Pabarazia, kriza e përhershme që duhet adresuar pa humbur më kohë

Nga Lamia Kamal-Chaoui “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kriza është shndërruar në një normalitet të ri. Ndërsa bota po përpiqet të rimëkëmbet nga pandemia, lufta e Rusisë ndaj Ukrainës na ka zhytur në një krizë të re të kostos së jetesës. Megjithëse inflacioni ka rënë nga kulmi i tij, çmimet vazhdojnë të rriten ndërsa kjo gjë nuk po ndodh me të ardhurat.

Dhe ndërsa qeveritë janë me të drejtë të përqendruara tek masat për uljen e inflacionit, ekziston një kërcënim tjetër edhe më i përhapur që lidh këto kriza: pabarazia.

Gjatë 3 dekadave të fundit, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është zgjeruar në shumicën e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Vetëm gjatë 2 viteve të para të pandemisë, pasuria e 10 individëve më të pasur në botë u dyfishua, ndërsa mbi 100 milionë njerëz në mbarë botën u zhytën në varfëri. Dhe tani, kriza e kostos së jetesës po prek në mënyrë disproporcionale familjet më të varfra, të cilat shpenzojnë 2 herë më shumë nga të ardhurat e tyre për produktet më thelbësore në krahasim me ato më të pasura.

Çdo krizë që kalon pas lë gjurmë edhe më të thella sesa pabarazia, duke e dëmtuar aftësinë tonë për t’u përballur me vështirësitë që kemi përpara. Kjo është ndoshta më problematike kur flitet për strehimin. Çmimet e shtëpive janë rritur me mbi 70 për qind gjatë 30 viteve të fundit – më shpejt sesa rritja e të ardhurave – dhe tani shumë familje me të ardhura të ulëta shpenzojnë 40 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për qiratë dhe kreditë.

Këto kosto të larta po e thellojnë pabarazinë, duke ngushtuar çdo lloj hapësire ​​për investime në arsim dhe shëndetësi, teksa po i nxit familjet me të ardhura më të ulëta të zhvendosen jashtë qendrave të qyteteve dhe larg mundësive të punësimit.

Ndërkaq, strehimi i papërballueshëm dhe i papërshtatshëm gjithashtu, ekspozon në mënyrë disproporcionale më të cënuarit nga pasojat negative të çdo krize të re. Për shembull, banesat e mbipopulluara e përshpejtuan përhapjen e pandemisë, dhe investimi i pamjaftueshëm tek izolimet nënkuptonte se familjet me të ardhura më të ulëta mbanin peshën kryesore të rritjes masive të kostove të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërkohë, kjo përzierje toksike e krizës dhe pabarazisë, po bën që gjithnjë e më shumë njerëz ta humbasin besimin tek sistemi, duke e vënë në presion kontratën sociale, nga e cila varen shoqëritë tona. Besimi tek qeveria ka rënë ndjeshëm gjatë krizës globale financiare të vitit 2008, nga e cila u desh një dekadë për t’u rikuperuar.

Dhe ndërsa pati një rritje të hershme të besimit pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19, ai ra sërish shpejt, dhe deri në fund të vitit 2022, ishte vetëm pak më i lartë se gjatë pasojave të krizës së 2008-ës. Rajonet që kanë vuajtur më shumë në aspektin ekonomik, kanë nivele edhe më të ulëta të besimit tek qeveritë e tyre, pasi studimet tregojnë se në të gjithë Evropën, nivelet më të larta të pabarazisë sociale dhe ekonomike shoqërohen me më pak besim tek qeveria.

Njerëzit e humbasin besimin tek një sistem politik që nuk arrin të ofrojë mundësi për të gjithë apo për të lehtësuar gjendjen e tyre. Thyerja e këtij cikli përforcues të rritjes së pabarazisë dhe rënies së besimit, është një problem shumëdimensional që kërkon veprim në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Megjithatë, shpesh janë qytetet – dhe kryetarët e bashkive që i udhëheqin – ata që janë në vijën e parë. Qytetet janë motorë mundësish dhe zhvillimi. Ato kanë sjellë 70 për qind të rritjes së PBB-së globale gjatë 2 dekadave të fundit.

Por kanë në të njëjtën kohë nivelet më të larta të pabarazisë. Pra, në mesin e kësaj krize të kostos së jetesës, kryebashkiakët më të mirë të OECD-së për Rritjen Gjithëpërfshirëse u mblodhën në Samitin Urban të Brukselit muajin e kaluar me një qëllim të qartë: t’i bëjnë qytetet e tyre më të përballueshme për t’u jetuar nga të gjithë.

Në terma afatshkurtër, kjo do të thotë të adresojmë problemin e kostove në rritje të gjërave thelbësore si ushqimi dhe energjia. Por në terma afatgjatë, një çështje që nuk mund të injorohet është strehimi, dhe mënyrat përmes të cilit ai po e rrënjos më tej pabarazinë.

Lajmi i mirë është se në të gjitha qytetet e tyre, kryetarët e bashkive janë në ballë të luftës kundër rritjes së kostos së banesave, si dhe sfidave më të gjera të pabarazisë. Në Glasgow, kryebashkiakja Susan Aitken po e shfrytëzon krizën e klimës për të zgjidhur problemin e banesave të papërshtatshme. Pra po punon për heqjen dorë nga përdorimi i qymyrit për ngrohje për 400.000 shtëpi për të reduktuar emetimet, për të reduktuar faturat e energjisë dhe për të krijuar mundësi punësimi.

Në Buenos Aires, kryebashkiaku Horacio Rodríguez Larreta ka një plan për të integruar zonat më të pa privilegjuara të qytetit, dhe për të adresuar politikat strukturore duke ndërtuar shtëpi të reja, dhe duke përmirësuar ndërlidhjen. Ky projekt përfshin ndërtimin apo riparimin e rreth 10.000 shtëpive të reja dhe mbi 46 kilometra infrastrukturë transporti, që përkthehet në 131.000 m2 trotuar, 508 rrugë të reja dhe 7 linja autobusësh për të lidhur lagjet e izoluara.

Ndërsa ishin në Bruksel, kryebashkiakët e spikatur përdorën këta shembuj dhe shumë politika të tjera novatore nga i gjithë koalicioni për të zhvilluar “Projektin e Brukselit për qytete të përballueshme dhe strehim për të gjithë” – një mori angazhimesh ambicioze për ta vendosur në një rrugë më të qëndrueshme dhe më të përballueshme problemin e strehimit, madje edhe si një bazë për rritjen gjithëpërfshirëse.

Premtimi shërben gjithashtu si një thirrje globale për veprim, si një sinjal nga kryetarët e bashkive për komunitetin ndërkombëtar se ndërsa është thelbësor reagimi ndaj ndryshimeve krimatike, qëndrueshmëria në një botë të pasigurt mund të arrihet vetëm duke reduktuar pabarazinë dhe duke ofruar një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse.

Strehimi i përballueshëm dhe i përshtatshëm është themeli kryesor i këtij vizioni, dhe koha për të vepruar është tani, përpara se të godasë kriza e ardhshme.

Shënim:Lamia Kamal-Chaoui, drejtoreshë e Qendrës së Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për Sipërmarrjen, SME-të, Rajonet dhe Qytetet.

/albeu.com

 

 

 

 


Shtuar 16.07.2023 10:41

Tags: