Cunami i Strasburgut për drejtësinë e re, rrezikohet një faturë e lartë financiare

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit llogarit se Gjykatës së Apelit Administrativ i nevojiten rreth 24 vjet për të likuiduar totalin e stokut të dosjeve të grumbulluara deri në vitin 2022, kur 83% e çështjeve në pritje kanë kaluar afatin e arsyeshëm të gjykimit nga mungesa e gjyqtarëve për shkak të vetting-ut. Në Strasburg, vendimi “Për çështjen Bara dhe Kola kundër Shqipërisë”, që e cilëson të papranueshme shkeljen e afateve të gjykimit për shkak të Reformës në Drejtësi për juristët, ndez dritën jeshile për vërshimin e shumë dosjeve administrative dhe penale drejt kësaj gjykate për përfitim dëmshpërblimi. Sa do të jetë fatura financiare?

Askush nuk do ta besonte se Reforma në Drejtësi do të mbërrinte në pikën ku nuk “mallëngjen” më as Strasburgun. Vendimi i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg “Për çështjen Bara dhe Kola kundër Shqipërisë” i marrë më 28 Shkurt 2022, i cili nuk e cilëson të arsyeshëm tejkalimin e afatit për shqyrtimin e çështjeve për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve nga vetting-u i Reformës në Drejtësi, sipas avokates Etleva Haka shënon një precedent për drejtësinë shqiptare.

Për avokaten Haka, pas vendimeve me faturë të lartë financiare për dëmshpërblimet e kontratave të investimeve të huaja në Gjykatën e Arbitrazhit, një tjetër kosto dëmshpërblimesh pritet të vërshojë mbi xhepat e taksapaguesve shqiptarë për kalimin përtej çdo afati të arsyeshëm të mosshqyrtimit nga sistemi i ri i drejtësisë të mijërave dosjeve, që lidhen me padrejtësitë administrative dhe jo vetëm.

Numri i dosjeve që kanë kaluar afatet e gjykimit në Gjykatën e Apelit Administrativ, deri në fund të vitit 2022, të publikuara në raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit është alarmant. Referuar raportit të KLGJ-së, stoku i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Apelit Administrativ deri në fund të vitit 2022 është 21,166 çështje në pritje. Stoku i dosjeve u rrit 15% krahasuar me vitin 2021.

83% e dosjeve në pritje të gjykimit kanë vjetërsi mbi 12 muaj, për rrjedhojë kanë kaluar afatet e arsyeshme të gjykimit parashikuar nga neni 399/2 të Kodit të Procedurës Civile. KLGJ thekson se koha e nevojshme për likuidimin e çështjeve nga gjykata e shprehur në ditë (treguesi DT) është rreth 24 vite. “Ky tregues shfaq qartë gjendjen problematike të Gjykatës Administrative të Apelit”, citohet në raport.

Numri i plotë i gjyqtarëve për Apelin Administrativ është 13. KLGJ nënvizon se numri efektiv i tyre në 2022 ishte 6 gjyqtarë, çka dikton nevojën për ndërhyrje në kuadrin ligjor apo me karakter organizativ, me qëllim uljen e ngarkesës së gjykatës.

Por në kushtet e funksionimit të organikës së plotë të numrit të gjyqtarëve (13 gjyqtarë) të dedikuar vetëm për likuidimin e stokut të 2021 prej 18,415 dosjesh dhe me normën e eficiencës së 2022 (159,5 çështje për gjyqtar) KLGJ llogarit se do të duheshin 9 vite për shqyrtimin e tyre.

Edhe për avokaten Etleva Haka, “thembra e Akilit” të stokut të dosjeve të pashqyrtuara, përtej afateve të arsyeshme, është në Gjykatën e Apelit Administrativ. Në kushtet kur KLGJ llogarit se afati për likuidimin e stokut të 2022 arrihet për 24 vite, vendimi i Strasburgut “Për çështjen Bara dhe Kola kundër Shqipërisë” të shkurtit të 2022, ku nuk e cilëson të arsyeshme kalimin e afatit për shqyrtimin e çështjeve për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve nga vetting-u i Reformës në Drejtësi, sipas avokates Haka hap rrugën e dhënies së dëmshpërblimeve me faturë të lartë ndaj buxhetit, për të gjithë individët që u janë bërë padrejtësi në marrëdhëniet e punës, pensionet e pleqërisë, pronat apo çështje që lidhen me të drejtat themelore të njeriut.

“Kemi rastin e dy qytetarëve, Bara dhe Kola, në një vendim që tashmë është publik, të cilëve, jo vetëm u është mohuar e drejta për gjykim të drejtë, në shkelje të nenit 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, por u është thënë që gjykimi i arsyeshëm duhej të ishte garantuar, pavarësisht marrjes në konsideratë të vonesës së kuptueshme të shkaktuar nga reformat e thella në sistemin e drejtësisë dhe nga procesi i vetting-ut.

Parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm ka rëndësi themelore për gjykimin civil/administrativ, pasi përbën dhe një nga elementet e procesit të rregullt ligjor të parashikuar në nenin 6 të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut. Ky parim bazohet në postulatin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Shkalla e respektimit të këtij parimi përcakton, në mënyrë të ndjeshme, dhe efektivitetin e procesit gjyqësor.

Pas këtij vendimi pritet të ndodhë fenomeni i dërgimit të çështjeve për shqyrtim në Strasburg dhe të gjithë do të kenë të njëjtin fat si vendimi i përmendur. Por nuk është vetëm procesi i marrëdhënies së punës, janë edhe procese të tjera që zvarriten në kohë pambarimisht, si ato të pronave, të kontratave, pra civile dhe penale, që do të kenë gjasa t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut”, thekson znj. Haka.

Avokatja Haka thekson se janë të shumta dosjet në këtë gjykatë për pritje vendimesh. Afatet e maksimale të pritjes për shqyrtim arrijnë 9 deri në 12 vjet. Vendimi i Strasburgut, sipas saj, tregon qartazi se vonesa e gjykimit të çështjeve nuk mund të justifikohet më me vonesën dhe problemet që ka shkaktuar Reforma në Drejtësi.

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, thekson znj. Haka, vijon të shprehet mbi kërkesat e paraqitura nga avokatët për vonesat e pajustifikuara në shqyrtimin e çështjeve se nuk janë të qëllimshme, pasi gjyqtarët kanë qenë në mungesë absolute të aftësive për të gjykuar, si shkak kanë marrë reformën në drejtësi.

“Përpara Reformës në Drejtësi, çështjet gjyqësore të marrëdhënieve të punës nuk zgjasnin më shumë se dy vite në të dyja shkallët e gjyqësorit.

Tashmë Gjykata e Apelit Administrativ është duke shqyrtuar çështjet e vitit 2014, pra kanë kaluar 9 vjet nga koha kur është paraqitur ankimi në apel. Këto 9 vite për një nëpunës të administratës shtetërore përkthehen në 9 vite që shteti duhet të paguajë pagën e nëpunësit të liruar padrejtësisht dhe sigurimet shoqërore dhe në të njëjtën kohë, paguan edhe pagën e nëpunësit që ka zëvendësuar.

Shumica e dosjeve kanë mbetur pa u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit. Shumë pak prej tyre po arrijnë të shkojnë në Gjykatën e Lartë. Rekurset në Shkallën e Lartë mund të zgjasin nga 3 deri në 12 vjet.

Në vitin 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendim që gjykatat t’i kenë prioritet në kalendarët e shqyrtimit të dosjeve çështjet e marrëdhënies së punës dhe të pensioneve. Pra ka pasur përpjekje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për avancimin e afateve të gjykimit, por që praktikë nuk po zbatohet.

Nga ana tjetër, edhe harta e re gjyqësore është një dështim për respektimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese dhe të Konventës së të Drejtave të Njeriut”.

Cilat janë afatet e arsyeshme për gjykim në vendimin e Strasburgut

Për të dyja çështjet ankimuese Bara dhe Kola, për të cilat Gjykata e Strasburgut nuk njeh shkeljen e afateve ligjore të gjykimit për shkak të formës në drejtësi, rezulton se ankimuesit i kanë dërguar çështjet për shqyrtim jashtë vendit pas pritjes 3 deri në 4-vjeçare të shqyrtimit nga Gjykata e Lartë.

Në vendimin e Strasburgut thuhet se kërkuesi i parë “Bara kundër Shqipërisë” paraqiti kërkesë në Gjykatën Lartë më 4 maj 2018 dhe u shqyrtua më 24 shkurt 2021.

Gjykata e Lartë pasi shqyrtoi ankimin e kërkuesit të parë dhe, pasi identifikoi një sërë mangësish në procedurat e Gjykatës Administrative të Apelit, e ktheu çështjen për një gjykim të ri nga një tjetër trupë gjykuese në atë gjykatë. Nën këto rrethana, çështja mbeti pezull në Gjykatën Administrative të Apelit.

Ankimimi i dytë “Kola kundër Shqipërisë” u dorëzua në Gjykatën e Lartë më 27 mars 2017 dhe 5 mars 2021, Gjykata e Lartë, e mbledhur në një trupë të përbërë nga tre gjyqtarë, e deklaroi të pranueshëm. Më tej nuk rezultoi që Gjykata e Lartë të kishte përcaktuar një datë për shqyrtimin e ankimit në themel.

Më tej, në vendim pasqyrohet në mënyrë të detajuar reduktimi i numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë që nga marsi i 2016, pas zbatimit të Reformës në Drejtësi, deri në 2021. Ndërsa stoku i dosjeve të pashqyrtuara deri më 12 shkurt 2021 ishte 36,609 çështje.

“Deri në mars 2016, Gjykata e Lartë përbëhej nga 17 gjyqtarë nga 19 gjyqtarë që duhej të ishin në total. Nga muaji prill 2016 dhe deri në tetor 2017, 7 gjyqtarë dhanë dorëheqjen dhe një u shpall fajtor për një vepër penale dhe u pushua.

Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori reformat e gjera në sistemin e drejtësisë, të cilat sollën ndryshime në Kushtetutë dhe hyrjen në fuqi të një sërë statutesh të rëndësishme, në lidhje me, midis të tjerash, rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë (ndryshe i njohur si procesi i vetting-ut për gjyqtarët dhe prokurorët), organizimin e gjyqësorit, duke përfshirë organizimin e Gjykatës së Lartë dhe krijimin e organeve të reja qeverisëse në sistemin e drejtësisë.

Nga muaji korrik 2018 deri në maj 2019, si rezultat i procesit të vetting-ut të realizuar për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 7 nga 9 gjyqtarët e mbetur u pushuan nga detyra.

Kështu, më 31 korrik deri më 11 dhjetor 2018, Gjykata e Lartë përbëhej nga 4 gjyqtarë, të cilët mund të shqyrtonin lloje të caktuara të ankimeve të Kasacionit; nga data 12 dhjetor 2018 deri më 21 maj 2019, ajo përbëhej nga 3 gjyqtarë; dhe nga data 22 maj 2019 deri më 18 mars 2020, Gjykatës së Lartë i mungonte kuorumi statusor prej tre gjyqtarësh për shqyrtimin e të gjithë ankimeve të Kasacionit.

Vetëm 2 gjyqtarë u konfirmuan në detyrë pas kalimit me sukses të procesit të vetting-ut. Në dhjetor 2018, njëri nga dy gjyqtarët e konfirmuar u zgjodh si përfaqësues në Këshillin e Lartë Gjyqësor – (KLGJ), një organ i ri qeverisës përgjegjës për menaxhimin e gjyqësorit, kështu që mandati i tij në Gjykatën e Lartë u pezullua ex lege. Që prej datës 30 korrik 2021, në Gjykatën e Lartë kanë ushtruar detyrën 9 gjyqtarë nga totali i pretenduar prej 19 gjyqtarësh”.

Në vijim të vendimit, në opinionin e dakordësuar të 2 gjyqtarëve të Strasburgut, citohet se “pa neglizhuar dobësitë përpara se procesi i vetting-ut të prodhonte efektet e tij dramatike në gjyqësor, vendimi mund të shkonte përtej marrjes në konsideratë modestish të vështirësive të shkaktuara nga procesi i vetting-ut dhe ta hiqte periudhën përkatëse, në vend që ta vlerësonte, në mënyrë të konsoliduar nga vonesa e përgjithshme me të cilën u deshën që të përballeshin dy kërkuesit”.

Fatura e dëmshpërblimit

Pritet të shtohet fatura e shpenzimeve të buxhetit të shtetit, si pasojë e ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe përfitimit të dëmshpërblimit financiar nga të larguarit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e performancës për vitin 2022, vëren se nga 428 ankesa të depozituara pranë këtij institucioni nga qytetarët, 365 janë të lidhura kryesisht me çështjen e regjistrimit të pronave, të prokurimit publik, largimeve nga puna, etj.

KLSH thekson se fatura financiare nga shpenzimet për vendimet e formës së prerë për largimet e padrejta nga puna në 3 institucione shtetërore, si: Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MAS), Alpetrol dhe KESh janë rreth 3,2 milionë euro.

Konkretisht në Alpetrol, shpenzimet në vlerën 2,9 milionë euro kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve gjyqësore për largime nga puna të punonjësve në kundërshtim me kuadrin rregullator në fuqi, për shpërblime dietash me vlerë më të madhe se kufijtë e lejuar ligjorë, si dhe persona të punësuar mbi strukturën e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, të cilat janë konsideruar si efekt financiar negativ.

Në Ministrinë e Arsimit janë krijuar detyrime të prapambetura për periudhën shtator 2020-shtator 2021, në vlerën 109 mijë euro për largime të padrejta nga puna.

Ndërsa KESH, sipas raportit të KLSH, ka kryer pagesa të vendimeve gjyqësore për zgjidhje të kontratave të punësimit, duke mos zbatuar afatet ligjore të njoftimit dhe pa shkaqe të arsyeshme, me pasojë efekt financiar negativ për vlerën rreth 150 mijë euro.

Avokatja Etleva Haka parashikon se me shtimin e numrit të çështjeve që do të t’i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kostoja e buxhetit për pagesat e dëmshpërblimeve do të rëndohet.

“Por nuk mbaron këtu, sepse secili prej këtyre individëve të prekur nga tejzgjatja e pajustifikuar e procesit gjyqësor gëzon të drejtën të kërkojë dëmshpërblim nga gjykata në bazë të nenit 399 /3 (Shpërblimi i drejtë për shkeljen e afatit të arsyeshëm do të konsiderohet njohja e shkeljes, çdo masë e marrë për të përshpejtuar procedurat e hetimit, gjykimit të çështjes dhe të ekzekutimit të vendimit, dhe/ose shpërblimin e dëmit, sipas përcaktimeve të këtij kreu. 2.

Cilido që është i përfshirë në një proces ligjor, në cilësinë e palës në proces, ka të drejtë shpërblimin e drejtë, siç përcaktohet nga ky nen).

Në të gjitha rastet e paraqitua në Gjykatën e Lartë për konstatimin e shkeljes së gjykimit të drejtë brenda afateve të përcaktuara nga ligji, Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin se “përbën një fakt të njohur botërisht se Reforma në Drejtësi ka shkarkuar/pezulluar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh në Republikën e Shqipërisë.

Ky proces natyrshëm ka krijuar kosto për qytetarët në tejzgjatjen e afateve për gjykimin e çështjeve gjyqësore. Këto vështirësi janë proporcionale në raport me të mirën e përgjithshme që padyshim krijon procesi i reformës”

Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, një pretendim të tillë të gjykatës shqiptare për vonesat në gjykim, e ka quajtur nul të papranueshëm, sipas vendimit të çështjes “Bara dhe Kola kundër Shqipërisë”.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut më 28 shkurt 2022 u ka hapur rrugën të gjitha gjykimeve që do të shkojnë nga Shqipëria në Strasburg për të kërkuar dëmshpërblim për arsye të tejzgjatjes së proceseve gjyqësore”, thekson znj. Haka.

Sipas avokates Haka, vendimi i Strasburgut është sinjal alarmi. “Dëmshpërblimet që do të jepen nga kjo gjykatë për shkak të shkeljeve të afateve të arsyeshme të gjykimit nuk do t’i mbulojë dot më justifikimi që gjithçka ka ndodhur për shkak të Reformës në Drejtësi.

Fatura e lartë financiare e dëmshpërblimeve, që do të rëndojë buxhetin e shtetit, na prek të gjithëve, çdo qytetar të
RSH-së taksapagues, që nga i porsalinduri që lind me borxhe deri te pensionistët”.

Stoku i dosjeve në Apelin Administrativ

Në total, në Gjykatën e Apelit Administrativ deri në fund të 2022 presin për t’u shqyrtuar 21,166 dosje. Sipas të dhënave të KLGJ-së rezulton se 13% e stokut janë çështje që presin të gjykohen prej më shumë se 5 vitesh. 35% e totalit të stokut presin të shqyrtohen prej 3-5 vjetësh.

16% e çështjeve janë në pritje prej 2–3 vjetësh. Rreth 19% e stokut të dosjeve të pashqyrtuara presin prej 1-2 vjetësh. Në total, vërehet se 83% e çështjeve në pritje të gjykimit, për rrjedhojë kanë kaluar afatet e arsyeshme të gjykimit, parashikuar nga neni 399/2, të Kodit të Procedurës Civile.

Sipas llojit të çështjeve Backlog-u, në fillim të vitit 2022 rezultoi se stoku i gjykatës përbëhet në masën 77% nga dosje administrative të përgjithshme (14,114 çështje gjithsej), 14% çështje administrative pa palë kundërshtare (2,627 çështje gjithsej) dhe vetëm 9% ose 1,674 çështje që i përkasin marrëdhënieve të punës.

Gjatë vitit 2022, në Gjykatën Administrative të Apelit, një gjyqtar ka pasur në ngarkim mesatarisht 3,953 dosje gjyqësore për të shqyrtuar, pra 1,159 çështje më tepër sesa në vitin 2021. Sipas raportit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, kjo rritje me 42% është shkaktuar nga ulja e numrit të gjyqtarëve efektiv me 19%, si dhe rritja e numrit të çështjeve të mbartura nga viti i mëparshëm.

Stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë e ka filluar vitin 2022 me një total prej 36,066 çështjesh në pritje të gjykimit. Në fund të 2022, stoku u reduktua 12%. KLGJ parashikon se nëse do të ruheshin të njëjtat ritme likuidimi, 19 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të likuidonin të gjithë backlog-un e Gjykatës së Lartë brenda dhjetorit të 2026-s.

52% e stokut të Gjykatës së Lartë përbëhet nga çështje civile, 15% penale dhe 33% administrative. Në vitin 2022 janë regjistruar në Gjykatën e Lartë 2,096 çështje të reja për t’u shqyrtuar. Në krahasim me një vit më parë, shënohet një ulje prej 27% të regjistrimeve të reja, e cila shkaktohet nga rënia e regjistrimeve në të tre fushat e së drejtës.

Raporti i KLGJ-së vëren se ndikim të ndjeshëm ka pasur rënia e regjistrimeve të reja në çështjet civile me 41%, ndërsa janë regjistruar 33% më pak çështje administrative./monitor