E liroi gjykata, si u arratis bosi shqiptar i drogës në Francë
Një vit e gjysmë pasi u lirua nga Gjykata dhe arriti të arratiset pa lënë gjurmë, Prokuroria dërgon në gjyq në mungesë Domart Konjarin. Lajmi u bë me dije nga burime zyrtare që thanë se Prokuroria për Krime të Rënda dërgoi për gjykim Konjarin për akuzat “trafikim i narkotikeve”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “organizata kriminale”, “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, “falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave, ose vizave” dhe “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri akuzohet se ka krijuar organizatë kriminale në Francë, aktiviteti i së cilës ishte trafikimi dhe shitja e lëndës narkotike heroinë. Prokuroria bën me dije se ky shtetas u arrestua fillimisht më 18 janar 2016 në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në Korçë, pasi iu gjetën dokumente të falsifikuara me emrin Arben Lazri. Për këtë arsye, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”.

Në bazë të veprimeve procedurale, u identifikua se ky shtetas ishte Domart Konjari, për të cilin kishte një urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet franceze, pasi ai ishte dënuar me një vendim jopërfundimtar me 10 vjet burgim. Autoritetet franceze u kishin bërë gjithashtu një kërkesë autoriteteve shqiptare që, nëse arrestohej, gjykimi ndaj tij të zhvillohej në Shqipëri.

LIRIMI I KONJARIT

Për shkak se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë.

Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në shkurt 2016, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Pas vendimit në fjalë, Domart Konjari fitoi lirinë, kurse Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit.

Lirimi i personit në fjalë shkaktoi edhe reagimin e Ambasadës Franceze, e cila me anë të një letre të publikuar nga “Panorama” pas vendimit të gjykatës, theksonte se kishte vite që Konjari hetohej nga policia franceze, e cila kishte investuar fonde e njerëz për zbardhjen e aktivitetit të shqiptarit.

Nga ana tjetër, Prokuroria shqiptare i vazhdoi hetimet edhe pas lirimit të Konjarit, dhe në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish, në dhjetor 2016, caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kërkesa u pranua nga ana e Gjykatës (e njëjta që kishte liruar Konjarin), por i akuzuari nuk është gjetur ende nga policia, pavarësisht se, me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike.

SI U ARRESTUA

Domart Konjari ishte person në kërkim në kohën kur më datë 04.11.2015, rreth orës 17:40, në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë, janë paraqitur në hyrje shtetasit Elton Çela, si drejtues mjeti dhe shtetasi me dokumente me identiteti Arben Lazri, si pasagjer.

Pasi punonjësi i policisë (kontrollori) ka vijuar procedurën e regjistrimit të shtetasve në pikën e kalimit, ka evidentuar se me të njëjtin identitet, Arben Lazri, me numër personal të njëjtë, por me fotografi tjetër, është i regjistruar në TIMS dhe një shtetas tjetër.

Po ashtu, punonjësi i policisë ka evidentuar se po i njëjti i asaj dite, shtetasi Arben Lazri, kishte dalje për në Greqi në orën 17:11. I intervistuar për këtë fakt, shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri i ka prezantuar faktin se pasi ka dalë në pikën e kalimit në territorin grek, nga punonjësit e kësaj pike është kthyer pas, sepse i kërkonin disa dokumente të tjera.

Në këto rrethana, shtetasi i paraqitur me këtë identitet ka kaluar për një kontroll më të detajuar në vijën e dytë dhe ndërkohë që shoqërohej nga punonjësi i policisë për në zyrën përkatëse, shtetasi i paraqitur si Arben Lazri, i ka premtuar punonjësit të policisë për t’i dhënë 50 euro, me qëllim që të mos e vonin me procedurat e verifikimit, veprim të cilin e ka kundërshtuar punonjësi i policisë dhe e ka bërë prezent si fakt tek eprorët e tij.

Gjatë një verifikimi të hollësishëm të pasaportave lëshuar të njëjtit identitet dhe nga një verifikim i gjurmëve të gishtave të këtij shtetasi, është evidentuar se shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri ka paraqitur identitet të rremë, pasi ky shtetas i përket identitetit të të pandehurit Domjart (Domart) Konjari, i datëlindjes 11.07.1973. /Panorama/
Shtuar më 14/07/2017, ora 19:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori