"E sigurte!", kompania amerikane çertifikon kujdesin e AlbChrome për minatorët në Bulqizë

Siguria dhe shëndeti në vendin e punës janë faktorë shumë të rëndësishëm, por që fatkeqësisht shpeshherë, nga disa kompani shihen si kosto ndaj edhe nënvlerësohen apo nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Por një kosto shumë më e madhe është një punonjës i lënduar, apo me probleme shëndetësore të shkaktuara nga puna. Punonjës të tillë, përveçse e vuajnë në kurriz të tyre në radhë të parë ketë gjendje, janë edhe imazhi apo reklama më e keqe që mund t’i bëhej një kompanie. Për këtë arsye, kompanitë e mëdha dhe prestigjoze, të cilat kanë investuar shumë në imazhin e tyre, kujdesen pa kursim për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve.

Një rast i tillë është padyshim në Shqipëri ai i AlbChrome, prodhuesit dhe eksportuesit më të madh të kromit në vend dhe më gjerë, i cili rezulton se shkëlqen për sa i takon sigurisë së minatorëve të tij, në një vend si Bulqiza, ku duhet thënë se për fat të keq, disa kompani të tjera të licencuara e palicencuara, shpeshherë nuk marrin asnjë masë në mbrojtje të jetës së punonjësve të tyre.

Gjatë muajit janar të këtij viti, kompania e mirënjohur amerikane Predictive Safety, me qendër në Centennial të Kolorados në Shtetet e Bashkuara, kreu një inspektim në minierën e kromit në Bulqizë, ku operon AlbChrome.

Kjo kompani ka partnere “European Agency for Safety and Health at Work” dhe ka si moto të sajën “Punonjës më të Sigurt do të thotë Biznes më i mirë”.

Predictive Safety është një kompani e përbërë nga një staf i apasionuar pas përmirësimit të sigurisë dhe përmirësimit të jetesës nëpërmjet fuqisë të të dhënave empirike.

Shërbimet analitike të këtyre lloj kompanive kanë si qëllim që t’i ndihmojnë kompanitë që t’i kthejnë të dhënat që i servirin këto kompani të specializuara në informacion të zbatueshëm që përmirëson kushtet e sigurisë dhe të jetës.

Raporti i kompanisë amerikane në fund të auditimit të tyre është një konfirmim i seriozitetit dhe punës së bërë këto 6 vite nga AlbChrome në minierën e Bulqizës dhe jo vetëm, ku investimet mbi sigurinë kanë ardhur në rritje dhe vazhdojnë nga viti në vit. Në këtë raport, nuk lihen pa përmendur, ajrimi dhe sistemi elektrik për të cilët janë bërë dhe po vazhdohet të bëhen investime të mëdha, pa harruar edhe skuadrat e emergjencës dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve, në mënyrë që ata të janë sa më të sigurt në vendin e punës.
David Lauriski, njëri nga ekspertët e Predictive Safety që kreu auditimin në minierë, përkoi në të njëjtin moment kur emisioni Top Story i televizionit Top Channel po kryente disa xhirime në Bulqizë dhe u shpreh para kamerave: “Arsyeja pse jemi këtu, është që të inspektojmë minierën, për të parë sigurinë brenda saj dhe për të vënë në dispozicion njohuritë tona për përmirësimin e sigurisë. Pjesë e procesit është inspektimi i zonave të ndryshme në minierë. Ne po shohim si menaxhohet siguria, po shohim kushtet, për shembull tavanet, muret, dyshemenë, kemi parë elektricitetin, ambientin përreth dhe një sërë gjërash të tjera, për të parë nëse përdoren praktikat më të mira të sigurisë”.

Më poshtë pjesë të detajuara nga raporti në fjalë i kompanisë amerikane:

Ventilimi dhe monitorimi i gazit
U vu re një prani ventilimi e përshtatshme që siguron ajër të freskët, kontrollin e tymit, gazrave dhe pluhurit. Të gjitha vendet e punës të vëzhguara kishin ventilim adekuat gjithëpërfshirës i cili vinte ose nga qarku kryesor i ventilimit ose nga ventilatorët dhe tubat ndihmës. Monitorimi për gazra që lëshon miniera apo dhe regjistrimet e tyre ishin të shkëlqyera. Monitorimi i gazrave ndodh shpesh në të gjitha nivelet dhe përfshin të gjitha gazrat përkatëse (hidrogjen, monoksid karboni, dioksid karboni, oksid azoti dhe dioksid azoti), me përjashtim të oksigjenit.

Kontrolli i terrenit
Kontrolli i terrenit ishte adekuat në të gjitha zonat e vizituara të minierës. Kjo përfshinte pjesën e sipërme dhe të poshtme të boshteve, në pjesët e ngritura dhe në rënie si dhe gjithashtu në zonat e prodhimit.

Dokumentacioni
Sigurimi shëndetësor dhe i garantimit të kushteve të punës, kërkuar nga ligji dhe normat rregullatore shqiptare për sigurinë në miniera ishte gjithëpërfshirës dhe i plotë.
Vlen të përmendet fakti se një punë e konsiderueshme është duke u ndërmarrë për të përmirësuar sistemin elektrik nëntokësor. Kjo përfshin instalimin e paneleve të reja të energjisë, organizimin e përçuesve të energjisë dhe etiketimin e ndërprerësve. Kjo punë udhëhiqet nga shefi i elektricitetit të operacionit dhe kur të përfundojë do të rrisë ndjeshëm sigurinë elektrike.

Trajnimi
Punonjësve të rinj u sigurohet trajnim për kërkesat e përshkruara në këto norma, si dhe mësojnë nga supervizorët më tepër rreth detyrave të punës. Në raste të tjera, punonjësit e përgatitur për të marrë detyra të reja mund të kalojnë kohë me një person me përvojë për t’u siguruar që ata janë të aftë të ndërmarrin detyrat e punës së re. Gjatë auditimit, u vërejt një praktikë në dhomën e ngritjes së boshtit të prodhimit, ku dy punonjës ishin duke u trajnuar për t'u bërë operatorë për ngritjen e boshtit numër 9. Kjo është një praktikë e mirënjohur që inkurajohet të vazhdojë. Edukimi (njohuria) dhe trajnimi (të mësuarit se si të aplikohet) janë thelbësore për një sistem efektiv të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit. Punëtorët, të cilët dinë të bëjnë punën e tyre, kuptojnë rreziqet e detyrave të tyre dhe zbatojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, kanë shumë më pak gjasa të lëndohen.

Përgatitja emergjente dhe reagimi
Një plan gjithëpërfshirës i kërkuar nga normat rregullatore shqiptare për sigurinë e minierave është në zbatim për të ndihmuar në raste emergjence në operacionet e minierës së Bulqizës.

Gjithashtu mbështetje e çdo reagimi emergjent është dhe fakti se ekzistojnë dy ekipe të gatshme të shpëtimit dhe një teknik/trajner i mirëmbajtjes së pajisjeve. Trajnimi për këto skuadra ishte adekuat në kohën e auditimit.

Përputhshmëria me ligjet dhe me normat rregullatore shqiptare të sigurisë së minierave
Bazuar në rezultatet e një inspektimi nga inspektorët shqiptarë të sigurisë së minierave gjatë auditimit, diskutimit me lidershipin e minierave dhe rishikimin e dokumenteve të lidhura me shëndetin dhe sigurinë, u duk se përputhja me normat rregullatore shqiptare të shëndetit dhe sigurisë së minierave është e shkëlqyer.

“Ne do të vazhdojmë të investojmë pa kursim për rritjen e mëtejshme të sigurisë për punonjësit tanë, pasi ata janë aseti më i çmuar që kemi dhe këtë e kemi direktive të qartë edhe nga Grupi Balfin, pjesë e së cilit jemi” – u shpreh Luan Saliaj, Drejtori Ekzekutiv i AlbChrome.

Investime dhe siguri për të ardhmen
Ndër masat e sigurisë që ndërmerren rregullisht nga Albchrome për punonjësit e saj mund të përmenden: 1. Ngritja në çdo njësi e një oficeri të Sigurisë në Punë; 2. Inspektime të përditshme për sigurinë në punë të kryera nga ekipi i ekspertëve në bazë të një grafiku specifik; 3. Buxhet dhe plan mujor/3 mujor/vjetor për trajnimin dhe komunikimin e rregulloreve të sigurisë në punë; 4. Disiplinë e rreptë në punë, kontrolle ditore për konsumim alkooli nga stafi dhe masa të menjëhershme për çdo thyerje të rregulloreve të sigurimit teknik; 5. Kurs profesional për sigurinë në punë, çdo punëtor i minierës kryen një kurs formimi përpara fillimit të punës.

Shifrat e Sigurisë në Punë:
1. Prej vitit 2013 është ulur ndjeshëm numri i aksidenteve në punë;
2. Prej vitit 2013, më shumë se 2 milionë USD investime janë kryer për përmirësimin e kushteve të sigurisë teknike;
3. Mesatarisht janë kryer 6 kontrolle të hollësishme në jave në çdo njësi rreth zbatimit të rregullores së sigurimit teknik.
Shtuar më 22/05/2019, ora 14:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori