Axhenda/ Nis turi dy ditor në Ballkanin Perëndimor, Rama në pritje të konfirmimit nga Kurti për takimin “kokë më kokë” në Kosovë

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë sot Kosovën, në kuadër të një turi dy ditor që do të zhvillojë në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë turit Rama do të komunikojë me liderët e këtyre shteteve për të çuar përpara agjendën e Procesit të Berlinit. Sakaq gjatë vizitës sot në Prishtinë, Rama duket se nuk do të takohet me homologun nga Kosova, Albin Kurti, pasi ky i fundit e kushtëzoi takimin me Ramën, duke thënë se nuk do të takohet me atë nëse nuk bisedojnë për mbledhjen e anuluar të dy qeverive që ishte planifikuar për më datë 14 qershor.

Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë mes dy liderëve. Pasi edhe vetë Rama në axhendën që publikoi pak më herët në llogarinë e tij Facebook  thotë se është në pritje të konfirmimit nga ana e Kurtit për një takim mes të dyve.

Në këtë mënyrë Rama ia lë “topin” Kurtit. Do të jetë kryeministri i Kosovës ai që e ka në dorë nëse do të takohet apo jo më Ramën sot.

I pyetur nëse do të takohet me Kurtin pas kushtëzimit që ai i bëri, Rama preferoi të mos tregonte asgjë dje , duke thënë se për këtë çështje do të flasë kur të jetë në Prishtinë.

“Nuk kam lidhje me këtë, jam këtu vetëm për këtë vendimin e studentëve. Sa i përket vajtjes në Prishtinë dhe të gjithë turit do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, tha Rama.

Do të jetë presidentja Vjosa Osmani ajo që do të presë kryeministrin Rama sot në Kosovë rreth orës 16:00. Edi Rama gjatë vizitës së tij në Prishtinë do të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kryeministri do ta  nisë turin  sot me Maqedoninë e Veriut dhe më pas do të shkojë në Kosovë, ku edhe do të kalojë natën. Të premten do të udhëtojë për në Mal të Zi, Serbi dhe Sarajevë.

Më 16 tetor 2023, Tirana zyrtare do të presë samitin e Procesit të Berlinit. Por qeveria shqiptare ka nisur përgatitjet që tani.

/albeu.com/