Kurti: Nuk do pranojmë krijimin e asociacionit të komunave serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se Serbia nuk është e gatshme për një dialog konstruktiv që do të rezultonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, gjatë intervistës për mediat boshnjake, Kurti ritheksoi se Prishtina nuk do të pranojë krijimin e asociacionit te komunave serbe.

“Kosova nuk do të lejojë një Republika Sërpska brenda saj dhe e dimë mjaft mirë se Serbia e do pikërisht këtë. Serbia do një shtet të saj brenda Kosovës. Qëllimi i beogradid është destruktiv, nuk do asgjë për serbët e Kosovës, vetëm do diçka kundër nesh. Serbia që thotë se Kosova është shtet fals dhe kërkon Asociacionin, nuk është serioz. Po ta donte Asociacionin do ta njihte së pari Kosovën. Ata duan Asociacionin që Kosova të bëhet jofunksionale,” tha ai.

Krijimi i asociacionit është kushti që i ka vendosur presidenti serb Aleksandër Vuçiç, Prishtinës, për kthimin e zyrtarëve serbë në institucionet shtetërore. Kryeministri Kurti u ndal edhe te propozimi “franko-gjerman”, i cili sipas tij është një bazë e mirë që të arrihet marrëveshja pranverën e ardhshme.

“Ka elemente të reja në atë propozim dhe është bazë e mirë për të vazhduar bisedimet tona në një nivel të ri. Duhet të shohim se si do të shkojnë takimet e reja, për ta ditur se ku jemi. Pranvera është një periudhë e mjaftueshme për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet, nëse kemi vullnetin e mirë,” tha ai.


Shtuar 1.12.2022 20:00