“Para 5 minutash folëm me Ahmetajn”, avokati: E drejta e tij nëse do të vijë në Shqipëri ose jo

Ardian Visha, njëri prej avokatëve të Arben Ahmetajt ka folur për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve,

Ai u shpreh se Ahmetaj ka nisur përballjen e tij me drejtësinë momentalisht.

Por i pyetur nëse zëvendëskryeministri do kthehet në Shqipëri, Visha u shpreh se është e drejta e Ahmetajt nëse do vijë ose jo.

Visha shtoi më tej se prokuroria i ka paraqitur mbrojtësve ligjorë të Ahmetajt një material me 320 faqe, në të cilin sipas tij nuk ka asnjë rresht që justifikon kontrollin e banesës së ish-ministrit apo masën e arrestit me burg ndaj tij.

Ardian Visha: Zoti Ahmetaj ka nisur përballjen me drejtësinë. Është e drejta e vet nëse do vijë në Shqipëri apo jo. Ne mbajtëm qëndrim të kundërt nga ajo që kërkon prokuroria. Na u dha kohë jo më shumë se 24 orë për të parë 320 faqe material, që janë dashur 2 javë për t’i shkruar. Ne nuk vërejtëm kurrkund në këto faqe asnjë rresht që justifikon kontrollin e banesës së zotit Ahmetaj. Ky është thjesht një show për të kënaqur epshet e disa njerëzve se si dhunohet e drejta e një deputeti. Për masën e sigurisë nuk kishte asnjë arsye pse kërkohet kjo masë ekstreme. Jemi kundër arrestimit të tij.

Ata shtuan sërish se nuk e dinë ku ndodhet dhe përsëritën se është larguar jashtë Shqipërisë për arsye familjare.

Henrik Ligori: Nuk e dimë ku ndodhet Ahmetaj. Është larguar për arsye familjare. Para 5 minutash ishte komunikimi i fundit me të./Albeu.com

 


Shtuar 12.07.2023 18:21