në ndihmë të fëmijëve Jetimë”, ku me ftesë të saj u përfshinë 25 biznese të tjera për të kontribuuar sipas mundësive dhe mënyrave të veta.

Ndërkohë Eagle Mobile do të vazhdojë të mbështesë me bursat e akorduara të studimit 20 fëmijët jetimë për studime të mesme dhe të larta.
Shtuar më 05/02/2010, ora 21:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori