E mashtruan e i vodhën 40 mijë lekë biznesmenes, tatimorët arrestohen kur po drekonin në bregdet (VIDEO)
Tre inspektorë të Drejtorisë së Hetimit TatimorTiranës u arrestuan me akuzën e korrupsionit, pasi një grua biznesmene nga Kavaja i denoncoi ata në adresën e Kryeministrit Edi Rama.

Ka qenë kreu i qeverisë, që denoncimin e qytetares ndaj tatimorëve që i kërkonin para në dorë, e ka adresuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kjo e fundit, ia kaloi materialin për ndjekje Policisë së Kavajës, ku ndodhej edhe biznesi që ka denoncuar tatimorët. Ndjekja e mëpasme e tre zyrtarëve të dyshuar çoi në arrestimin e tyre. Drejtori i Policisë së Tiranës, drejtues Ardi Veliu në konferencë për shtyp njoftoi dje finalizimin e aksionit të koduar “TND”.

Ai tha se më 21.07.2017 gjatë orëve të mbrëmjes nga strukturat e Policisë është finalizuar operacioni policor i koduar “TND”, i cili u zhvillua pas një denoncimi të bërë nga një subjekt privat drejtpërsëdrejti te Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama.

Policia publikoi dje edhe videon e arrestimit të tre tatimorëve, të cilët janë vendosur në pranga teksa po drekonin në një restorant në bregdet pak orë pasi kishin marrë paratë nga biznesmenia.

TË ARRESTUARIT

Kreu i Policisë së Tiranës tha se me marrjen në dijeni në lidhje me denoncimin u organizuar puna nga Drejtoria për Krimin e Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, u finalizua operacioni policor i koduar “TND”.

Gjatë këtij aksioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ermal Harizaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë, Erin Pupuleku, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë Inspektor i Zbatimit të Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë dhe Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë Inspektor i Zbatimit të Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.

Burimet zyrtare thanë se ndaj tyre është ngritur akuza për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Policia tha dje se materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, e cila në fakt mësohet se është angazhuar në hetimin e çështjes që para arrestimit të tatimorëve duke ligjëruar disa veprime speciale hetimore nga strukturat e policisë gjyqësore.

KORRUPSIONI

Burimet e Policisë, kanë thënë se arrestimi i tre inspektorëve të tatimeve u bë, pasi, më datë 21.07.2017, ora 17.00, të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat në Spille Kavajë, me administratore shtetasen A. M., duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë administratores shumën prej 40 mijë lekë ( të rinj ).

Burimet e Policisë, kanë thënë se po vijon puna për dokumentimin nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve, pasi dyshohet se inspektorët të njëjtën praktikë ndiqnin edhe në raste të kontrollit në subjekte të tjera.

Pas arrestimit të tre personave përfaqësues të Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Tiranë, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe denoncuesen dhe disa anëtarë të stafit të saj.

Ajo ka pohuar se është gjendur nën trysninë dhe presionin e tatimorëve edhe pse në vazhdimësi i kishte përmbushur në kohë të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Për këtë arsye, ajo ka deklaruar se ka vendosur të denoncojë në adresën e Kryeministrit duke qenë se ky i fundit ka ftuar qytetarët që të bëjnë ankesa në lidhje me zyrtarët që abuzojnë me detyrën. /albeu.com/
Shtuar më 23/07/2017, ora 18:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori