Tjetërsuan 63 mijë metra tokë në bregdet, gjykata dënon me 2 vite burg Klodi Trocin

Ish-drejtori i hipotekës së Vlorës, Klodian Troci, është dënuar me dy vite burgim për veprën penale të “Shëprdorimit të detyrës”. Klodian Troci u arrestua në tetor të vitit 2021, pasi dha dorëheqjen nga detyra.

Gjatë kontrollit në shtëpi, atij iu gjet dhe sekuestrua një shumë prej 63 mijë eurosh. Sipas dosjes së Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në vitin 2021, Klodian Troçi, Bardhyl Gjika dhe specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumente arkivorë të pronësisë, si tapi tokash apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi.

Këto sipërfaqe toke janë në zonat më të lakmuara si në Himarë, Dhërmi, Gjilekë. Për Klodian Trocin, prokuroria e Vlorës kërkoi dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e të drejtës për të pasur funksione publike në administratë për një periudhë 3 vjeçare.

Gjithashtu Prokuroria e Vlorës kërkoi dënime me 3 vite për dy të pandehurit e tjerë, Bardhyl Gjika dhe Kreshnik Mino. Por gjyqtari Sinanaj, e dënoi Gjikën me 3 vjet heqje lirie ndërsa Kreshnik Minon e deklaroi të pafajshëm.

Aktualisht prokuroria e Vlorës, ka ushtruar ankim ndaj vendimit të gjykatës së Vlorës, duke kërkuar në Apel deklarimin fajtor dhe dënimin me 3 vite burgim të specialistit Kreshnik Mino.

Njëherësh ankim në Apel është depozituar edhe për sa i përket faktit të mosdënimit të tyre me heqjen e të drejtës për tu punësuar në administratën publike, për një periudhë 3 vjeçare, raporton Elton Qyno.

Pavarësisht se procesi i gjykimit për Klodian Trocin është mbyllur në shkallë të parë, hetimet për të janë duke vijuar për akuzën e “Pastrimit të parave”, pasi në banesën e Trocit policia gjeti dhe sekuestroi një shumë prej 60 mijë euro që besohet se janë përfitim nga veprimtaria kriminale në hipotekën e Vlorës.

Sipas dosjes hetimore, Bardhyl Gjika, në cilësinë e Drejtorit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qarkun e Vlorës,në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim kanë arritur të nxjerrin nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë, dokumente origjinale si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim, Formularë nr.6 etj.
Këto dokumente kanë dalë për interes të lidhjeve shoqërore e miqësore të tyre, banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, kryesisht zonat e Bregut.

Këto dokumente këta shtetas në bashkëpunim me lidhje shoqërore të tyre i kanë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 dhe zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive prej mijëra metra katror toka në bregdet.

Në këmbim të përfitimeve të paligjshme nga personat të interesuar, dokumentet e falsifikuara janë rifutur në arkivin e Kadastrës së Qarkut Vlorë si dokumente origjinale dhe nga ana e personave të interesuar është kërkuar kopje e njehsuar e tyre në rrugë zyrtare me kërkesë në Kadastrën e Qarkut Vlorë.

Në vijim nga ana e Drejtorit të kësaj zyre, Bardhyl Gjika, është lëshuar kopje e njehsuar e tyre dhe me shkresë përcjellëse i janë dhënë personave të interesuar ose i janë dërguar zyrtarisht, Bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t’u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë nga ana e Bashkisë Himarë dhe hipotekimin e tyre A.SH.K. Vlorë.

Në dosjen hetimore thuhet se një prej personave i quajtur Dhimitër Malo, kishte përfituar një sipërfaqe prej 4885 m2 në Dhërmi. Ky përfitim kishte rrjedhur në bazë të ligjit 7501, por prokuroria shprehet se Malo qysh në vitin 1960 ishte zhvendosur nga Himara në Tiranë.

Tabela:

Klodian Troci dënohet me 2 vite burgim
Bardhyl Gjyka dënohet me 3 vite burgim
Kreshnik Mino shpallet i pafajshëm

/albeu.com/