U irritua nga të qarat e foshnjës, shqiptari bën për spital gruan në Selanik, 30-vjeçarja: Mos e dënoni!

Një 34-vjeçar është dënuar me 12 muaj burg nga Gjykata e Selanikut pasi ka rrahur bashkëshorten e tij.

34-vjeçari shqiptar ishte irrituar nga të qarat e fëmijës së tyre.

Sipas asaj që u bë e ditur gjatë seancës, gjithçka ka ndodhur të martën mbrëma, 25 prill, kur i akuzuari është kthyer nga puna në shtëpi dhe ka pasur një debat të ashpër me gruan e tij, për çështje që kanë të bëjnë me fëmijën e tyre të madh.

Në një moment, gruaja u ngrit nga tavolina dhe shkoi në tualet, por fëmija i tyre katër muajsh filloi të qante dhe 34-vjeçari nuk dinte çfarë të bënte për ta pushuar.

Ai tha se u irritua që gruaja e tij po vonohej të dilte nga banja për tu kujdesur për fëmijën dhe për këtë arsye e goditi.

Gruaja 30-vjeçare deklaroi në dëshminë e saj se ishte hera e parë që bashkëshorti i saj sillej dhunshëm dhe përshkroi momentin kur e sulmoi, ndërsa i kërkoi gjykatës që të mos e dënonte për veprimet e tij.

“Kjo mund t’i ndodhë çdo familjeje. Burri im erdhi nga puna dhe ne po flisnim për fëmijët tanë. Unë u çmenda, u tërbua edhe ai dhe kështu ndodhi. Më ka goditur me duar në fytyrë dhe më ka goditur me shqelma pas shpine”, tha në gjykatë gruaja me origjinë shqiptare.

“Ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë, nuk besoj se do ta bëjë përsëri sepse biseduam dhe më kërkoi falje. Jemi të martuar prej 5.5 vitesh dhe besoj se nuk do ta bëjë më sepse më do mua dhe fëmijët. Ishte një ditë e keqe. Nuk e di si ndodhi”, shtoi viktima.

“U mërzita kur ajo shkoi në tualet dhe mbylli derën. Vogëlushja filloi të qante dhe unë nuk mund të bëja asgjë. Unë i bërtisja që e vogla po qante dhe ajo nuk dilte nga banja. E humba, pashë fëmijën duke qarë dhe e humba. E godita me dorë. Ndërsa unë e shtyva, e tërhoqa dhe e godita me shkelma” , tha 34-vjeçari i cili u shpall fajtor për dhunë në familje.

Viktima ka pësuar lëndime fizike me të nxira në fytyrë, por 34- vjeçari ka mohuar se e ka goditur në kokë.

“E kapa kur doli nga tualeti dhe e shkelmova. Sinqerisht nuk e godita me dorë në fytyrë. Ishte hera e parë dhe më vjen keq. Nuk doja ta godisja seriozisht. Jemi shumë të afërt si familje. Nga mëngjesi në mbrëmje vrapoj”, pohoi ai, duke përsëritur se ka rrahur gruan e tij sepse foshnja e tyre ka qarë./Albeu.com/


Shtuar 29.04.2023 08:25