E prishën xhaminë për inat të shqiptarëve
Albeu.com
Hiqet edhe një tabu në Tetovë. Në prishjen për inat të shqiptarëve të Xhamisë së Çarshisë, në sheshin e Tetovës, në qershor të vitit 1965, ishin angazhuar të burgosurit.Në Myftininë e Tetovës nuk ka asnjë dokument për atë se cilido udhëheqës i kësaj bashkësie të ketë nënshkruar për prishjen e objektit monumental të Xhamisë së Çarshisë në sheshin e qytetit, e cila ka qenë e njohur edhe si Xhamia e Tupanit, që është rrënuar me vendim të Kuvendit të Komunës së Tetovës, në qershor të vitit 1965. Për prishjen e kësaj xhamie, që disa dekada ka qenë temë tabu për shqiptarët myslimanë, kanë qarkulluar shumë spekulime se gjoja kjo është bërë me nënshkrimin e disa personaliteteve të shquara në Tetovë, të cilët kanë lejuar një gjë të tillë, për çka janë anatemuar për tradhti fetare dhe kombëtare nga tetovarët. “Të gjitha informatat e këtilla janë të gabuara”, është kategorik myftiu i Tetovës, Alifekri ef. Esati, duke shtuar se janë dezinformata disa publikime të plasuara se ish myftiu i Tetovës, Aqif Efendiu, në vitin 1965 ka nënshkruar vendimin për prishjen e xhamisë, që absolutisht nuk përkon me realitetin.
Sipas myftiut të Tetovës, Alifekri ef. Esati, argumentet e dokumentuara flasin se në atë kohë organet e Bashkësisë Islame, në krye me të ndjerin ish-Reis ul Ulema Haxhi Bedri Efendiu, kanë qenë në Sarajevë, për t’u takuar me Reis - ul Ulemanë e ish-Jugosllavisë, Sulejman ef. Qemurën, për të intervenuar kundër prishjes së kësaj xhamie, por, mjerisht, ajo nuk ka mund të shpëtojë nga rrënimi. Kundër prishjes së xhamisë ka bërë tre udhëtime edhe ish-Reis ul Ulemaja, Sulejman ef. Qemura, i cili nga Sarajeva ka ardhur në Tetovë dhe Shkup, madje ka shkuar edhe në Beograd, bashkë me Haxhi ef. Bedriun, që ta pengojnë prishjen.
Numri një i Myftinisë së Tetovës dëshmon për një keqpërdorim që ka bërë pushteti i atëhershëm, që ka pasur reperkusione shumë të dëmshme për tetovarët, me qëllim që të etiketohen dhe të devalvohet autoriteti i disa personaliteteve të shquara të asaj kohe. Ai zbulon për herë të parë së njerëzit më përgjegjës të Tetovës, para se të prishej xhamia, kishin bërë një peticion me nënshkrime kundër këtij akti barbar të pushtetit maqedonas, ku kishin nënshkruar më shumë personalitete vendore, mirëpo pushteti në mënyrë djallëzore e kishte transformuar titullarin e këtij peticioni, se gjoja të nënshkruarit e tij janë “pajtuar” për prishjen e xhamisë. Ky dokument i “transformuar” nga organet e pushtetit, më vonë ka dalë nga arkivi i qytetit dhe ka rënë në duar privatë, gjë që ka rezultuar që njerëzit pa kurrfarë faji të merren në gojë dhe të etiketohen, pikërisht ata të cilët me çdo kusht janë munduar kundër prishjes së xhamisë.
Krerët komunalë, në veçanti Kostadin Mihajllovski, disa herë e ka thirrur ish-myftiun, Aqif Efendiu, për t’i kumtuar se xhamia duhet prishur medoemos. Myftiu i atëhershëm ka kundërshtuar këtë vendim, por ka marrë përgjigje se “ky është një projekt që rrënjët i ka që nga viti 1912”, me qëllim të hapjes së rrugës së ashtuquajtur të Gostivarit në drejtim të xhamisë. Myftiu i ka thënë kreut të komunës se “ky veprim kurdo do t’u kushtojë shumë shtrenjtë”.
Dita kur është prishur Xhamia e Çarshisë nga organet e pushtetit është shpallur orë policore, kështu që askush nuk ka mundur të dalë jashtë e lëre më ta pengojë prishjen. Është interesant se përgjegjësit e kësaj xhamie në asnjë mënyrë nuk i kanë dorëzuar çelësat, kështu që xhamia është prishur nga kulmi, pa hyrë brenda fare.
Në prishjen e objektit të xhamisë kanë qenë të angazhuar të burgosurit, por nuk dihet me saktësi nëse kishin ardhur nga Shkupi. Në Myftini nuk dinë se ku ka shkuar materiali shumë i vlefshëm i xhamisë, ndërsa sektori për urbanizëm i komunës ka ndarë një kompensim simbolik për xhaminë. Paratë janë ruajtur më shumë vite në arkë, kështu që ato dukshëm janë devalvuar, derisa një ditë janë shfrytëzuar për zgjerimin e Xhamisë Eski. Në vendin ku ishte Xhamia e Çarshisë, më vonë u ndërtua Pallati i Kulturës, i cili ishte “bekuar” nga kryetari i atëhershëm i Komunës së Tetovës, që shqiptarët të mbahen në distancë nga shfrytëzimi i tij. Kështu edhe kishte ndodhur për dy dekada me radhë.
nga ISMAIL ARSLLANI, Lajm
Shtuar më 23/03/2006, ora 15:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori