Drejtori i Policisë, Ardi Veliu përfundon në prokurori
Pëlqej
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu do të merret në pyetje për rastin “Babale”.

Veliu do të paraqitet sot në orën 13:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, raporton ABC News.

Veliu do të japë shpjegime për deklaratat e Fredi Alizotit, i cili ka dalë në përgjime dhe po pretendohet se është personi që thotë se është shtirur në telefon si Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në një video të publikuar nga deputeti i PD Ervin Salianji në emisionin “Opinion” gjatë javës së kaluar, Fredi Alizoti përmendi Ardi Veliun.

Në video-regjistrimin për të cilën Alizoti nuk kishte dijeni, shprehej se ishte shantazhuar që të shtirej dhe të pranonte se ishte zëri i tij në telefonatën me Albert Veliun apo që njihet ndryshe si “Babalja”, dhe jo zëri i Agron Xhafajt.

Fredi Alizoti tha se Ardi Veliu e mori me makinën e tij zyrtare dhe e çoi përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku atje pretendohet se e priste deputeti socialist Taulant Balla.

Këto deklarata të Fredi Alizotit që thuhen në video-përgjimin e publikuar nga Salianji, u përgënjeshtruan një ditë më pas nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, Ardi Veliu është thirrur sot nga Prokuroria për të dhënë shpjegime për këto pretendime të Alizotit, apo siç e quan Partia Demokratike, “aktor i paguar nga qeveria”. /tvklan.al
Shtuar më 16/10/2018, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori