EMRI/ Organizoi vrasjen e kunatit, arrestohet në Lezhë 30-vjeçari i kërkuar nga Italia

Policia ka arrestuar në Lezhë, Gëzim Gjinin, 31-vjeçarin i cili kërkohet nga autoritetet italiane, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

I riu ka organizuar vrasjen e kunatit të tij në Itali (bashkëshortit të motrës), ngjarje e ndodhur më 13 dhjetor 2022.

Pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.

“Specialistët e strukturave hetimore  dhe forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të koordinuara me Interpol Tiranën dhe në bashkëpunim me partnerët italianë, kanë vijuar operacionin policor ndërkombëtar të koduar “Infra Atlas”, i cili po zhvillohet aktualisht në disa shtete dhe koordinohet nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion, me qëllim arrestimin e të gjithë shtetasve të implikuar në një vrasje të kryer në Rocca Priora, Itali, më datë 13.12.2022.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe ndërhyrjes së menjëhershme, profesionale, u lokalizua në një lokal në aksin rrugor Lezhë-Milot, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar G. Gj., 30 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë.

30-vjeçari fshihej në vendin tonë, pasi autoritetet gjyqësore italiane i kishin caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vrasje. Shtetasi G. Gj. akuzohet se është organizator i vrasjes së bashkëshortit të motrës së tij, shtetasit P. C., vrasje e kryer me mjet prerës, në Rocca Priora, Itali, më datë 13.12.2022, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë.

Vijojnë procedurat, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë”, njofton Interpol./albeu.com