Reali ja bën të qartë Mbappes, nëse rinovon me PSG nuk shkel në Madrid

Buzëqeshja është kthyer në fytyrën e Kilian Mbappes dhe PSG. Pas javësh e muajsh tensionesh të larta, fundjava që lamë pas ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve me lojtarin dhe klubin që kanë rënë dakord që sulmuesi francez të vijojë në Paris me opsionin për të rinovuar kontratën me klubin deri në 2025.

Një zgjedhje që do i jepte mundësi PSG ta shiste më shtrenjtë Mbappen në verën e vitit 2024. Natyrisht kjo nuk është pritur mirë në Madrid. Te Reali prisnin që Mbappe të vinte që në verën e vitit 2023. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse Reali ka lënë bosh fanellën me numrin 9 që pas ikjes së Benzemas. Por ndodhitë e reja në Paris kanë bërë që gjithcka të ndryshojë.

Megjithatë në Madrid kanë shpresë. Presidenti Perez nuk i ka humbur shpresat për të “rrëmbyer” firmën paraprake të Mbappes. Pavarësisht shkrirjes së akujve mes Mbappes dhe PSG, sulmuesi nuk ka vendosur të rinovojë me klubin. Kjo do të thotë se Reali mund të shpresojë ende në një firmë me parametra zero vitin e ardhshëm, ose të paguajë afro 100 milionë euro për Mbappen duke nisur nga 1 janari 2024.

Por në Madrid ndihen të lodhur me sulmuesin francez dhe këtë herë kanë ngritur tonet. Nga ato që raportojnë mediat, Perez është i vendosur për të mos vazhduar lojën ë francezit dhe kërcënimi ka qenë i drejtpërdrejtë. Gazeta “AS” nënvizon se Real Madrid ja ka bërë të qartë Mbappes se nëse ai vendos të rinovojë në Paris duhet ti thotë lamturmirë një herë e mirë Real Madridit.


Shtuar 16.08.2023 14:45