E verteta per Tadicin
Albeu.com
Boris Tadic ka informuar Përfaqësuesin e BE’së se do të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe ka kërkuar asistencë për të “siguruar suksesin e vizitës”. ICO nuk ishte e përfshirë. BE i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës vendim.Vendimi dërguar BE’së ishte “po”, pas presionit diplomatik. Institucionet nuk mund të mohojnë se vizita është shkelje e Kushtetutës. Në dramën tri-ditëshe, Presidenti Fatmir Sejdiu zgjodhi heshtjen e plotë.

-----------

Vizita e Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, të premten në Manastirin e Deçanit, ka pasur efekte të mëdha politike - ashtu sikurse edhe mund të ketë qenë qëllimi i saj.
Ditëve të fundit Qeveria e vendit, partitë opozitare dhe një numër analistësh kanë dhënë një pasqyrë të cilës i kanë munguar të gjitha faktet. Në disa raste, ndoshta faktet edhe me qëllim janë keqinterpretuar.
Cili është rrëfimi i vizitës së Tadicit?

Tadic kërkon ndihmë në “suksesin e vizitës”

Zyrtarët e Serbisë asnjëherë nuk kanë kërkuar leje për të hyrë në Kosovë. Sipas dokumentacionit zyrtar, në të kaluarën, ata vetëm kanë kërkuar përcjellje policore nga ana e Misionit të Kombeve të Bashkuara në vend për t’i shoqëruar kudo që kanë dashur të shkojnë.
Kësaj radhe Zyra e Tadicit nuk ka çuar letër në UNMIK. Ky mision nuk ka më policë dhe nuk mund të bëjë përcjellje të konvojeve.
Zyra e Tadicit i ka shkruar letër Përfaqësuesit të Bashkimit Europian në Beograd, Peter Sorensen, më 14 prill 2009.
Kjo është një adresë e re.
Por letra nuk është kërkesë për vizitë, vetëm informim se Tadic do të vijë në Manastirin e Deçanit.
“Po u shkruaj t’ju informoj se ekselenca e tij z.Boris Tadic, President i Republikës së Serbisë, do të vizitojë Manastirin e Deçanit në të Premten e Mirë, më 17 prill 2009”, kështu nisë letra.
Një paragraf më poshtë thotë: “Ne sinqerisht u kërkojnë ndihmën tuaj në sigurimin e suksesit të kësaj vizite në një prej ditëve më të shenjta të kalendarit të Kishës Ortodokse Serbe”.

ICO nuk ishte e përfshirë

Një numër komentuesish kanë folur se si Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICO) ka qenë e përfshirë në këtë procedurë. Për këtë shtrembërim ata nuk u korrigjuan nga asnjë institucion.
ICO është themeluar sipas planit të Martti Ahtisaarit, të cilin Serbia e refuzon. Nëse ajo do të pranonte autoritetin e saj, ajo do të pranonte autoritetin e Deklaratës së 17 shkurtit 2008.
Pieter Feith, i ka shkruar Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi më datën 15 prill, por vetëm në cilësinë e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian në Kosovë.
“Do të dëshiroja t’ju informoj ju se ne kemi pranuar një kërkesë, përmes Përfaqësuesit Personal të BE’së në Beograd, për të lehtësuar vizitën e Presidentit Boris Tadic në Kosovë të premten, më 17 prill 2009 për të vizituar Manastirin e Deçanit në të Premten e Mirë”, ka shkruar Feith. “Ju lutem gjeni të bashkangjitura detajet e kësaj vizite dhe jepni konsiderimin tuaj të sinqertë. Ju pres të na informoni për vendimin tuaj”.

Qeveria konsultohet nga BE. Vizita shkelë Kushtetutën

Gjatë këtyre korrespondencave vërehet qartë se Zyra e Presidentit të Serbisë nuk ka kërkuar leje nga Qeveria e Kosovës për të shkuar në Deçan.
Sidoqoftë, kur ka folur për “sigurimin e suksesit të vizitës” ajo duhet të ketë nënkuptuar që përfaqësuesit e BE’së të flasin me Prishtinën.
Dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës ka qenë një faktor i konsultuar dhe i është kërkuar të marrë vendim për vizitën nga BE. Pastaj, Qeveria është shtyrë ta pranojë realizimin e kësaj vizite. Pas presionit diplomatik, Qeveria i ka thënë “po” përfaqësuesve të BE’së.
Është po ashtu me rëndësi të pranohet se anashkalimi i UNMIK’ut nga Serbia është shumë i rëndësishëm dhe tregon rolin e humbur faktik të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Por, Qeveria e Kosovës nuk mund të mohojë faktet se kjo vizitë e Presidentit të vendit i cili e konsideron ende Kosovën pjesë të saj dhe kështu figuron edhe në Kushtetutën serbe, shkelë Kushtetutën e Kosovës.
Qeveria duhet të tregojë hapur se Boris Tadic nuk ka kërkuar leje formale prej saj. Dhe Kushtetuta e Kosovës nuk do të shkelej formalisht, vetëm nëse Tadic do t’i shkruante institucioneve të Kosovës për vizitën.
Tadic, po ashtu, nuk ka kërkuar askund përcjelljen nga ana e Policisë së Kosovës.
Thjesht, Zyra e Boris Tadicit, formalisht, nuk ka komunikuar me autoritetet e Kosovës, por me Përfaqësuesit e Bashkimit Europian. Dhe, formalisht, vizita ishte shkelje e legjislacionit në fuqi në Kosovë. Ashtu sikurse është shkelje e Kushtetutës edhe pranimi i saj nga liderët kosovarë.

Kredibiliteti i Tadicit është i rëndësishëm

Qeveria e Kosovës është e obliguar të tregojë saktësisht të gjitha faktet se si ka vizituar Tadici Manastirin e Deçanit, qoftë edhe duke shkelur Kushtetutën.
Ndoshta “JO” e Prishtinës do të kishte qenë shumë më e rrezikshme edhe për vet Kushtetutën e Kosovës.
Nuk është hera e parë që presioni ndërkombëtar shtynë në koncesione të tilla dhe ato ndodhin shpesh në realitetin politik të kohës.
Boris Tadic është një partner i rëndësishëm i Perëndimit në Ballkan. Tadic udhëheqë Serbinë me synimin e integrimit në NATO dhe BE, ka pranuar shtrirjen e EULEX’it në Kosovë, nuk është përgjigjur me dhunë kundër pavarësisë në shkurt 2008 dhe nuk ka ftuar serbët lokalë për rebelim.
Ndonëse kredibiliteti i udhëheqësve kosovarë mund të dëmtohet në kuptim afatshkurtër, Tadic është dashur të hyjë.
Çfarë do të kishte ndodhur me kredibilitetin e tij në Serbi nëse kjo vizitë do t’i ndalohej? Me gjasë ai do të dëmtohej.
Opsione tjera, sikurse tentimi i tij eventual për të hyrë, përkundër “jo’së” kosovare do të mund të kishte prodhuar reaksione tjera, ose reagim të serbëve kosovarë...
Në anën tjetër, edhe kosovarët kanë të drejtë të indinjohen nga shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës.
Kjo atmosferë mund të deduktohet edhe nga vet nevoja që Ambasada e SHBA’së në Prishtinë të lëshojë një komunikatë në mbështetje të Qeverisë së Kosovës.
Por, po ashtu, Boris Tadic nuk duhet të shes “suksesin e vizitës së tij” përballë opinionit serb. Kosova është e shkëputur nga Serbia.

Kapaku: Heshtja e Presidentit Fatmir Sejdiu

Gjatë tërë dramës së vizitës së Presidentit të Serbisë, heshtja e plotë ka qenë zgjedhja e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Shefi i shtetit, që me Kushtetutë është edhe përfaqësuesi më i lartë në marrëdhëniet me jashtë, ka dështuar të japë qoftë edhe një koment ose të lëshojë ndonjë deklaratë për mediat.
Ai është i zgjedhur të udhëheqë, pra edhe në momentet më të vështira - edhe pse askush nuk duhet të kontestojë faktin që Policia e Kosovës i përgjigjet Kryeministrit.
Express është munduar të kontaktojë zëdhënësin e Presidentit të dielën gjatë tërë ditës, por ai ka thënë se është i zënë. (nga Artan Mustafa, express)
Shtuar më 20/04/2009, ora 18:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori