E shikon sa i pafuqishëm je?
Nga Ilir Hoxholli -

Është e çuditshme, vrapon gjithë jetën për të fituar pasuri, duke humbur shëndetin, vitet dhe në fund shpenzon gjithçka për të fituar atë që nuk diti ta vlerësojë në fillim, shëndetin, dashurinë për të dashurit e zemrës, ata për të cilët sakrifikoi duke ua lënë çdo gjë gati. Por ata nuk i dinë sakrificat e tua, biles as nuk i donin para disa çasteve lumturie me ty, kërkuan shumë pak, një dorë që zgjatej me përkëdhelje, një buzëqeshje, një fjalë të ëmbël. Ti nuk ishe as për vete kur me pasurinë që shtoje, humbje nga shëndeti yt, humbje derisa ditët e fundit të jetës, ishe gati të jepje gjithçka për të gjetur dikë ta merrte sëmundjen tënde, për ta hequr nga trupi që po të gërryhet çdo ditë. Pasuria qëndron pranë teje, por ja që ca gjëra në jetë nuk blihen as nuk shiten dhe nëse dëshiron të dish, pasuri e vërtetë është ajo që nuk ka çmim, ajo është si një mik i shtrenjtë që nuk mund ta blesh as ta shesësh. Pasuria ka vlerë dhe të lumturon brënda teje, e nëse dëshiron ta krahasosh, krahasoje me dikë që është më dobët se ty, e ndërsa ju gaboheni duke e krahasuar me ata që kanë më shumë se ju, vlera e asaj që keni humbet dhe ju bëheni lakmitarë i lakmisë që nuk do t'ju lejojë të shijoni asgjë. Nuk po flas për mënyrën se si pasurohen disa, se pasuria tyre ka klithma fëmijësh e të varfërish që mallkojnë, por lakmia për të kaluar njëri tjetrin, është dënimi që ata zgjedhin për vehtet e tyre. I duket se robërojnë njerëzit pa ditur se po robërojnë vehtet e tyre nga pasuri që nuk do t'i shërbejnë për asgjë. Njerëzit thonë do marrësh dy metra vend, e këtu edhe materia si fe marksiste e kapitaliste të demoralizon për të qenë lakmitarë. Kjo është ajo që ne shikojmë, për të mos folur për atë që fshihet. E ndërsa ka çaste në jetë që do t'i jepje të gjitha që fëmija, për të cilin ke sakrifikuar gjithçka të largohet pa adresë, do jepje gjithçka të kthehej e të jetonte me ty. E shikon sa i pafuqishëm je? Sikur sëmundja që ke të largohej me kushtin që ta jepje gjithe pasurinë, do ta bëje? E di që do ta bëje. Ti e di që në këtë jetë nga ty u kërkua shumë pak, të ishe një njeri i mirë, një fëmijë që kujdesësh për prindërit, një prind që kujdesesh për fëmijën, një mik i mirë në shoqëri, të flasësh mirë, asnjëri prej të dashurve të zemrës përballë dashurisë nuk të kërkoi pasuri, ti e kuptove gabim dashurinë duke dashur ta blije. A do ta jepje pasurinë të të riktheheshin të gjitha, shëndeti, dashuria, fëmijët, familja, miqtë? Siç thotë thotë Zoti në librat e shenjtë, ashtu si njerëzit e dashur, duke iu drejtuar njeriut në botën tjetër, a do të jepje gjithçka për t'i shpëtuar dënimit që përgatite me duart e tua në këtë jetë? E ndërsa ti qëndron mes dilemës a do ta jepje apo jo unë të them mos e jep, sepse ti që e lexon këtë shkrim, mos e lër veten deri te kjo pyetje për të cilën nuk ka kthim...
Shtuar më 16/01/2017, ora 13:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori