BE: Kurti-Vuçiç takohen me 2 maj, dy temat kryesore të diskutimeve

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mbahet më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha Stano.

I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.

“Në përgjithësi ne nuk spekulojmë rreth asaj se çfarë do të ndodhë nëse diçka nuk ndodh. Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për të zbatuar obligimet. E, formimi i Asociacionit është një obligim i qartë. Ne presim të lëvizim përpara dhe ne si lehtësues presim që të zbatohen obligimet që palët kanë marrë përsipër”, tha Stano.

Takimi i 2 majit do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji./express