Perëndimi duhet të krijojë një të çarë midis Putinit dhe elitave të Rusisë

Nga Boris Bondarev “The Moscow Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Rusia e Vladimir Putin ka tashmë ka një vit që është në luftë kundër Ukrainës. Gjatë kësaj kohe, për shumë njerëz është bërë e qartë se edhe rikthimi i Donbasit dhe Krimesë nën kontrollin e Kievit, nuk do të çojë automatikisht në përfundimin e konfliktit.

Ashtu siç është gjithnjë e më e qartë se kërcënimi i luftës në Evropë nuk do të zvogëlohet, për aq kohë që Vladimir Putin do të mbetet në Kremlin. Edhe nëse mposhtet në fushën e betejës, Putini do të vazhdojë me kërcënimet e tij bërthamore (ose ndoshta edhe do të përdorë ndonjë armë bërthamore), do të shtojë intrigat e tij kundër Perëndimit, do të përpiqet të destabilizojë Evropën me çdo lloj mënyre të mundshme, dhe në fund do të rifillojë agresionin ushtarak kundër Ukrainës apo ndaj ndonjërit nga fqinjët e tjerë.

Kësisoj për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme në Evropë, detyra e vetme më e rëndësishme duhet të jetë ndryshimi i regjimit në Federatën Ruse, e cila, tani për tani, është nga vetë natyra e saj e dënuar për të ndërmarrë akte agresioni kundër vendeve të tjera.

Për habinë e shumë analistëve, elita ruse vazhdon që të tregojë një kohezion të madh rreth presidentit Putin. Figura të njohura për mendësinë e tyre “liberale” si ish-Ministri rus i Financave Alexei Kudrin, kryetarja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina dhe kreu i Sberbank, German Gref, si dhe disa nga menaxherët më efektivë të Putinit, si kryeministri Mikhail Mishustin dhe kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin, po tregojnë që të gjithë besnikëri ndaj diktatorit, dhe po punojnë në mënyrë aktive për të ruajtur regjimin e tij.

Dhe kjo megjithëse ata e kuptojnë thuajse me siguri se ai po e çon vendin drejt humnerës, dhe se arritjet e tij ekonomike të 20 viteve të fundit janë zhbërë tashmë nga veprimet e tij të pamatura në Ukrainë. Shumë ekspertë pretendojnë se një humbje e Putinit në Ukrainë do të çonte në pakënaqësinë e një pjese të elitave dhe potencialisht në një grusht shteti kundër tij.

Një skenar i tillë mund të duket i besueshëm, por kushdo që nxit një grusht shteti ka nevojë për një vizion mbi të ardhmen e Rusisë pas Putinit. Dhe nuk ka dyshim se kjo është shumë më pak e thjeshtë nga sa duket. Ndonëse elita ruse nuk është e dashuruar me politikat e Putinit, ato nuk shohin aktualisht ndonjë alternativë ndaj sundimit të tij.

Perëndimi i ka ndërprerë të gjitha lidhjet. Investimet dhe pronat e tyre evropiane janë duke u sekuestruar, dhe duket se ai nuk ka hequr dorë nga sanksionet. Njëkohësisht, politikanët e opozitës ruse në mërgim ose e shpërfillin rolin e mundshëm që mund të jenë në gjendje të luajnë elitat e Putinit në rindërtimin e vendit ose lobojnë në mënyrë aktive për vendosjen e më shumë sanksioneve kundër anëtarëve të saj për shkak të mbështetjes së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Veprimet e tyre i dërgojnë një mesazh të qartë këtyre shtyllave të regjimit të Putinit: ju jeni armiqtë tanë, ne nuk kemi ndërmend të negociojmë me ju, dhe kur të vijmë në pushtet pas rrëzimit të regjimit aktual, do të ndëshkoheni që të gjithë.

Është kjo arsyeja pse elitat ruse e shohin Vladimir Putinin, si mundësinë e tyre të vetme për të ruajtur statusin e tyre të lartë, pasurinë e madhe dhe një lloj të ardhmeje. Cili oligark do të rrezikonte gjithçka për të përmbysur një diktator, në mënyrë që pasuria dhe fuqia e tij të përlahet nga një grup revolucionarësh?

Sado e pakëndshme që mund të jetë, duhet pasur një qasje më dinamike dhe më realiste ndaj tyre. Elita ruse duhet të përçahet. Asaj i duhet bërë e qartë se pas rrëzimit të Putinit, vetëm figurat qendrore të regjimit të tij do të mbajnë përgjegjësi dhe do të ndëshkohen për pushtimin e paligjshëm të Ukrainës si dhe për krimet e regjimit kundër qytetarëve të tij.

Anëtarëve të elitave të Putinit që e kundërshtojnë në mënyrë aktive regjimin, qoftë nëpërmjet akteve të kundërshtimit të hapur publik apo formave të tjera më pak të dukshme, si sabotimi i blerjeve në fushën e mbrojtjes, duhet t’u jepen garanci se nuk do të përballen me burgim ose konfiskimin e aseteve të tyre, dhe se për ta do të mbeten të hapura disa perspektiva politike.

Nëse kjo do t’u bëhet e qartë, ata do të kuptojnë se kanë realisht një të ardhme të qëndrueshme dhe pa Putinin në krye të vendit. Miratimi i një qasjeje të tillë, do të ishte një lëvizje shumë largpamëse për një opozitë të bashkuar ruse, duke e theksuar gatishmërinë e Perëndimit për të negociuar me ata anëtarë të elitës së Putinit, që do të ndihmonin në rrëzimin e tij të mundshëm nga pushteti.

Nëse Ukraina dhe Perëndimi do ta pranonin vlefshmërinë e një qasjeje të tillë, Rusisë do t’i dërgohej një sinjal i qartë. Kjo formë subversioni mund të bëhet një aspekt i rëndësishëm i betejës për ta çliruar Rusinë nga Putini.

Në rast se një nga grupimet kryesore të opozitës e mbështet një lëvizje të tillë, ai do ta gjente më pas veten në një pozicion goxha të mirë për të vepruar si një ndërmjetës midis kundërshtarëve të Putinit brenda pushtetit vertikal të tij dhe kundërshtarëve të Putinit jashtë vendit.

Dhe kur të vijë koha e duhur, kjo do t’i siguronte opozitës ruse një vend në tryezë, duke e bërë shumë më të lehtë për politikanët e mërguar rusë që të marrin pjesë në proceset e ardhshme politike në një Rusi post-Putin. /albeu.com

Shënim:Boris Bondarev, ish-diplomat rus në OKB, që dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

 


Shtuar 1.03.2023 11:33