Miratohet projektbuxheti 2021, sa rriten pagat për bluzat e bardha dhe mësuesit
Qeveria ka miratuar projketbuxhetin e vitit 2021 duke parashikuar të shpenzojë 587.6 miliard lekë, ndërkohë që të ardhurat janë planifikuar të jenë 479 miliar lekë me një defiçit buxhetor prej 6.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan abcnews.al.

Treguesit e deficitit buxhetor janë më të lartat e viteve të fundit dhe sipas qeverisë janë ndikuar nga pandemia si edhe goditja që mori ekonomia e vendit prej tërmetit të 26 nëntorit.

Qeveria ka planifikuar 8 miliard lekë për fondin e rritjes së pagave për vitin e ardhshëm ku fokusi duket se do të jetë sektori i shëndetësisë.

Mësohet se është parashikuar një rritje pagash mesatarisht me 40% për mjekët dhe infermierët, ndërsa rritja mesatare për mësuesit do të jetë 15%.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 91.87 miliardë lekë ose 5.5% e PBB.

Pronarët dhe të përndjekurit

Ndërkohë, qeveria ka parashikuar një fond prej 3 miliard lekësh për kompensimin e pronarëve si edhe 1 miliard lekë për të përndjekurit politik.

Në projektbuxhet është pasqyruar edhe një fond prej 22.2 miliard lekësh për ndihmën ekonomike dhe 800 milion lekë për pagesën e papunësisë. Gjithashtu, 2.2 miliard lekë janë parashikuar për bonusin e lindjes.

Investimet

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 27 miliardë lekë).

Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
Shtuar më 20/10/2020, ora 10:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori