Ndryshimet kushtetuese, sot skadon afati, 4 parti nuk çojnë përfaqësues për grupet e punës

Sot skadon afati për emërimin e përfaqësuesve në grupin punues për ndryshimet kushtetuese që Ministria e Drejtësisë u dha institucioneve dhe partive politike.

Përveç partive politike parlamentare, grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë duhet të emërojë edhe përfaqësues nga Zyra e Presidentit të Shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe ekspertë nga fusha e së drejtës kushtetuese, përcjell INA.

E ndërsa publiku po ofertonte për emrat e mundshëm të anëtarëve këtë fundjavë, disa nga partitë politike iu përgjigjën negativisht letrës së Ministrisë së Drejtësisë.

VMRO-DPMNE, Alternativa, E Majta, Partia Demokrate dhe Partia Socialiste njoftuan se nuk do të marrin pjesë në grupin punues.

Por, zyra e presidentit Stevo Pendarovski bëri të ditur se si përfaqësues të tyre në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të jetë profesori i Fakultetit Juridik, Aleksandar Spasov, i cili është këshilltar juridik i presidentit, ndërsa zv. Kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se SEP do të marrë pjesë aktive në grupin punues dhe se emri i përfaqësuesit që do të përfshihet në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të përcaktohet dhe shpallet më së voni deri të hënën.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha javën e kaluar se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është edhe obligim lidhur me negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, sipas të cilit grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë duhet të përgatisë një propozim që i përgjigjet shoqërisë, ligjeve dhe interesave si shtet i ardhshëm i BE-së.

Negociatori kryesor do të jetë zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, ndërsa ekipi do të përfshijë edhe ekspertë vendas, nëpunës civilë dhe ekspertë jashtë institucioneve, si ekspertë të huaj.

Kryetari i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se nuk do të marrin pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese, duke vlerësuar se në këtë fazë është e pakuptimtë dhe se qeveria dëshiron ta politizojë procesin. Alternativa theksoi se nuk do të marrë pjesë në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës me arsyetimin se nuk mund të ketë grupe punuese për hartimin apo përgatitjen e amendamenteve kushtetuese derisa të arrihet një konsensus politik ndërmjet partive politike në mbështetje të këtyre amendamenteve, përmes të cilit duhet të hapet rruga për integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian.

Sipas informacioneve të publikuara më herët, procedura për ndryshime kushtetuese, përkatësisht ndryshim i Preambulës së Kushtetutës, duhet të përfundojë më së voni deri në nëntor të këtij viti, pas shqyrtimit të BE-së./rel


Shtuar 10.04.2023 12:07