E premtja e fundit
Edhe pse janë konsumuar dy raundet e para në Parlament, Shqipëria ende nuk e ka Presidentin e saj të ri të Republikës. Edhe në seancën e sotme, ashtu si në atë të para një jave, nuk u paraqit asnjë kandidat nga asnjë prej forcave poltike parlamentare duke detyruar Kuvendin të mblidhet sërish për raundin e tretë, i cili me shumë gjasa do të mbahet të premten, më 8 qershor.

Në rast se as në raundin e tretë nuk gjendet konsensusi mes palëve atëherë zgjedhja e Presidentit të ri mund të bëhet me skemën 50+1 ose me 71 vota, të cilat Mazhoranca qeverisëse i zotëron tashmë, madje edhe e tejkalon.

Takimi i djeshëm Berisha-Rama rriti shpresat për gjetjen e gjuhës së konsensusit dhe bashkëpunimit në gjetjen e kandidatit të përshtatshëm por përfundimi i tij tregoi se palët nuk kishin rënë ende dakord.

E premtja e datës 8 Qershor mund të quhet edhe e "E premtja e fundit" pasi është mundësia e fundit për të gjetur një President konsensual dhe të pëlqyeshëm nga të gjitha palët. Mbi të gjitha që vtëm një ditë më parë mbërrin në Tiranë edhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, ndërsa ditë më parë Komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fyle deklaroi në letrën e tij se Shqipëria duhet ta zgjedhë Presidentin para 7 qershorit.

"Dëshira e Brukselit ka qënë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas gërmës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet, e të mos krijohen probleme shtesë. Ne do të dëshironim që zoti Sanino ta gjente Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen plotësisht në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore e gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet", shkruan Fyle në letrën e tij.

Por me sa duket Sanino nuk do ta gjejë Shqipërinë me president të ri por ndoshta bëhet shtysë që të nesërmen e ardhjes së tij palët të gjejnë konsensusin dhe të votojnë presidentin e shumëkërkuar konsensual.

Në rast të kundërt, Mazhoranca do të jetë e "detyruar" ta zgjedhë me 71 vota kreun e ri të shtetit. Veprim ky krejtësisht kushtetues por që nuk do të pranohet kurrë nga opozita, e cila me shumë gjasa jo vetëm që do të rinisë bojkotin e saj por do ta përtdorë këtë veprim të shumicës si "armë" kundër qeverisë edhe në zgjedhjet e 2013-ës. Dhe më e keqja, mund të ndikojë në marrjen e statusit kandidat në vjeshtën e këtij viti.

Prandaj dhe, e premtja e fundit duhet të shihet si e shansi i fundit për konsensus. Siç thotë edhe Fatos Nanon në deklaratën e sotme se: "Shpreson e uron që klasa politike shqiptare do të dëshmojë maturi të mjaftueshme që në respekt të kujdesit dhe ndihmës së vyer të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE Etore Sequi dhe Ambasadorit të OSBE Eugen Wolfarth, të arrijë marrëveshjen e shumëpritur për ta mikpritur me meritë dhe pjekuri të dërguarin e Komisionerit Stefan Fule, Stefano Sanino i cili vjen në Shqipëri në dt 7 qershor". /albeu.com/
Shtuar më 04/06/2012, ora 15:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori