Pr.ligji për studentët e Mjekësisë ndez debate në Kuvend, Balla: Mos u bëni mish për top. Açka: Po na bëhet kurth!

Projektligji për studentët e mjekësisë ka ndezur debate në seancën e sotme parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Kuvendi miratoi sot që projektligji të diskutohet me procedurë të përshpejtuar. Sipas projektligjit të ri studentët e mjekësisë duhet të punojnë me detyrim pesë vite në Shqipëri, e më pas mund të diplomohen.

Por kjo nuk është pritur mirë nga opozita në parlament.

Deputetja e Partisë Demokratike Fltura Açka e ka cilësuar si ekstrem projektligjin e qeverisë per studentët e Mjekësisë. Sipas Açkës, është masë drastike e cila nuk është diskutuar me grupet e interesit.

“Duhen marrë masa që djemtë tanë mos të na ikin por ne duhet ta bëjmë atdheun tonë të dëshirueshëm kjo është një masë shumë ekstreme dhe nxitimi juaj është shumë i pavend. Është një masë drastike. Nuk është konsultuar me grupet e interesit. Nuk ka pse të vijë në parlament me kaq nxitim. Gjëja e parë që ndodh është shkelja e të drejtave të njeriut dhe është e papranueshme që në të vendosim me dhunë pa krijuar mundësinë që pse i marrim këto masa. Jam për të marra masa që fëmijët mos të na ikin por jo me këtë forma absurde. E shoh pavend që ta kaloni me kaq nxitim këtë masë drastike ekstreme.” tha Açka.

Me tej Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i është përgjigjur Flutura Açkës duke thënë se e vlerëson vendimin e qeverisë dhe i thotë deputetëve se do motivojnë mjekët ashtu sic kanë motivuar ligjvënësit të lënë emigracionin për të kontribuar në Shqipëri.

“ Na duhet të kemi 2.6 mjekë për 1000 banorë. Jo vetëm që e përshëndes vendimin e qeverisë për ta përfshirë këtë politikë të rëndësishme për ta kuptuar dhe ju. Ju jeni nga ato shembuj pozitivë se latë emigracionin për të kontribuar në Shqipëri. Na duhen mekanizma për të motivuar mjekët dhe për të plotësuar mungesat sipas nevojave. Është një investim publik dhe duhet t’i shërbejë qytetarëve. Ju s’keni për ta gjetur rrugën se mjafton dikush të tregojë pakënaqësi.”, tha Balla..

Pas kesaj Açka  i është përgjigjur Taulant Ballës, duke thënë se po i bëhet kurth nga Kuvendi sepse nuk ishin njoftuar për diskutim për studentët e mjekësisë dhe nuk janë të përgatitur.

“Keni ardhur i përgatitur me letra Balla. Ne s’jemi përgatitur se nuk e dinim. E shoh si kurth që po bëhet. Balla s’ka qenë i shqetësuar kur janë mbyllur shkollat. S’keni marrë asnjë masë. Thashë pse projektligji duhet të bëhet i përshpejtuar. Balla s’kam ndejtur në Shqipëri se e keni bërë ju më të bukur por se ashtu kam dashur unë. Bëni Shqipëri të bukur e s’kanë nevojë studentët të largohen. Kolegët tuaj shkonin me kobure për të kundërshtuar ndaj një këndi lojërash. Heroi Klevis Balliu bllokonte rrugën te Astiri. Mos u bëni mish për top për një gjë që i bën mirë një interesi publik. Jeni në këtë sallë për interesin e shqiptarëve””, tha Açka.

Studentët e mjekësisë pritet të dalin sot në protestë, pais kundërshtojnë vendimin që qeveria mori dje në lidhje me ndryshimet në arsim për studentët që do të nisin të studiojnë mjekësi.

Vendimi i ri detyron studentët të cilët do të nisin studimet në mjekësi që të punojnë pesë vite në Shqipëri, në mënyrë që të diplomohen.

Kryeministri theksoi dje se se është obligim për të gjithë studentët e vitit të parë që do të nisin studimet që të marrin parasysh kriteret e reja tashmë të universitetit të mjekësisë dhe nëse duan apo jo të nisin këtë rrugëtim.

Protesta që kanë paralajmëruar sot studentët do të jetë e treta në radhë. Pas një konsultimi mes tyre, në një mbledhje të mbajtur në orëm 17;00 të së mërkurës, ata kanë vendosur dhe planin se si do të mbahet kjo protestë. Me shënimin e orës 10:00 studentët do të nisin të grumbullohen në oborrin e fakultetit, pranë rektoratit.

Pas një fjale të mbajtur për mediat, ata pritet të marshojnë në grup, drejt Parlamentit në Shqipërisë, në një kohë kur ligjvënësit pritet të diskutojnë për çështjet e ditës. Studentët do të bëjnë thirrje dhe do të kundërshtojnë draft-propozimin, që shpejt pritet të kthehet në një vendim të miratuar, siç konfirmoi një ditë më parë kryeministri Edi Rama.

Studentët theksojnë se nuk duan të largohen nga Shqipëria, por e cilësojnë si një masë represive dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut mbajtjen me detyrim në atdhe./albeu.com/

/albeu.com/