Shkarkohet komandanti i Forcave Detare
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar shkarkimin e Komandantit të Forcave Detare, Gjeneral Major Ylber Dogjani.

Vendimi për shkarkimin e tij erdhi pas kërkesës së ministres se Mbrotjes Olta Xhaçka. Ngjarja e rëndë që i kushtoi karrierën Dogjanit lidhet me vjedhjen e armëve me bazën e Pashalimanit, ku inventarit i munguan një numër i konsiderueshëm automatikësh, granatash dhe pistoletash.

Kush është Gjeneral Major Ylberi Dogjani
Gjeneralmajor Ylber Dogjani, lindi më 16 maj 1962 në Pukë. Ai e filloi jetën ushtarake herët si skënderbegas dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake.

Pas përfundimit të Akademisë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1985, ka ndjekur dhe përfunduar Kursin 2 – vjeçar të Shtabit të Përgjithshëm, në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” (2003 -2005) dhe në vitin 2010 përfundoi me sukses studimet në Kolegjin e Mbrojtjes “Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes”.

Gjeneralmajor Ylber Dogjani zotëron titullin “Master”.Gjatë karrierës së tij ka patur mundësinë dhe sfidën për të kryer detyra komanduese në nivele të ndryshme në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm si: shef Ofiçine Brigadë, shef i Degës Teknike në Divizion, shef Shtabi ne Brigadën e Transportit, komandant i Batalionit të Transportit dhe Furnizimit të FA, shef i Degës së Transportit dhe shef Planëzimi në Drejtorinë e Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në Komandën e Forcës së Bashkuar, shef Shtabi në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, zëvendëskomandant në Brigadën Logjistike, drejtor i Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes, komandant i Qendrës së Personel Rekrutimit, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe komandant i Komandës së Mbështetjes.

Gjatë karrierës së tij, gjeneralmajor Ylber Dogjani ka kaluar nëpër gradat kapiten – 1991, major – 1992, nënkolonel – 1995, kolonel – 2007, me Dekret të presidentit të Republikës, nr. 8230, datë 24 06.2013 është promovuar me gradën madhore gjeneral brigade.

Në bazë të Dekretit Nr. 9699 datë 13.07.2016 “ Për dhënie grade madhore” të Presidentit të Republikës së Shqipërisë gjeneral brigade Ylber Dogjani i jepet grada gjeneralmajor.

Po me Dekret të presidentit të Republikës nr. 9274, datë 13.10.2015, u emërua komandant i Forcës Detare.

Gjatë karrierës së tij, për punë të shquar dhe kontribute të veçanta, gjeneralmajor Ylber Dogjani është vlerësuar me urdhra, dekorata dhe medalje të larta.

Gjeneralmajor Ylber Dogjani është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Ai zotëron gjuhën angleze dhe gjermane.
Shtuar më 02/08/2019, ora 16:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori