Gjykata jep vendimin për bandën e Shullazit, me sa vite burg dënohen secili
Pëlqej
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë para pak minutash vendimin për grupin e Emiljano Shullazit, e akuzuar për një sërë krimesh siç janë kërcënimi, gjobvënia, shkatërrimi i pronës me eksploziv, etj.

Prokuroria kishte kërkuar gjithsej 64 vite burg për të gjithë anëtarët e bandës që ngjallte frikë në Durrës dhe Tiranë.

Lëximi i dënimit nga gjykata u ndoq edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë, një institucion që ka qenë gjithnjë i interesuar që ky gjyq të vijonte pavarësisht zvarritjeve të vazhdueshme.

Në total, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 55 vite burg për anëtarët e bandës së Shullazit, ndërsa Prokuroria kërkoi 64 vite.

Ndaj bandës së Shullazit rëndonin akuzat e gjobvënies dhe grupit të strukturuar kriminal.

Pas vendimit të gjykatës, avokati i Shullazit para mediave është shprehur se akuzat janë të stisura.

“Vendimi nuk u dha i arsyetuar, fatkeqësia e kësaj gjykata është se nuk i shpëton dot presionit dhe në fushën që këta operojnë, nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, penale… Të gjitha akuzat ishin të stisura”, tha avokati i Shullazit.

Për Shullazin si kreu i grupit, Prokuroria kishte kërkuar në total 17 vite burgim, prej të cilave 5 ishin për shkak të grupit kriminal që ai drejton.

Shullazi akuzohej për tetë vepra penale që nga gjobe vënia ndaj dëshmitarit të drejtësisë Ylvi Beqja, gjobë vënia ndaj Jani Zekës, ndaj biznesmenit Kërçuku, dy episode kanosje për shkak të detyrës ndaj profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, shkatërrim prone me eksploziv dhe drejtim i grupit.

Sipas Prokurorisë, Shullazi ka përdorur të njëjtin mekanizëm bashkë me anëtarët duke ju vendosur gjoba më tej duke i kërcënuar e më tej duke vendosur lëndë plasëse.

Dënimet

Emiljano Shullazi– 14 vite burg

Gilmando Dani– 12 vite burg

Endrit Qyqja– 10 vite burg

Endrit Zela– 10 vite burg

Blerim Shullazi– 9 vite burg

Shtuar më 13/11/2018, ora 16:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori