Hakmarrja me Çapjat, arrestohet vrasësi i Gentian Beqirit
Policia italiane ka arrestuar për llogari të palës shqiptare Etjen Canin, një ndër dy personat e akuzuar për vrasjen e Gentian Beqirit në gusht 2012, teksa ai ishte i paralizuar në shtëpinë e tij.

Gjatë asaj vrasjeje mbeti i vdekur edhe babai i Beqirit. Etjen Cani ishte një ndër të dyshuarit për vrasjen e Beqirit, por pas daljes nga burgu disa kohë më parë iku menjëherë në Itali për t'i shpëtuar drejtësisë.

Gentian Beqiri u vra në gusht 2012 teksa ishte në gjumë në banesën e tij sëbashku me babain. Cani sëbashku me një shok tjetër ishin të vetmit që u hapej dera e beqirëve pasi shkonin thuajse çdo ditë atje dhe duket se duke përfituar nga kjo njohje kanë përfituar për të ekzekutuar Gentianin.

Policia ka dy pista për këtë vrasje. E para është ajo e motiveve të dobta pasi Cani dyshonte se Gentian Beqiri i kishte ngacmuar të dashurën.

Pista tjetër është ajo e hakmarrjes së vjetër me Ccapjat, pasi Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan Sokol Ccapjan në një lokal në dhjetor 2005 në Elbasan duke çelur kështu serinë e hakmarrjeve mes familjeve në këtë qytet.

SERIA E VRASJEVE

Vrasja e Gentian Beqirit
Në gusht 2012 ndodhi një tjetër vrasje që do të trondiste Elbasanin.

Dy persona të pa maskuar ngjiten në një pallat parafrabrikat në lagjen “Qemal Stafa” dhe vrasin në gjumë brenda ambienteve të shtëpisë Gentian Beqirin, i cili ishte i paralizuar dhe mbahej në arrest shtëpie si i dyshuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj Sokol Çapjes në dhjetor 2005. Pas kësaj vrasjeje ai kishte ndryshuar emrin nga ArdianMeta në Gentian Beqiri.

Gentiani u vra në sytë e të atit, i cili më pas ndërroi jetë pas një ataku kardiak.

Ngjarja mund të ishte parandaluar, pasi në derën e pallatit ku jetonte Gentiani ishin vendosur dy punonjës policie, që ruanin viktimën të mos largohej nga banesa. Mediat raportuan atëhere se policët kanë biseduar me autorët, të cilët u kanë thënë se “do të takojmë tezen”.

Autorët, sipas përshkrimit të policëve që u arrestuan pas ngjarjes, ishin pa maska dhe me trup mesatar. Pas vrasjes, dolën nga dera dhe pasi përshëndetën dy policët u larguan me një autoveturë.

Vrasja e Astrit Beqiri
Astrit Beqiri u gjet u vrarë pranë një karburanti në prill të vitit të shkuar në lagjen "28 Nëntori" në Elbasan.

Policia nuk ka ende të dyshuar për vrasjen, por dyshimet e para të tyre lidheshin me një gjakmarrje të vjetër të familjes së tij me fisin Çapja në Elbasan.

Dy muaj para se të vritej Astrit Beqiri, familjes Çapja iu organizua një atentat në lokal, nga i cili mbeten të vrarë tre persona.

Njoftimi i policisë
Kapet në Itali, autori i dyshuar i vrasjes, kryer në bashkëpunim, të dy shtetasve babë e bir, ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.

Gjatë paradites së sotme, si rezultat i bashkëpunimit të Task-Forcës Speciale, në Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Elbasan, Interpol Tiranës me Zyrën Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë dhe me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi në Rimini të Italisë, i shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar:

E. C., 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendim penal nr. 480, datë 12.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”, në lidhje me vrasjen e shtetasit G. B., (alias A. M.,) dhe të babait të tij shtetasit N. B., ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan.

Task - Forca Speciale kishte marrë informacione në rrugë operative, se ky shtetas fshihej në Itali dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Romës, si dhe Zyrës Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë, paraditen e sotme u bë e mundur kapja e tij, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë

Në kuadër të operacionit "Krasta", më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe shtetasi i kapur sot në Itali.

Operacioni "Krasta" vijon.
Shtuar më 01/07/2019, ora 16:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori