E paguajnë shtrenjtë, por tiranasit nuk do të kenë ujë në fundjavë
Qytetarët e Tiranës duhet të mbushin ujë për dy ditë pasi nuk do të kenë ujë në fundjavë.

Kjo për shkak të fazës finale të investimit në Bovillë ku do të kryhen lidhjet e pikave të takimit midis Ujëmbledhësit të Bovillës dhe impiantit të trajtimit të ujit.

Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e UKT, Evis Gjebrea kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, ndërsa thekson se të Hënën do të nisë furnizimi normal i Tiranës urbane, shkruan Scan tv.

"Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëveTiranës, pasi punimet do të fillojnë herët në mëngjes ditën e shtunë dhe do vazhdojnë edhe përgjatë të dielës.

Ky është një projekt gjigand që ndodh një herë në 20 vjet dhe prandaj i kërkojmë qytetarëve të marrin masa për të siguruar ujin e nevojshëm këto dy ditë.

Ditën e hënë ne presim normalizimin e situatës, flasim këtu për zonat urbane dhe jo për ato rurale."

Gjebrea sqaron se ky investim gjigand dyfishon sasinë e ujit që shkon për trajtim në impiantin e Bovillës si dhe do të rrisë ndjeshëm orët e furnizimit me ujë për kryeqytetasit.

"Bëhet fjalë për një rritje të kapaciteti me 30% që përpunon ujin në impiantin e Bovillës dhe do ketë rritje të ndjeshme të orëve me furnizimit me ujë dhe muaji qershor është momenti kur do të kryhen testime teknike, pra neovjitet një muaj kohë pasi Tirana është e ndarë në disa zona dhe linjat tona të furnizimit me ujë janë të ndara në disa zonë.

Deri sa të kryhet ky testim përgjatë muajit qershor ne nuk mund të dalim me një shifër ekzakte të shtimit të orëve dhe do flasim pas qershorit për një shifër të tillë. Po flasim për një impiant që furnizon rreth 80% të qytetit.”

Ndërkaq, UKT ka në proces edhe investime të tjera strategjike të cilat synojnë që të përmirësojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës, duke iu përshtatur zgjerimit që ka pësuar kryeqyteti.

Shtuar më 04/06/2020, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori