Në pranga dy autorët, sekuestrohet arma me të cilën u ekzekutua Emiljano Ramazani
Policia e Elbasanit ka sekuestruar armën e zjarrit me të cilën u krye vrasja e Emiljano Ramazanit më 20 Korrik, si dhe ka vënë në pranga babë e bir, të dyshuar si autorë të ekzekutimit. Ata janë identifikuar me inicialet: A. M., 64 vjeç dhe S. M., 37 vjeç, lindur e banues në Peqin.

Pas informacioneve se në ambientet e biznesit të tyre në Peqin ishte fshehur arma e krimit, u ushtrua kontroll i befasishëm dhe si rezultat, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak, me të cilin dyshohet të jetë ekzekutuar Emiljano Ramazani.

Njoftimi i plotë: Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit me të cilën autorët kryen vrasjen e shtetasit E. R., më datë 20 korrik 2020.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka vijuar intensivisht punën për grumbullimin e informacioneve dhe provave ligjore, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. R., 40 vjeç.

Si rezultat i punës së pandërprerë hetimore dhe profesionale të bërë nga specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me forcat speciale Renea, forcat “Shqiponja” dhe Policinë e Peqinit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. M., 64 vjeç dhe S. M., 37 vjeç, lindur e banues në Peqin (babë e bir).

Pas informacioneve të grumbulluara gjatë punës hetimore se në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin ishte fshehur arma e krimit, është ushtruar kontroll i befasishëm dhe si rezultat, në ambientet e brendshme të biznesit, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe nga provat shkencore ka rezultuar se arma e zjarrit e sekuestruar është arma e zjarrit pistoletë e përdorur në ngjarjen e datës 20.07.2020, në Elbasan, ku është vrarë shtetasi E. R. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Shtuar më 28/07/2020, ora 18:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori