KPA shkarkon Zaganjorin
Kolegji i Posatshëm i Apelimit ka dhënë vendimin për kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, duke e shkarkuar atë nga detyra, dhe duke e përjashtuar të paktën për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.

Fillimisht Zaganjori ishte konfirmuar në KPK, por tashmë vendimi i KPA është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.

Sipas rivlerësimit të bërë nga ana e KPA, subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për pasurinë e tij si dhe ka bërë deklarim të pasaktë të saj.

“Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, subjekti Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme. Ai nuk arrin të justifikojë pasuritë. Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë”, tha relatorja e séances në KPA Albana Shtylla.

Vetë Zaganjori nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, ku duket se e ka pritur këtë vendim të rëndë që KPA ka marrë në drejtim të tij.

Gjykata e Lartë tashmë mbetet me vetëm një anëtar që është Ardian Dvorani, një prej gjyqtarëve më të kontestuar nga ana opozitës.
Shtuar më 26/07/2019, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori