E qëllon me dru e më pas e mbyt me rripin e pantallonave, zbardhet dëshmia e 37 vjeçarit
Dje është zbardhur dëshmia në gjykatë e burrit që mbyti gruan me rripin e pantallonave, duke pranuar se ai e kishte kryer këtë akt të rëndë për shkaqe xhelozie. Ai ka pranuar se vite më parë gruaja e kishte tradhëtuar kur ai ishte në Greqi, e ndërsa kanë qënë familjarët e tij të cilët janë njoftuar menjëherë pas krimit.

Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje izolimin në qelitë e paraburgimit për Shkëlqim Dishën, 37 vjeçarin e akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Resmie Disha, 31 vjeçe, duke e mbytur me rripin e pantallonave.

Ngjarja ndodhi tre ditë më parë në zonën e Shëngjergjit në Tiranë. Togat e zeza të Krimeve të Rënda pranuan kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat për Dishën, i dyshuar për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Para gjykatës, 37 vjeçari është shfaqur i penduar, duke pohuar se ishte konfliktuar me gruan për shkaqe xhelozie. “Pasi e kam qëlluar disa herë me dru, nuk di se ç’kam bërë më mbrapa”, ka thënë Disha. Sipas prokurorit, Disha është ndaluar në vendin e krimit, ku pa pritur mbërritjen e policisë dhe ai e ka pranuar kryerjen e veprës penale.

Ai ka pretenduar se bashkëshortja kishte pasur një lidhje tjetër para disa vitesh, kur ai ishte emigrant në Greqi. Gjykata nuk mori parasysh pretendimin e avokatit të Dishës, Arben Peci, për caktimin e një mase sigurie më të butë për klientin. Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën akuzohet Disha ka ndodhur rreth orës 15:30 të së martës. Nga hetimi ka rezultuar se rreth kësaj ore, shtetasi Shkëlqim Disha së bashku me bashkëshorten e tij Resmie Disha (Murtini) janë nisur për të shkuar në këmbë nga fshati Vrrin për në fshatin Gurakuq të rrethit Librazhd, ku banojnë disa të afërm të Shkëlqimit. Gjatë rrugës, e cila përshkruhet në këmbë dhe pikërisht në vendin e quajtur Shpellës (Maje Lungj) të fshatit Urëz, çifti ka ndaluar për të pushuar. Sipas Prokurorisë, në këtë moment mes tyre ka lindur një konflikt për shkaqe xhelozie. “Në konflikt e sipër shtetasi Shkëlqim Disha fillimisht ka qëlluar me dru pas koke bashkëshorten e tij dhe më pas e ka shtrënguar me rrip pantallonash në qafë duke i shkaktuar vdekjen. /albeu.com/
Shtuar më 22/08/2015, ora 09:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori