E shkuara sekrete e Ristanit
Albeu.com
"Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij". Dhe pikërisht, në momentin kur Partia Socialiste ka shumë dilema për të ardhmen e saj, kryetari Edi Rama flet papritur për të shkuarën e një prej personazheve më të debatueshëm në vend.nga Lorenc Vangjeli

Arben Ristani, kryetar i KQZ-së, është shndërruar në një magnet për të gjitha mallkimet postelektorale të socialistëve, të cilët e konsiderojnë atë jo si arbitër të zgjedhjeve, por si një arkitekt të vjedhjes së tyre nga Partia Demokratike. "Rikthimi te mandati ynë i nëntë në Fier i kësaj KQZ-je të kthyer në vegël qorre të Sali Berishës, përmes një kryetari të dënuar në të shkuarën e tij jo të largët për marrje ryshfeti dhe një shumice që nuk i nënshtrohet ligjit po oreksit të Sali Berishës, është kuptimplotë për të gjithë ata që duan realisht të dinë se çfarë ka ndodhur më 28 qershor...", u shpreh Rama më 20 korrik. Në të njëjtën ditë, sulmit të Ramës, çuditërisht nuk i përgjigjet vetë i akuzuari për probleme me të shkuarën e tij, Ristani, por ai merret në mbrojtje direkt nga PD-ja. "Ristani... ka kryer me integritet të lartë detyrën e besuar dhe informojmë opinionin publik se midis 3 kandidaturave të paraqitura nga PD për këtë post, është Edi Rama që ra dakord për zotin Ristani, ndaj dhe sulmet e tij nuk janë tjetër veçse një rrugaçëri dhe pafytyrësi politike", u shpreh zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Por dhe në këtë rast, enigma mbeti, as Rama nuk u shpreh më gjatë se çfarë dinte për skedinën penale të Ristanit dhe as PD nuk foli për të, por thjesht e mbrojti të shkuarën e tij me punën e sotme të tij. Kaq është e mjaftueshme për të ngritur një pyetje, që është në interes të thellë të publikut për të marrë përgjigje; një pyetje që ngjan me një titull të vjetër filmi bardhezi, që dikur TVSH-ja e transmetonte rregullisht: Cili jeni ju zoti Ristani?

Zemërata e Berishës

Në adresën e tij në faqen zyrtare të KQZ-së dëshmohet se Arben Ristani ka mbushur plot 40 vjeç në fundmarsin e këtij viti. Ai është një nga përfaqësuesit më të spikatur të një brezi studentësh, që mbaruan Fakultetin Juridik në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve dhe falë edhe këtij fakti, patën fat në karrierën e tyre të mëpasshme. Gjyqtarët e vjetër komunistë u përfshinë në vitin 1992, vit kur Ristani dhe një grup i madh kolegësh të tij mbaruan universitetin, në një valë shkarkimesh nga detyra. Vakumi i krijuar nisi të mbushej me studentë që sapo kishin mbaruar fakultetin dhe një vit më pas, edhe me juristët e "përshpejtuar" të dalë në seri nga serra e shkollës së Plepave, në Durrës. Konkurrenca me ta ishte fare e lehtë për t‘u fituar dhe për herë të parë, me firmën e ish-presidentit Berisha, Ristani emërohet gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitin 1992. Tre vjet rresht gjyqtar dhe pedagog i jashtëm në universitetin që sapo kishte mbaruar, kjo ishte një karrierë për t‘u pasur zili, por normale për atë kohë. Deri sa fati do të shënonte ditë të zeza, krejt papritur edhe për atë që dukej si i shenjuari vetëm i ditëve të bardha. Në vjeshtën e vitit 1993, Aleksandër Frangaj, atëherë kryeredaktor kurajoz i "Koha Jonë", gazeta më e madhe e pavarur në vend, detyrohet të kalojë në arrest shtëpie në Lezhë, në pritje të gjykimit të tij penal: akuza, kishte nxjerrë sekretin shtetëror për kalimin e një autokolone me tanke drejt Veriut të Shqipërisë. Dhe në Shqipërinë e atëhershme, me një President të konsideruar më tej ai armik i shtypit, ky ishte një mëkat i frikshëm. Frangaj do të gjykohej në Lezhë, ku kishte shkuar për ta gjykuar si i komanduar pikërisht gjyqtari i ri, Ristani. Avokat mbrojtës i Frangajt, ishte Spartak Ngjela. Në një sallë të mbushur me kolegë të Frangajt dhe deputetë të opozitës, Ngjela foli gjatë, pa harruar madje as "të drejtën anglosaksone" dhe e "hutoi" prokurorin lokal që mbronte akuzën, i cili madje tërhiqet prej saj. Frangaj fiton pafajësinë e firmosur nga Ristani, kurse ky i fundit, fiton mërinë e ish-presidentit Berisha. Që për një përkitje të rastit, ishte dhe fqinj me Ristanin në apartamentin e tij të vjetër në Brakë. Ky ishte dhe momenti që e ndau njeriun më të fuqishëm të vendit, me juristin që dukej se kishte një të ardhme të garantuar. Një ndarje që në fakt do të vazhdonte gjatë, me vite dhe do të kalonte dhe mes problemesh shumë më të rënda se kaq. Sepse ky do të ishte vetëm fillimi. Ajo që do të vijonte, do t‘i ngjante si një kurdisjeje fatkeqe rrethanash, po ashtu dhe një loje ku më i dobëti do të priste vetëm faljen nga më i forti që nuk harron kurrë. Deri në ditën, kur të paktën sipas kritikëve të tij nga PS-ja, do të bënte shërbimin e jetës për Berishën.

Arrestimi

Në mesin e viteve ‘90, "Koha Jonë" ishte shndërruar përfundimisht në shqetësimin e pafundmë të ish-presidentit Berisha. Basti i tij me botuesin Nikollë Lesi dhe drejtuesit e saj, Aleksandër Frangaj e Martin Leka, do të vazhdonte dhe më tej. Thjesht pritej rasti për të rigoditur. Dhe ai erdhi me një padi të bërë nga Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar atëherë nga i ndjeri Safet Zhulali. "Të dënohet me burg kryeredaktori Frangaj dhe gazetari Leka, që kanë nxjerrë sekretin ushtarak shtetëror". Sot tingëllon qesharake se sekret atëherë quhej fakti që oficerët ishin të detyruar të linin armatimin e tyre personal në repart dhe se nuk mund ta merrnin më, si më parë, në apartamentet e tyre vetjake. Të dy gazetarët arrestohen dhe në prill 1994 dalin në gjyq. Gjyqtar i tyre ishte sërish Ristani. Vetëm 25-vjeçar, Ristani do të gjykonte kështu procesin më të rëndësishëm të jetës së tij, do të gjykonte për fajësinë a pafajësinë e pothuaj dy bashkëmoshatarëve të tij. Natyrisht ishte nën një presion të madh: nga njëra anë shtypi opozitar, por dhe ai ndërkombëtar, shoqatat e gazetarëve vendase dhe të huaja, institucionet e të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër, "fqinji" i pushtetshëm në rrugën e Brrakës, që i donte me çdo kusht në burg gazetarët.

Dhe sa kohë që vazhdon procesi, një tjetër element hyn në lojë: Nikollë Lesi, botuesi emblematik i "Koha Jonë", bën një lëvizje "të dëshpëruar". E fton Ristanin në një lokal dhe në këmbim të pafajësisë së gazetarëve të tij, ofron madje edhe një shpërblim. Ristani nuk pranon, ai e refuzon fort këtë ofertë, por si njeri, kishte dhe ai dobësitë e tij. I kërkon Lesit ta ndihmojë me dy viza greke për të afërmit e tij. Ajo çfarë nuk dinte Ristani dhe Lesi, ishte që në tryezën pranë tyre, agjentë të SHIK-ut, të drejtuar atëherë nga Gazidede, kishin xhiruar dhe fotografuar gjithçka. Madje, edhe momentin e dorëzimit të pasaportave. Nuk mund të thuhet me saktësi se sa ka ndikuar ky "nder" i Lesit te vendimmarrja e Ristanit, por vendimi i firmosur prej tij nuk do të kënaqte Berishën. I cili, megjithatë, bën një veprim të pamendueshëm për karakterin e tij të rrëmbyer në atë kohë: ndonëse njoftohet në moment për rezultatin e përgjimit të gjyqtarit Ristani, ai nuk ngutet. Pret dhe në fakt nuk pret shumë. Ose më saktë, jo më shumë se dy apo tri javë. Kur një short "fatkeq" e detyron Ristanin të gjykojë një tjetër çështje të nxehtë. Një anije e kapur me naftë kontrabandë pret vetëm firmën e tij që të dalë nga gjendja e sekuestrit në Portin e Durrësit. Dhe vetëm dy ditë më pas, ndërsa Ristani mbahet i mbyllur në një mbledhje që zgjat më shumë se tri orë në Gjykatën e Tiranës, në cepin tjetër të saj, në apartamentin e tij në Brrakë, kishte mbërritur policia dhe agjentët e SHIK-ut me një mandat për kontrollin e tij. Kërkonin për para të fshehura, që duhet të ishin shpërblimi i mundshëm për lirimin e anijes me naftë. Fatmirësisht për Ristanin, asgjë e dyshimtë nuk u gjend në banesën e tij, por kjo nuk pengoi që për të, gjërat të rrokullisen në një mënyrë të rrufeshme poshtë e më poshtë. Ristani arrestohet nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe një mitëmarrjeje të pavërtetuar. Qëndron vetëm pak kohë në qeli me të njëjtët njerëz që i kishte dënuar vetë më parë nga pozicioni i gjykatësit. Ndonëse nuk pranon asgjë në proces, vendimi për të ishte marrë: dënohet me burg për një vit heqje lirie, vendim që i kthehet me kusht për dy vjet. Dhe i rikthehet liria. Duket se dhe në këtë pikë, dora e "fqinjit" ishte ndalur pikërisht në hedhjen e lopatës së fundit me dhe´ mbi një karrierë të shkatërruar dhe një jetë njerëzore të frakturuar dhimbshëm. Por fati, edhe në këtë rast, nuk e kishte harruar Ristanin. Për të, mbas rënies së thellë, do të kishte sërish ngjitje, madje të bujshme. Deri në vitin 1997 do të ishte avokat dhe do të mbronte dhe një tjetër personazh të njohur të kohës. Ristani do të mbronte me sukses të pjesshëm Ilir Hoxhën, të birin e Enver Hoxhës, të akuzuar në mënyrë qesharake, sepse kishte guxuar të mbronte të atin në një gazetë periferike të kohës. Kaq dukej se do të mbushte kupën në mërinë e tij me "fqinjin" President, por ndërkohë kishte ardhur viti 1997, kur ish-presidenti kishte halle shumë më të mëdha për veten e tij. Madje, edhe atë të gjetjes së një avokati personal. Ristani rifutet në shërbim shtetëror, kësaj radhe si inspektor në Ministrinë e Drejtësisë deri në vitin 1998, më pas kalon katër vjet të tjerë në profesion të lirë si avokat, deri në momentin kur fati i keq duket se i kishte perënduar përfundimisht.

Te Presidenti tjetër

Një tjetër ish-president do të bëhej fati i tij i mirë dhe i keq në të njëjtën kohë për juristin me halle. Alfred Moisiu do t‘u besonte rekomandimeve të jashtëzakonshme për juristin e aftë dhe do ta ftonte Ristanin në kabinetin e tij të ngushtë me detyrën e këshilltarit juridik. E kaluara dukej se ishte harruar dhe se për ish-avokatin karriera do të rridhte e qetë në paradhomën komode të një Presidenti të zgjedhur me konsensus dhe që e pëlqenin të gjitha palët. Por dhe kjo histori do të ndërlikohej shumë shpejt. Në grindjet që nisën mes Moisiut dhe ish-kryeministrit Nano, në vitin 2003, për herë të parë hyri një element i ri në luftën politike të ditës, ai që në median e kohës, do të quhej lufta mes stafeve. Dhe stafi i Kryeministrit Nano duket se ishte furnizuesi i medias me disa të vërteta të hidhura për dy nga këshilltarët e zotit Moisiu. Një nga ta ishte vetë Ristani. I zhgënjyer, Moisiu i kërkon llogari vartësit të tij për detajin e të shkuarës që ai i kishte fshehur. Por nuk kishte mundësi të bënte më shumë, veç t‘i komunikonte se rrugët e tyre tashmë ishin ndarë. E megjithatë, kjo thyerje e radhës nuk do të thoshte se rruga e Ristanit drejt karrierës personale ishte e mbyllur përfundimisht. Ai i rikthehet sërish avokatisë deri në vitin 2006. Dhe plot tre vjet më parë, më 31 korrik 2006, Ristani ishte një nga emrat e propozuar nga Partia Demokratike për të qenë anëtar i KQZ-së. Në një nga seancat më dramatike e më qesharake të Kuvendit të shkuar - opozita pushtoi sallën e Kuvendit - ai votohet në godinën e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, bashkë me kandidatët për KKRT-në dhe Këshillin Drejtues të RTSH-së. Si anëtar i KQZ-së ai punon me një tjetër ish-gjyqtar dhe mik të vjetër të tij, Çlirim Gjata dhe kalon provën e zjarrit me zgjedhjet lokale të shkurtit 2007. Bie pak në sy, por nuk dihet se pse, një vit më pas, në vjeshtën e 2008, largohet nga KQZ-ja dhe emërohet nga Presidenti Bamir Topi si drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Vetëm për katër muaj, sepse tashmë arrin sërish në majë: emri i tij ishte i pari i propozuar nga Berisha për kryetar të KQZ-së. Në shkurt 2009 ai votohet nga Kuvendi dhe nga ky moment, bëhet njeriu tek i cili shumëkush, përfshirë edhe Ramën vetë, do të besonte se do të bëhej arbitër i zgjedhjeve.

Rreshtimi i dukshëm me PD-në

Në të vërtetë, Ristani, një jurist në karrierë dhe i mburrur pafund nga miqtë e tij për aftësitë e tij profesionale, tregoi se nuk ishte ulur në karrigen e arbitrit për të qenë i tillë. "Kot merremi me "KETA", po e humbasim kohën kot, "ATA" e kanë ndarë mendjen të mos hyjnë në zgjedhje". Kjo fjali i përket në një mbledhje publike vetë kryetarit të KQZ-së, Ristani dhe "KETA" e "ATA" nuk ishin tjetër, veç Partisë Socialiste dhe anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ. Fjalia e tij paralajmëruese, ndonëse u publikua nga të gjitha mediat, kaloi shpejt në harresë: vendi ishte në prag të fushatës elektorale dhe rrjedha e lajmeve ishte kaq e fortë sa një kambanë e tillë alarmi, u përcoll me pak kuriozitet në selinë e PS-së. Më pas gjithçka është histori. Standarde të dyfishta të drejtimit të KQZ-së, ironi e madje edhe kërcënime për anëtarët e saj të opozitës, rreshtim i hapur në favor të "ish-fqinjit" President dhe madje edhe karshillëk ndaj faktorit ndërkombëtar që i "propozonte zbatimin e ligjit në vendimmarrjen e institucionit që ai drejton". Ristani sheh që nuk ka më kthim mbrapa. Në momentin kur dhe ai vetë voton në favor të një mandati shtesë për Partinë Socialiste në Fier, flet për "sharlatanë dhe sharlatanizma". Nuk ka asnjë dyshim: ai që duhej të ishte arbitri i zgjedhjeve, ndan njërën palë nga tjetra dhe atë palë që nuk e pëlqen, e konsideron as më shumë dhe as më pak, por "sharlatane". Duke e ftuar me arrogancë të mbyllë gojën e të heshtë. Ndihet i fituar dhe hesht edhe vetë kur kryetari i PS-së, Edi Rama, e sulmon rëndë për të shkuarën e tij. Në fakt, nuk ka shumë për të thënë: nuk është aq i pasur sa për të blerë harresën për të shkuarën e tij. E cila ndoshta i është rikthyer sërish në të sotmen e tij shumë më pak profesionale se politike, duke e bërë të ndikojë në të ardhmen e vendit. Pa dyshim shumë më shumë se cilido tjetër që ka qenë në pozicionin e tij. (Marrë nga revista MAPO)
Shtuar më 27/07/2009, ora 00:16
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori